FIFA ka prezantuar një risi për fituesit e Kupës së Botës 2026. Për herë të parë që nga krijimi i turneut, futbollistët e kombëtares kampione do të marrin edhe unaza kampionësh, duke ndjekur traditën e njohur në sportet amerikane si NBA, NFL dhe MLB.
Sipas njoftimit, do të prodhohen vetëm 30 unaza ekskluzive, të destinuara për futbollistët dhe stafin e ekipit fitues. Përveç tyre, FIFA ka bërë të ditur se do të prodhohen edhe 1.996 unaza të tjera, të cilat do të dalin në shitje për tifozët dhe koleksionistët në mbarë botën.
Unazat do të shërbejnë si një kujtim i përhershëm i triumfit botëror dhe do t'i shtohen medaljeve të arta dhe trofeut që tradicionalisht i dorëzohen kampionëve. Ky është një koncept i frymëzuar nga sportet profesionale amerikane, ku unazat konsiderohen një nga simbolet më prestigjioze të suksesit.
Kjo është një nga risitë që FIFA ka vendosur të sjellë në Botërorin 2026, i cili ka shënuar edhe ndryshime të tjera në organizim dhe spektakël. Ndër to përfshihen edhe shfaqja muzikore në pushimin e finales, si dhe një fokus më i madh te elementët ceremonialë, me synimin për ta bërë turneun më tërheqës për tifozët në mbarë botën.






















