Finalja e Kupës së Botës 2026 mes Spanjës dhe Argjentinës nuk do të jetë vetëm një duel për trofeun më të rëndësishëm të futbollit. Ajo do të sjellë edhe një histori të pazakontë, që lidh dy trajnerët e finalistëve, Luis de la Fuente dhe Lionel Scaloni.
Pak e dinë se në vitin 2017, De la Fuente ishte një nga instruktorët në kursin UEFA Pro të organizuar nga Federata Spanjolle e Futbollit, ndërsa Scaloni ishte një nga kursantët që po përgatitej për të nisur karrierën si trajner.
Trajneri i Spanjës ligjëronte lëndën e teknikës, ndërsa ish-mbrojtësi argjentinas ishte ndër pjesëmarrësit më të vlerësuar të atij brezi. Nëntë vite më vonë, rrugët e tyre kryqëzohen në skenën më të madhe të futbollit botëror.
De la Fuente ka rikthyer Spanjën në elitën e futbollit ndërkombëtar, duke e udhëhequr drejt triumfeve në Ligën e Kombeve dhe Kampionatin Evropian. Nga ana tjetër, Scaloni ka ndërtuar një nga periudhat më të suksesshme në historinë e Argjentinës, me fitore në Kupwn e Amerikws, Kupën e Botës dhe një tjetër finale botërori.
Pavarësisht se të dielën do të jenë kundërshtarë, marrëdhënia mes tyre ka mbetur gjithmonë e bazuar në respekt. De La Fuente ka folur shpesh me vlerësim për ish-nxënësin e tij, ndërsa Scaloni ka pranuar se trajneri spanjoll ka pasur ndikim në formimin e tij si teknik.
Në finalen e 19 korrikut, miqësia do t'i lërë vendin rivalitetit. De la Fuente do të kërkojë ta rikthejë Spanjën në fronin e botës pas 16 vitesh, ndërsa Scaloni synon ta udhëheqë Argjentinën drejt një tjetër titulli botëror.
Një histori që dëshmon se futbolli shpesh krijon skenarë të jashtëzakonshëm, ku mësuesi dhe nxënësi përfundojnë përballë njëri-tjetrit në betejën për trofeun më të madh të futbollit.






















