Një tjetër oficer i Forcave Ajrore Izraelite është arrestuar nën dyshimin se ka përdorur informacion të ndjeshëm ushtarak për të vendosur baste në Polymarket mbi sulmet e Izraelit në Iran dhe Jemen. Rasti i ri shton dyshimet se përdorimi i informacionit të klasifikuar për përfitime financiare në tregjet e parashikimeve mund të jetë më i përhapur brenda strukturave ushtarake izraelite.
Sipas N12, oficeri me gradën major është arrestuar nën dyshimin për shkelje të besimit dhe po përballet me procedurat ligjore për përdorimin e informacionit të ndjeshëm për të vendosur baste në Polymarket.
Platforma është një nga tregjet më të mëdha të parashikimeve, ku përdoruesit vendosin para mbi rezultatet e ngjarjeve reale, nga politika dhe ekonomia deri te zhvillimet gjeopolitike. Pikërisht mundësia për të vendosur baste mbi luftëra, sulme ushtarake apo armëpushime ka ngritur shqetësime për përdorimin e informacionit të brendshëm nga persona që kanë akses në të dhëna të klasifikuara.
Rasti i majorit nuk është i pari në Izrael. Në shkurt, dy persona u arrestuan gjatë një operacioni të përbashkët të Shin Bet, një njësie hetimore të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Policisë izraelite. Hetuesit dyshonin se informacioni i klasifikuar, i siguruar gjatë shërbimit ushtarak, ishte përdorur për të vendosur baste mbi kohën e operacioneve të ushtrisë.
Prokurorët deklaruan se kishin siguruar prova ndaj një civili dhe një rezervisti dhe paralajmëruan ndjekjen e tyre penale për vepra të rënda të sigurisë, ryshfet dhe pengim të drejtësisë.
Dyshimet për baste të bazuara në informacion të brendshëm kishin nisur edhe më herët. Në janar, Shin Bet nisi të shqyrtonte mundësinë që persona brenda strukturave të mbrojtjes izraelite të kishin përdorur të dhëna të klasifikuara për të fituar para në Polymarket.
Një tjetër rast shpërtheu në maj, kur një oficer i Forcave Ajrore Izraelite u akuzua se kishte vendosur baste mbi operacionet e ushtrisë. Sipas prokurorisë, oficeri kishte treguar gatishmëri për të shitur informacion për përfitime financiare, duke krijuar potencialisht rrezik për sigurinë e forcave.
Por gjatë mbrojtjes së tij, oficeri bëri një pretendim edhe më shqetësues. Ai argumentoi se nuk e kishte kuptuar rëndësinë e veprimit të tij, pasi, sipas tij, vendosja e basteve në platforma të tilla ishte e përhapur mes kolegëve.
“E gjithë Forca Ajrore izraelite është përfshirë në lojërat e fatit”, pretendoi ai.
Problemi ndërkohë ka kaluar përtej Izraelit. Në prill, Shtëpia e Bardhë paralajmëroi stafin që të mos përdorte informacion të brendshëm për të vendosur baste në platforma si Polymarket, sipas një emaili të raportuar nga Wall Street Journal.
Edhe në Kongresin amerikan janë shtuar kërkesat për hetimin dhe kufizimin e tregjeve të parashikimeve, veçanërisht pasi llogari të reja ose anonime kanë vendosur shuma të konsiderueshme mbi zhvillime të mëdha gjeopolitike vetëm pak orë përpara se ato të bëheshin publike.
Sipas raportimeve, baste të konsiderueshme u vendosën nga llogari të sapokrijuara mbi një armëpushim mes SHBA-së dhe Iranit pak përpara njoftimit të tij nga Presidenti Donald Trump.
Në një rast tjetër, një përdorues anonim fitoi afro 200 mijë dollarë pasi kishte vënë bast se Izraeli dhe SHBA-ja do të sulmonin Iranin më 28 shkurt, në një moment kur tregu i Polymarket i jepte këtij skenari vetëm 17% probabilitet.
Rastet kanë ngritur një pyetje gjithnjë e më serioze për autoritetet: nëse lëvizjet e pazakonta në tregjet e parashikimeve përpara operacioneve ushtarake janë thjesht baste të suksesshme, apo gjurmë të personave që po përfitojnë financiarisht nga informacioni sekret.
Në Kongresin amerikan janë aktualisht në shqyrtim të paktën dy nisma ligjore që synojnë të ndalojnë ose kufizojnë këto lloje bastesh.






















