E ardhmja e sulmuesit polak Robert Lewandowski te Barcelona vazhdon të mbetet e paqartë, ndërsa mediat italiane raportojnë se Juventus ka paraqitur një ofertë konkrete për ta transferuar në Torino.
Kontrata aktuale e 37-vjeçarit me klubin katalanas përfundon më 30 qershor dhe deri tani nuk është arritur një marrëveshje për rinovim, duke e bërë gjithnjë e më të mundshëm largimin e tij si lojtar i lirë gjatë merkatos së verës.
Juventusi ka shtuar ndjeshëm përpjekjet për të siguruar firmën e veteranit polak, duke i ofruar një kontratë njëvjeçare me vlerë rreth 6 milionë euro neto në sezon, plus bonuse të lidhura me paraqitjet dhe objektivat sportive.
Sipas raportimeve, oferta është diskutuar gjatë një takimi mes agjentit të lojtarit, Pini Zahavi, dhe drejtorit të përgjithshëm të klubit bardhezi, Damien Comolli. Negociatat mbeten ende të hapura dhe një tjetër raund bisedimesh pritet të zhvillohet në Itali gjatë muajit maj për të mbyllur detajet e fundit.
Klubi torinez shfaqet optimist për finalizimin e marrëveshjes dhe është i gatshëm t’i garantojë Lewandowskit një rol titullari në repartin ofensiv, një kusht që konsiderohet thelbësor për sulmuesin.
Lewandowski shihet si objektivi kryesor i Juventusit për sulmin, aq sa drejtuesit kanë vendosur të pezullojnë përkohësisht bisedimet për rinovimin e kontratës së Dusan Vlahovic, e cila gjithashtu po shkon drejt fundit.
Në të njëjtën kohë, interesimi nga klubet e Arabisë Saudite mbetet ende një alternativë reale, me lojtarin që nuk e përjashton mundësinë për të shqyrtuar edhe një transferim jashtë Europës.
Nga ana tjetër, Barcelona ka vendosur në tavolinë një ofertë rinovimi me pagë më të ulët, e cila sipas raportimeve është pothuajse e ngjashme me atë të Juventusit. Megjithatë, problemi kryesor nuk lidhet vetëm me aspektin ekonomik, por edhe me rolin që klubi katalanas i ofron.
Në ‘Spotify Camp Nou’, Lewandowski nuk e ka më të garantuar vendin e titullarit nën drejtimin e trajnerit Hansi Flick, gjë që ka ndikuar në pasigurinë e tij për të ardhmen.






















