Politika 26 May 2026, 13:04 Nga VNA

Rama flet për pronën dhe teknologjinë, ndërsa pronarët ende enden dyerve të hipotekave

Ndaje në Whatsapp

fvdvfdfv.webp

Në një konferencë për sigurinë juridike të pronës dhe integrimin në BE, Edi Rama vendosi sot të bëjë atë që di më mirë prej vitesh: të tregojë historinë e katastrofës shqiptare të pronave sikur të ishte një spektator ironik i saj dhe jo njeriu që ka 12 vite në pushtet.

Kryeministri foli gjatë për dramën e pronave pas rënies së komunizmit, për arkivat e grisura, për parcelat e detit të privatizuara, për gjyqtarët që jepnin 200 hektarë kur dikush kërkonte 5 dhe për një shtet që humbi kontrollin mbi territorin. Në thelb, një rrëfim i gjatë për një vend pa shtet.

Dhe ironia e madhe është se, ndërsa Rama e tregonte këtë histori me tone pothuaj antropologjike, në sallë mungonin vetëm ish-drejtuesit e hipotekave që sot janë të pandehur, nën hetim apo që kanë kaluar nëpër qelitë e burgut. Sepse historia e pronave në Shqipëri nuk është thjesht histori kaosi. Është histori pushteti, falsifikimesh, korrupsioni dhe dosjesh penale.

Në këtë panoramë nuk mund të mungonte as emri simbolik i epokës së re të kadastrës: Dallëndyshe Bici. Gruaja që u vendos në krye të një institucioni të paraqitur si zemra e reformës dhe digjitalizimit, por që sot hyn e del në SPAK për çështje që lidhen pikërisht me administrimin e territorit dhe procedurat shtetërore.

Ndërkohë, pronarët e ligjshëm vazhdojnë të presin. Disa prej tyre prej 35 vitesh. Disa kanë vdekur pa marrë pronën. Disa të tjerë kanë marrë vetëm vendime gjykatash që shteti nuk i zbaton. Të tjerë kanë parë pronat e tyre të betonizohen, ndërsa shteti u shpjegon se problemi është “kompleks”.

Por sot Rama kishte një zgjidhje moderne: teknologjinë e regjistrimit të të dhënave në rrjet të decentralizuar.

Pas tre dekadash kaosi, falsifikimesh, hipotekash të djegura, dosjesh të humbura, tokash të zëna, gjyqesh absurde dhe reformash që prodhuan reforma të tjera, Shqipëria më në fund po hynte në epokën ku teknologjia do të “shpëtojë çfarë mundet”.

Pra, pasi shteti lejoi për vite me radhë që prona të kthehej në industrinë më fitimprurëse të korrupsionit shqiptar, tani qytetarëve u thuhet se halli do të zgjidhet “pak nga pak”, me teknologji të re dhe me një “ombrellë” të re agjencish.

Në fund të fjalimit, Rama pranoi pa dashje thelbin e problemit kur tha se Shqipëria ka “bekimin dhe mallkimin” e një tutori mbi kokë që quhet Bashkimi Europian.

Sepse në fakt, pas 35 vitesh tranzicion, duket se e vetmja gjë që ende i mban gjallë shpresat për pronën në Shqipëri nuk është shteti shqiptar, por fakti që dikush nga jashtë vazhdon t’i kërkojë llogari.

Lexo gjithashtu

Video

Pas përfundimit të protestës para Kryeministrisë, qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët kryesore të Tiranës.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky zhvilloi takimin e tij të parë me kryeministrin e ri të Britanisë së Madhe në bordin e aeroplanmbajtëses HMS Queen Elizabeth, në bazën detare të Portsmouthit. Gjatë bisedës, kryeministri britanik rikonfirmoi mbështetjen për Ukrainën, ndërsa Zelensky ftoi kryeministrin të vizitojë vendin e tij.

Të paktën dy persona humbën jetën pasi një automjet u godit nga një sulm ajror në Deir al-Balah, në qendër të Rripit të Gazës. Sipas raportimeve, sulmi u krye nga forcat izraelite, ndërsa viktimat ishin dy zyrtarë të sigurisë së Hamasit. Ushtria izraelite konfirmoi se kishte në shënjestër një militant të Hamasit.

Një vizitor i pazakontë shkaktoi panik dhe habi në një aeroport të Nju Jorkut, pasi një rakun ra papritur nga tavani i terminalit mbi udhëtarët. Ende mbetet mister se si kafsha përfundoi mbi tavan dhe çfarë po bënte aty. Pas “uljes së detyruar”, rakuni u largua me shpejtësi, duke lënë pas pasagjerë të trembur dhe një episod sa të pazakontë, aq edhe komik. Pamjet janë regjistruar në nëntor 2024, por së fundmi janë bërë virale në rrjetet sociale.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme