Një turist amerikan ka humbur jetën pasi u godit nga rrufeja gjatë një ekskursioni në malin Etna, në Siçili. Viktima ishte 29 vjeç, me origjinë nga Kansas-i, ndërsa identiteti i tij nuk është bërë publik. Lajmi është konfirmuar nga zjarrfikësit italianë dhe është raportuar nga Associated Press.
Ngjarja ndodhi të dielën në mbrëmje, ndërsa turisti po ecte në zonën Rocca Capra, në një lartësi prej rreth 1,400 metrash. Sipas autoriteteve, ai ndodhej në një terren të zhveshur dhe të ekspozuar kur zona u përfshi nga moti i keq dhe u godit nga rrufeja.
Për shpëtimin e tij u angazhua edhe një helikopter. Turisti u gjet në gjendje kritike, por ndërhyrja e ekipeve të emergjencës nuk arriti ta shpëtonte dhe mjekët konfirmuan më pas vdekjen.
Ngjarja ndodhi në një periudhë kur Etna po kalon aktivitet të shtuar vullkanik. Për shkak të tij, autoritetet kishin mbyllur disa zona të malit dhe aktiviteti i vullkanit kishte sjellë edhe ndërprerje të përkohshme në aeroportin e Catanias. Megjithatë, sipas AP, nuk është e qartë nëse vendi ku ndodhej turisti amerikan ishte pjesë e zonave të ndaluara.
Rreziku nga stuhitë në Etna rezulton të jetë veçanërisht serioz. Zyrtarët italianë të cituar nga Associated Press thonë se gjatë dekadave të fundit rrufetë kanë shkaktuar në Etna më shumë viktima sesa vetë aktiviteti vullkanik. Vdekjet e fundit të lidhura drejtpërdrejt me një shpërthim të vullkanit datojnë në vitin 1987.






















