Politika 25 May 2026, 22:25 Nga VNA

Dendias në Tiranë, rikthehet hija e detit në Jon/ Berisha akuzon Ramën: Sabotoi marrëveshjen me Greqinë për llogari të palëve të treta

Ndaje në Whatsapp
Dendias në Tiranë, rikthehet hija e detit në Jon/ Berisha akuzon

Ministri grek i Mbrojtjes, Nikos Dendias, u rikthye këtë të hënë në Tiranë, kësaj here jo si shef i diplomacisë greke, por si titullar i mbrojtjes, në një vizitë që ka nxitur menjëherë spekulime për rikthimin e diskutimeve mbi çështjen e kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Edhe pse mediat greke e lidhën drejtpërdrejt vizitën me përpjekjet për të riaktivizuar procesin e dërgimit të çështjes së detit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, deri tani as Tirana dhe as Athina nuk kanë bërë një konfirmim zyrtar për një agjendë të tillë. 

Vizita, sipas burimeve diplomatike dhe mediave greke, kishte qenë e planifikuar prej kohësh në kuadër të bashkëpunimit ushtarak dhe marrëdhënieve të mbrojtjes mes dy vendeve.

Dendias u prit fillimisht me ceremoni zyrtare në Ministrinë e Mbrojtjes nga homologu shqiptar, Ermal Nufi. Pas takimit nuk pati deklarata për mediat, ndërsa Ministria shqiptare e Mbrojtjes publikoi vetëm një njoftim të shkurtër, ku theksohej forcimi i bashkëpunimit dypalësh dhe vijimi i dialogut në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Më pas, ministri grek zhvilloi një takim që zgjati rreth dy orë në Kryeministri me Edi Ramën. Fillimisht u mbajt një takim kokë më kokë dhe më pas një drekë pune mes delegacioneve. Pas largimit të Dendias, Rama publikoi një reagim të shkurtër në rrjetet sociale, ku e cilësoi ministrin grek “mik të çmuar të partneritetit strategjik Shqipëri-Greqi”, duke i uruar në greqisht “rrugë të mbarë për në shtëpi”.

Vizita ka rikthyer në vëmendje çështjen e pazgjidhur të kufirit detar në Jon, një dosje që vazhdon të mbetet pezull prej më shumë se një dekade. Marrëveshja e vitit 2009 mes dy vendeve u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, ndërsa përpjekjet e mëvonshme për një zgjidhje të re nuk kanë prodhuar rezultat konkret.

Në vitin 2020, Shqipëria dhe Greqia ranë dakord që mosmarrëveshja të dërgohej në Hagë, por procesi mbeti në vendnumëro, pasi ekipet negociatore nuk u ngritën kurrë për të përgatitur dosjen juridike dhe teknike.

Për vizitën e Dendias reagoi sot edhe Sali Berisha, i cili akuzoi Edi Ramën se kishte sabotuar më herët marrëveshjen me Greqinë “për llogari të palëve të treta”. Sipas kreut të PD-së, marrëveshja e arritur para vitit 2013 ishte një marrëveshje “nga e cila fitonin të dyja palët”, ndërsa qeveria Rama, sipas tij, pengoi zgjidhjen e çështjes.

Berisha deklaroi se Partia Demokratike mbështet marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë me Greqinë, por e konsideroi qëndrimin e qeverisë shqiptare ndaj çështjes së detit si “të papërgjegjshëm”. Ai tha se problemi i kufirit detar duhet të marrë zgjidhje mbi bazën e marrëveshjeve dhe së drejtës ndërkombëtare.

Ndërkohë, Athina vijon ta konsiderojë çështjen e Hagës si rrugën e vetme për mbylljen përfundimtare të debatit për zonat detare, duke e lidhur këtë proces edhe me stabilitetin rajonal dhe bashkëpunimin strategjik mes dy vendeve.

Video

Punojmë 8 orë në shtet…pastaj të gjithë te Spitali Amerikan

Pas përfundimit të protestës para Kryeministrisë, qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët kryesore të Tiranës.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky zhvilloi takimin e tij të parë me kryeministrin e ri të Britanisë së Madhe në bordin e aeroplanmbajtëses HMS Queen Elizabeth, në bazën detare të Portsmouthit. Gjatë bisedës, kryeministri britanik rikonfirmoi mbështetjen për Ukrainën, ndërsa Zelensky ftoi kryeministrin të vizitojë vendin e tij.

Të paktën dy persona humbën jetën pasi një automjet u godit nga një sulm ajror në Deir al-Balah, në qendër të Rripit të Gazës. Sipas raportimeve, sulmi u krye nga forcat izraelite, ndërsa viktimat ishin dy zyrtarë të sigurisë së Hamasit. Ushtria izraelite konfirmoi se kishte në shënjestër një militant të Hamasit.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme