Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis, ka sulmuar ashpër UEFA-n dhe FIFA-n, duke i akuzuar se kontrollojnë futbollin evropian dhe përfitojnë financiarisht në kurriz të klubeve.
Gjatë prezantimit të trajnerit të ri të Napolit, Massimiliano Allegri, në teatrin historik “Teatro San Carlo”, De Laurentiis kritikoi mënyrën se si drejtohet futbolli ndërkombëtar, duke thënë se klubet nuk kanë fuqinë vendimmarrëse që u takon.
“Ne vazhdojmë të punojmë në një botë futbolli që nuk drejtohet nga ne. Klubet duhet të jenë ato që marrin vendimet, por në vend të kësaj drejtohemi nga institucione që pasurohen në kurrizin tonë. E njëjta gjë ndodh edhe në shumë liga të tjera”, deklaroi ai.
Presidenti i Napolit theksoi se edhe klubet më të mëdha evropiane vazhdojnë të mbyllin sezonet me humbje financiare, pavarësisht të ardhurave shumë të larta.
“Në Itali, ashtu si në Angli, ka klube me një status të jashtëzakonshëm, por nëse shikoni bilancet e tyre financiare, edhe ato përfundojnë me humbje, megjithëse kanë të ardhura tri ose katër herë më të larta se tonat. Kjo tregon se diçka nuk funksionon në futboll”, u shpreh ai.
Në fund, De Laurentiis drejtoi akuza të drejtpërdrejta ndaj dy institucioneve më të rëndësishme të futbollit botëror.
“Në Evropë, të gjithë jemi kukulla në shërbim të UEFA-s dhe FIFA-s, të cilat në fakt pasurohen falë nesh. Madje, nuk është as e mundur të shohësh siç duhet financat e tyre për t’i analizuar”, deklaroi presidenti i Napolit.
Përveç kritikave ndaj UEFA-s dhe FIFA-s, De Laurentiis konfirmoi se Napoli ka nisur punën për ndërtimin e një stadiumi të ri me kapacitet prej 70 mijë vendesh dhe 120 lozhash VIP. Sipas tij, një nga zonat që po shqyrtohet për projektin është ish-rafineria Q8 në San Giovanni a Teduccio, ndërsa iniciativa mund të përplaset me planet e autoriteteve lokale për rikonstruksionin e stadiumit “Diego Armando Maradona”.






















