Politika 30 Shtator 2024, 15:06 Nga VNA

Pse po hetohen investimet e Kushnerit në Shqipëri e Serbi?

Ndaje në Whatsapp
Pse po hetohen investimet e Kushnerit në Shqipëri e Serbi?

Shefi i diplomacisë në Serbi, Marko Gjuriq, tha se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për hetimet e investimeve të planifikuara në Beograd të Jared Kushnerit, dhëndrit të ish-presidentit amerikan, Donald Trump. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Gjuriq u përgjigj negativisht në pyetjen nëse ai, gjatë kohës kur ishte ambasador në Uashington, kishte njohuri për hetimin që Komisioni i Financave i Senatit të Kongresit Amerikan po zhvillon mbi veprimtarinë e kompanisë së dhëndrit të ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump. Ndërsa Shqipëria, ku Kushner po ashtu ka planifikuar investime, deri më tani nuk ka reaguar ndaj një hetimi që ka nisur Komiteti për Financa i Senatit të SHBA-së lidhur me to. Investimet potenciale në Shqipëri dhe në Serbi të firmës Affinity, në pronësi të Kushnerit, janë bërë pjesë e një hetimi që ka nisur senatori amerikan, Ron Wyden, mbi ndikimet e mundshme politike të qeverive të huaja në familjen Trump. Wyden, kryesues i Komitetit për Financa në Senatin amerikan, më 24 shtator i ka nisur një letër zyrtare kompanisë së Kushnerit, Affinity Partners, nëpërmjet së cilës ka kërkuar informacione në lidhje me këto investime. Në këtë letër, ai ngre dyshime mbi detajet e investimeve potenciale në dy shtetet dhe nëse kjo u jep qeverive të huaja “kontroll potencial me mundësi detyrimi mbi investimet e familjes së presidentit të mundshëm të ardhshëm të SHBA-së”. Donald Trump, tashmë është i nominuari i republikanëve për president të SHBA-së në zgjedhjet e nëntorit. Në administratën e kaluar të Trumpit, Kushner kishte rolin e këshilltarit të lartë të presidentit. Komiteti për Financa në senatin amerikan merret me çështje që lidhen me taksat dhe të ardhurat në përgjithësi, dhe ka autoritetin të hetojë, rishikojë dhe vlerësojë ligjet ekzistuese dhe agjencitë që i zbatojnë ato. Kushner, i cili themeloi kompaninë e tij më 2021, bëri publike në mars të këtij viti, planet për investime në Shqipëri dhe në Serbi, të dyja të parapara në vlerë prej mbi 1 miliard dollarësh. Derisa në Serbi planet janë konkretizuar me marrëveshje qeveritare me firmën e tij, në Shqipëri ato kanë mbetur ende “një shprehje interesi” për investim. Ndër të tjera, senatori ngre dyshime për faktin se, siç thuhet, firma e Kushnerit është e financuar krejtësisht nga investitorë të huaj dhe atë në shumicë nga një fond i Qeverisë së Arabisë Saudite, derisa fonde të tjera përfshijnë ato nga qeveritë e Katarit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe ndër tjera. Sipas letrës, këto fonde paguhen gradualisht dhe parashihet të arrijnë vlerën totale prej 3 miliardë dollarësh deri në vitin 2026. Megjithatë, senatori shton se kompania e Kushnerit ende “nuk ka gjeneruar ndonjë fitim për investitorët e tij”. Në letrën e tij, kryesuesi i Komitetit shpreh edhe shqetësim për nivelin e ndikimit që këto qeveri të huaja mund të kenë mbi familjen e kandidatit për president të SHBA-së, Donald Trump, nëse ai zgjidhet sërish president. “Kjo krijon një situatë ku qeveritë e Arabisë Saudite, Katarit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe do të kenë ndikim të rëndësishëm mbi familjen Trump nëse kërcënojnë t'i tërheqin investimet e tyre dhe të ndalojnë pagesën e miliona dollarëve në tarifa ndaj Kushnerit dhe njëkohësisht, vajzës së Trumpit, Ivanka Trump”, thuhet në letër. Me qëllim të hetimit të mëtejmë, senatori i ka kërkuar kompanisë Affinity të dhëna të detajuara mbi fondet dhe planet investuese dhe për këto pyetje ka kërkuar përgjigje deri më 9 tetor. Radio Evropa e Lirë deri më tani nuk ka arritur të marrë një koment nga kompania Kushner lidhur me këtë çështje. Në një deklaratë për New York Times, Affinity e quajti letrën e Wydenit një veprim politik, duke shtuar se firma kishte ndjekur të gjitha ligjet federale dhe rregullat etike. Në mars, Kushner postoi disa fotografi në rrjete sociale për dizajnet potenciale të investimeve të firmës së tij në Shqipëri. Ai kishte thënë se synon ta shndërrojë ishullin më të madh të Shqipërisë, Sazan, në Detin Mesdhe, në një destinacion luksoz për turistët. Ky ishull kryesisht i braktisur, aktualisht është bazë ushtarake dhe është gjysmë i hapur për publikun. Kushner, gjithashtu, kishte thënë se synon t’i ndërtojë disa hotele dhe qindra vila në Zvërnec, një zonë bregdetare në Vlorë, në jug të Shqipërisë. Deri më tani, sipas autoriteteve të Shqipërisë, kompania ka shprehur interes zyrtar për të qenë investitor potencial në Sazan dhe do t’i nënshtrohet procesit të vlerësimit. Në të kaluarën, sa i përket Zvërnecit, Qeveria kishte thënë se zyrtarisht nuk ka pranuar ndonjë shprehje interesi lidhur me këtë investim. Planet e Kushnerit u përballën me kundërshtime në Shqipëri, sidomos nga ambientalistët që thonë se mund të shkaktohen dëme në zonat e mbrojtura bregdetare. Në anën tjetër, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, më 19 mars, kishte thënë se “do të negociohet pjesëmarrja e shtetit në investimin e planifikuar të Jared Kushnerit në ishullin e Sazanit”. Rama kishte shtuar se për investimet në ishullin Sazan, Qeveria e drejtuar prej tij “nuk zgjedh persona, por në bazë të legjislacionit shqiptar u referohemi ofertave dhe propozimeve që na bëhen”. Në anën tjetër, në letrën e fundit të Wydenit, thuhet se “Affinity i tregoi Komitetit se Qeveria serbe dhe ajo shqiptare fillimisht iu afrua individëve të lidhur me kompaninë Affinity në lidhje me një investim për projektet potenciale”. Kështu, senatori ka kërkuar që kompania të tregojë se kush saktësisht i është afruar kompanisë për të diskutuar për plane të mundshme investimi. Ministria e Jashtme e Shqipërisë deri më tani nuk u është përgjigjur pyetjeve të REL-it lidhur me këtë çështje. Shqetësimet e njëjta me investimet në Shqipëri, senatori i shprehu edhe për ato në Serbi, përveçse te kjo e fundit, Wyden thotë se mund të çojë edhe në rishkrim të historisë në kontekst “antiamerikan”. Më 15 maj, Serbia e nënshkroi një marrëveshje për rivitalizimin e kompleksit të ish-Sekretariatit Federal për Mbrojtjen Kombëtare me kompaninë Affinity të Kushnerit. Kompania e Kushnerit planifikon të ndërtojë një kompleks biznesi-banesor në vendin e ish-Shtabit të Përgjithshëm në Beograd. Ndërtesa e Shtabit të Përgjithshëm ishte bombarduar natën mes 29 dhe 30 prillit dhe më 7 e 8 maj 1999, nga forcat e NATO-s. NATO-ja filloi bombardimin e ish-Jugosllavisë më 24 mars të atij viti si përgjigje ndaj persekutimit të shqiptarëve në Kosovë nga forcat serbe të sigurisë. Ndërkohë, ministri i Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës në Qeverinë e Serbisë, Goran Veshiq, tha në maj se investitori Affinity ka për obligim që në të njëjtën parcelë të ndërtojë një kompleks memorial kushtuar të gjitha viktimave të bombardimeve të NATO-s. Pikërisht këtë pikë, Wyden e ka parë si problematike pasi thotë se monumenti u përshkrua si i dedikuar për “viktimat e agresionit të NATO-s”. “Është krejtësisht e papërshtatshme që një qeveri e huaj t'i kërkojë një kompanie amerikane të marrë pjesë në atë lloj revizionizmi historik antiamerikan, një akt që mbulon spastrimin etnik dhe gjenocidin dhe e përshkruan në mënyrë të rreme NATO-n si një antagoniste, dhe është skandaloze që një firmë e themeluar dhe pronë e familjes së një ish-presidenti dhe presidenti të mundshëm të ardhshëm, të Shteteve të Bashkuara, do të pajtohej me këtë”, thuhet në letër. REL-i i është drejtuar me pyetje edhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë lidhur me këtë çështje, por deri më tani nuk ka marrë përgjigje.

REL.

Video

Një incident i rëndë është regjistruar në Aeroportin e Araxos gjatë uljes së një avioni të kompanisë TUI, tip Boeing 737-8, i quajtur “Patra”. Ngjarja ndodhi kur një shkallë ku ishin ngjitur gazetarë dhe fotoreporterë për të mbuluar momentin u shemb papritur. Si pasojë, tre persona mbetën të plagosur dhe u transportuan me ambulancë në spital për trajtim mjekësor. Të lënduarit janë një gazetar nga Athina, një kameraman dhe një fotoreporter nga Patra, të cilët pësuan dëmtime në gjymtyrë. Persona të tjerë të medias që ndodheshin në vendngjarje pësuan lëndime të lehta dhe nuk patën nevojë për shtrim në spital. Dyshohet se shkalla u shemb për shkak të mbingarkesës, pasi mbi të ishin ngjitur rreth 10–15 persona për të siguruar pamje më të mira.

Përveç atyre që u vetëpërjashtuan nuk ka

Presidenti i Federatës Palestineze të Futbollit ka refuzuar t’i japë dorën presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, gjatë Kongresit të 76-të të FIFA-s, në një moment që u bë i dukshëm publikisht. Ngjarja ndodhi në kuadër të një përpjekjeje për një gjest simbolik pajtimi, i cili përfshinte edhe një fotografi të përbashkët me përfaqësues të federatave të Izraelit dhe Palestinës. Megjithatë, përfaqësuesit palestinez nuk pranoi të marrë pjesë në këtë skenë protokollare, duke thënë se ata po vuajnë si pasojë e agresionit izraelit.

Aktivistët e Global Sumud Flotilla, të ndaluar në ujëra ndërkombëtare nga forcat izraelite, denoncojnë 40 orë trajtim brutal në një anije ushtarake: dhunë fizike, mungesë ushqimi e uji dhe detyrim për të fjetur në dysheme të përmbytur. Ata thonë se edhe rezistenca paqësore ndaj arrestimit të disa pjesëmarrësve u përball me “dhunë të pastër”, duke lënë disa me plagë serioze. Pas mbërritjes në Crete, pretendohet se policia greke i mbajti në autobusë pa i lejuar të zbresin.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme