
Deputeti i PS, Erion Braçe, ka ngritur akuza të forta ndaj institucioneve shtetërore gjatë interpelancës me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë për pallatin e djegur pranë Farmacisë 10, duke denoncuar mungesën e kontrollit ligjor, boshllëqet në procesin e legalizimit dhe atë që e cilësoi si arrogancë institucionale.
Braçe deklaroi se godina e ndërtuar nga kompania “Arlis” rezulton pa certifikatë përdorimi, një dokument që sipas tij është detyrim ligjor për çdo objekt banimi. Deputeti socialist ngriti dyshime se projekti mund të mos jetë zbatuar në përputhje me lejen e ndërtimit, ndërsa paralajmëroi se procesi i legalizimit po përdoret për të shmangur standardet teknike dhe ligjore.
“Ndërtimi i kompanisë ‘Arlis’ është pa çertifikatë përdorimi. Detyrim ligjor marrja e një çertifikate përdorimi, lëshuar nga institucioni apo autoriteti i zhvillimit të territorit. Me gjasë projekti nuk është zbatuar sipas lejes së ndërtimit. Mungesa e çertifikatës së përdorimit tregon procesin e legalizimit, tani jo vetëm të sipërfaqeve mbi lejen e ndërtimit, por të të gjithë objektit. Objekti i legalizuar është fund e krye pa kolaudim dhe pa çertifikatën e përdorimit, një detyrim ligjor që banorët të hyjnë brenda e të jetojnë atje”, deklaroi Braçe.
Deputeti i PS-së u ndal edhe te boshllëqet ligjore që, sipas tij, kanë krijuar terren për abuzime masive në sektorin e ndërtimit.
“Pra, që të legalizohesh, duhet që të mos kesh çertifikatë përdorimi, e thotë vendimi i Këshillit të Ministrave. Legalizohesh pa atë, pra pa një proces kolaudimi. Ky është një boshllëk i tmerrshëm ligjor. Dhe nuk është ky kompleksi i vetëm, kjo është sjellje masive e ndërtuesve duke përdorur hapësirën ligjore”, tha ai.
Braçe drejtoi kritika të ashpra edhe ndaj Agjencia Shtetërore e Kadastrës, duke akuzuar institucionin për mungesë transparence dhe zvarritje të qëllimshme të informacionit zyrtar.
“Unë i jam drejtuar pesë javë të shkuara Kadastrës, me një shkresë për informacion lidhur me mënyrën e çertifikimit të pronësisë së këtij kompleksi dhe njësive individuale në sipërfaqen e legalizuar. Ky informacion nuk ka ardhur as sot. Kjo tregon jo vetëm mjerimin e një institucioni si Kadastra në vëmendje të çdo hallexhiu me pronën në këtë vend, por edhe mjerimin institucional në këtë vend, ku Parlamentit i refuzohet informacioni zyrtar me akte të pastra arrogance dhe shpërdorimi të detyrës”, u shpreh Braçe.
Sipas tij, përgjigjja e ASHK-së mbërriti vetëm pas 31 ditësh, jo për të dhënë informacionin e kërkuar, por për të deleguar përgjegjësinë te drejtoria rajonale në Tiranë.
“Informacioni i mbrojtur në shkelje të qartë të ligjit, nuk e fsheh dot klientelizmin banal si degradim institucional që duhet dënuar”, tha ai.
Braçe gjithashtu ironizoi mënyrën sesi institucionet publike po e konceptojnë raportin me Kuvendin, duke lënë të kuptohet se arroganca në parlament po shfaqet edhe tek drejtuesit e drejtorive vendore.
“Është bërë normale që ministrat të zgjedhin vetë se me kë duan ta bëjnë interpelancën dhe si duan ta zhvillojnë atë. Por që tani edhe drejtorët të vendosin se cilit deputet i japin informacion dhe cilit jo, duket se administrata ka vendosur të funksionojë me sistem ‘pëlqimesh’ dhe jo mbi bazën e ligjit”, deklaroi Braçe.
Deputeti socialist shtoi se rasti i pallatit të djegur nuk është hetuar seriozisht nga institucionet përgjegjëse, pavarësisht detyrimeve ligjore që ato kanë.






















