Finalja e Kupës së Botës mes Spanjës dhe Argjentinës, që do të luhet të dielën, pritet të hyjë në histori jo vetëm për përballjen në fushë, por edhe për një risi të paprecedentë në organizimin e turneut.
Sipas burimeve të transmetimit televiziv, pushimi mes pjesëve do të zgjasë më shumë se 15 minuta për t'i hapur rrugë spektaklit të parë muzikor që do të organizohet ndonjëherë gjatë finales së një Botërori.
Raportohet se ngritja e skenës për performancën, e cila pritet të zgjasë rreth 11 minuta, do të marrë afërsisht shtatë minuta, ndërsa edhe çmontimi i saj dhe përgatitja e fushës për rifillimin e ndeshjes do të kërkojnë pothuajse të njëjtën kohë.
Sipas rregullave të IFAB-it, pushimi mes pjesëve nuk duhet të kalojë 15 minuta. Megjithatë, rregullorja specifike e Kupës së Botës parashikon vetëm që futbollistët të kenë një interval prej 15 minutash, pa përcaktuar qartë nëse ai mund të zgjatet për arsye organizative.
Deri më tani, FIFA nuk ka dhënë një sqarim zyrtar mbi kohëzgjatjen e pushimit dhe mënyrën se si spektakli do të harmonizohet me rregulloret në fuqi.
Organizimi i një shfaqjeje artistike në pushimin e finales shënon një moment historik për Kupën e Botës, duke ndjekur modelin e eventeve të mëdha sportive amerikane, si Super Bowl.
Botërori i këtij viti ka sjellë edhe risi të tjera, mes tyre pushimet e detyrueshme për hidratim dhe ndarjen e unazave të kampionëve për fituesit e turneut.






















