Ëndrra e Anglisë për të luajtur finalen e parë të Kupës së Botës që nga triumfi historik i vitit 1966 mori fund në mënyrën më të dhimbshme, pasi u përmbys 2-1 nga Argjentina në gjysmëfinale. “Tre Luanët” ishin vetëm pesë minuta larg finales, falë golit të Anthony Gordon në minutën e 55-të, por kampionët në fuqi përmbysën gjithçka në fund të takimit. Enzo Fernández barazoi në minutën e 85-të, ndërsa Lautaro Martínez realizoi golin e fitores në kohën shtesë, duke i dërguar argjentinasit në finalen ndaj Spanjës.
Pas eliminimit, trajneri Thomas Tuchel është vënë në shënjestër të kritikave për zgjedhjet e tij taktike. Me Anglinë në avantazh, tekniku gjerman hoqi nga fusha autorin e golit Gordon dhe shtoi një mbrojtës, duke kaluar në një skemë me pesë lojtarë në prapavijë. Vendimi i tij i dha iniciativën Argjentinës, e cila dominoi minutat e fundit dhe realizoi përmbysjen.
Statistikat tregojnë se nga momenti i golit të Gordon deri te goli vendimtar i Lautaro Martínez, Anglia mbajti topin vetëm 12% të kohës, duke u vendosur vazhdimisht nën presionin e skuadrës së Lionel Messit.
Në fokus të kritikave kanë qenë edhe përzgjedhjet e Tuchel gjatë gjithë turneut. Aktivizimi i Ivan Toney vetëm në minutën e 96-të, mungesa e lojtarëve kreativë si Cole Palmer, Phil Foden dhe Morgan Gibbs-White, si edhe lënia jashtë e Trent Alexander-Arnold, janë cilësuar si vendime që ndikuan negativisht në ecurinë e skuadrës.
Federata Angleze e Futbollit emëroi Tuchel pas Euro 2024 me objektivin e vetëm për t’i dhënë Anglisë yllin e dytë në fanellë, por eliminimi në gjysmëfinale konsiderohet një dështim për një trajner që u afrua pikërisht për të shmangur zhgënjimet e viteve të fundit.
Në vend që të sillte ndryshimin e shumëpritur, paraqitja ndaj Argjentinës ka bërë që shumë analistë ta krahasojnë Tuchel me paraardhësin Gareth Southgate, duke argumentuar se edhe ai ra pre e qasjes së kujdesshme që ishte kritikuar vazhdimisht te ish-trajneri i Anglisë.






















