
Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi, nuk mori një vendim për kërkesën e depozituar për shkarkimin e Kreshnik Hajdari nga detyra e kryebashkiakut të Kuçovës, duke argumentuar se ndodhet në kushtet e konfliktit të interesit.
Celibashi e bazoi tërheqjen e tij me pretendimin se e ka “paragjykuar” çështjen për shkak të një vendimmarrjeje të mëparshme, kur kishte vendosur vijimin e mandatit të Hajdarit.
“Meqë për ju kjo çështje përbën shqetësim dhe ju e konsideroni të përligjur, argumentin tuaj për një konflikt interesi për faktin se kam paragjykuar këtë çështje për shkak të vendimmarrjes së shkuar. Me të drejtën, por edhe detyrimin që më jep kodi i procedurës administrative, si përfaqësues i organit administrativ në fjalë, e konsideroj veten në konflikt interesi, kështu që po heq dorë nga shqyrtimi i kësaj çështje”, deklaroi Celibashi.
Pas “sqarimeve” të dhëna nga Komisioneri i Zgjedhjeve për teorinë e konfliktit të interesit sipas interpretimit të tij, mbetet të verifikohen dispozitat e Kodit të Procedurës Administrative.
Për lehtësi, dispozita është dhënë e shkurtuar, aq sa lidhet me pretendimet e Komisionerit. E shkurtuar, ndoshta bëhet më e qartë edhe për vetë Celibashin.
“Neni 37
Kodi i Procedurave Administrative:
Asnjë punonjës i organeve të administratës nuk mund të marrë pjesë në një proces vendimmarrës administrativ ….. ku administrata që ai përfaqëson është palë, në rastet kur punonjësi ka ose/dhe dyshohet të ketë kushtet e mëposhtme:
a) ka një interes personal direkt apo indirekt në çështjen në fjalë;
…….
e) çështja është apelim i një vendimi të marrë prej punonjësit;…”
Kjo është pjesa e nenit të Kodit të Procedurës Administrative, tek e cila është mbështetur Celibashi për të refuzuar shkarkimin e kërkuar nga SPAK për kryebashkiakun Hajdari.
Por ky nen do ta përjashtonte Celibashin vetëm nga shqyrtimi i një ankimi ndaj një vendimmarrjeje të tij në një organ administrativ ku ai vetë është anëtar. Aktualisht nuk ka asnjë ankimim tek Celibashi ndaj vendimmarrjes së parë të Celibashit.
Nëse vendimi i Celibashit do të ankimohej tek një organ administrativ ku Celibashi do të ishte anëtar, atëherë ai duhet të tërhiqej nga shqyrtimi. Pra, vetëm në rastin kur Celibashi do të ishte pjesë e organit administrativ që do të shqyrtonte ankimimin ndaj vendimit të tij.
Sot askush nuk është ankuar tek Celibashi për vendimin e parë të Celibashit.
Sot ekziston një vendim i SPAK, të cilin Celibashi duhet ta ekzekutojë duke nxjerrë aktet përkatëse.
Me këtë logjikë, Celibashi nuk mund të marrë dhe të zbatojë, për shembull, vendimmarrjet për aktet e tij që rrëzohen në Kolegjin Zgjedhor. Me arsyetimin se “është në konflikt interesi sepse ka vendosur ndryshe para disa ditësh”, atëherë as vendimet e Kolegjit nuk do të zbatoheshin nga Komisioneri dhe nuk do të nxirreshin aktet përkatëse në vijim.
Celibashi mund të tërhiqet nga çështja “Hajdari” vetëm nëse ndodhet në kushtet e shkronjës “a” të nenit 37 të Kodit të Procedurës Administrative, pra kur ka një interes personal direkt apo indirekt në çështjen në fjalë.
Nëse është kështu, atëherë duhet të tregojë qartë interesin personal, direkt ose indirekt në çështjen “Hajdari”.
SPAK, nga ana tjetër, nuk është organi administrativ që ka shqyrtuar vendimin e Celibashit. Me pak fjalë, nuk janë kolegj administrativ mes tyre.






















