Sport 16 July 2026, 11:41 Nga VNA

Përballja e së dielës në finale dhe historia e vërtetë që fshihet pas fotos së Messit me Yamal

Ndaje në Whatsapp

WhatsApp Image 2026-07-16 at 11.37.11 AM (1).jpeg

Kur Lionel Messi mori në krahë një foshnjë tetë muajshe për një set fotografik bamirësie në vitin 2007, askush nuk mund ta imagjinonte se gati dy dekada më vonë të dy do të përballeshin si rivalë në finalen e Kupës së Botës. Ajo që dikur ishte vetëm një fotografi për kalendarin e UNICEF-it është shndërruar sot në një nga imazhet më ikonike të futbollit dhe, në prag të finales së së dielës mes Argjentinës dhe Spanjës, ka marrë një domethënie krejt të veçantë.

Vetë Lamine Yamal e kishte paralajmëruar këtë dëshirë pak ditë më parë në një intervistë për DAZN. “Jam rritur pak dhe edhe Leo gjithashtu. Shpresoj të përballem me Lionel Messin në finale, pasi nuk ia dolëm në Finalissima”, tha talenti spanjoll, pa e fshehur emocionin për mundësinë e një sfide me futbollistin që dikur e mbante në krahë kur ishte vetëm tetë muajsh.

Historia e asaj fotografie nisi krejt rastësisht. Familja e Lamine Yamal, që jetonte në Mataró, fitoi një lotari të organizuar nga UNICEF, e cila u jepte disa familjeve mundësinë të merrnin pjesë në setin fotografik me futbollistët e Barcelonës për kalendarin vjetor të organizatës. Nëna e tij, Sheila Ebana, me origjinë nga Guinea Ekuatoriale, dhe babai, Mounir Nasraoui, me origjinë marokene, e çuan djalin e vogël në “Camp Nou”, pa e ditur se po bëheshin pjesë e një momenti që vite më vonë do të hynte në historinë e futbollit.

Në atë kohë, Messi ishte vetëm 20 vjeç. Ishte talenti më premtues i Barcelonës, por ende shumë larg statusit të legjendës që do të fitonte më pas. Ai nuk ishte bërë ende baba dhe nuk kishte pothuajse fare përvojë me foshnjat.

Fotografi Joan Monfort, autori i fotos, ka treguar për Associated Press se gjithçka ishte shumë spontane. “Ai doli nga dhomat e zhveshjes dhe u gjend përballë një vaske të vogël plastike me ujë, ku ndodhej një foshnjë. Ishte jashtëzakonisht e vështirë. Në fillim nuk dinte as si ta mbante në krahë”, kujton Monfort, duke shtuar se Messi ishte shumë i turpshëm dhe ndihej në siklet gjatë realizimit të fotografive.

Edhe përzgjedhja e Lamine Yamal ishte thjesht çështje fati. “Ishte rastësia që i bëri bashkë. Fotografia mund të ishte bërë me çdo futbollist tjetër të Barcelonës. Madje, nëse familja do të kishte pasur mundësi të zgjidhte, ndoshta do të kishte preferuar Ronaldinhon, Xavin ose Iniestën”, ka treguar fotografi.

Monfort kujton se kishte përgatitur me kujdes skenën, me sfondin karakteristik në ngjyrë bordo dhe ndriçimin e nevojshëm, por nuk mund ta imagjinonte se po fotografonte dy futbollistë që një ditë do të përballeshin në finalen e një Botërori.

“Nuk ekziston asnjë shumë parash që mund ta blejë një fotografi si kjo”, është shprehur ai në një intervistë tjetër për agjencinë EFE.

Për shumë vite fotografitë mbetën pothuajse të panjohura. Vetëm në verën e vitit 2024 ato u bënë virale, pasi babai i Yamal i publikoi në Instagram, në kulmin e shpërthimit të talentit të djalit të tij me kombëtaren e Spanjës. Mbishkrimi “Fillimi i dy legjendave” bëri xhiron e botës dhe fotografia u kthye në simbolin e kalimit të stafetës mes dy brezave.

Vetë Monfort pranoi se deri në atë moment nuk e kishte kuptuar se foshnja që kishte fotografuar ishte bërë një nga futbollistët më të talentuar të brezit të ri. “Është emocionuese të jem i lidhur me diçka që ka bërë kaq shumë bujë. Është një ndjesi shumë e bukur”, u shpreh ai.

Tashmë historia ka marrë një kthesë që askush nuk do ta kishte imagjinuar. Të dielën, Lionel Messi do të udhëheqë Argjentinën në përpjekje për të fituar një tjetër Kupë Bote, ndërsa përballë do të ketë Lamine Yamal, djaloshin që dikur e mbante në krahë pa ditur se po prekte një kampion të ardhshëm.

Një fotografi e realizuar rastësisht për një kalendar bamirësie është shndërruar në një nga historitë më të bukura të futbollit. Dhe finalja e së dielës premton t’i japë asaj një kapitull të ri, duke vendosur përballë legjendën që sundoi futbollin për gati dy dekada dhe talentin që shumë e shohin si pasardhësin e tij.

Video

Dita e 47 e protestës, qytetarët nisin marshimin në rrugët e Tiranës

Shkodër/ Pamje nga momenti i konfliktit me thikë në Poliklinikën “Vasil Shanto” Këto janë pamjet e momentit kur ndodhi konflikti në ambientet e Poliklinikës së lagjes “Vasil Shanto” në Shkodër, ku mbeti i plagosur me thikë 32-vjeçari Vildan Kepëca. Sipas Policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 11:30, pas një konflikti për motive të dobëta, ku dyshohet se Arvin Fregjaj e ka plagosur me thikë 32-vjeçarin.

Dita e 47 e protestës, qytetarët mblidhen në sheshin ‘Skënderbej’

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme