
Protestat kundër qeverisë në Tiranë kanë hyrë sot në ditën e 28-të radhazi, ndërsa një grup qytetarësh kanë qëndruar gjatë natës përpara godinës së Kryeministrisë, pas protestës së 27-të të zhvilluar mbrëmjen e djeshme në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Gjatë ditëve të fundit, është bërë publike edhe lista e një grupi koordinues të protestave, që sipas organizatorëve përbëhet nga 13 persona. Ky grup ka dërguar një letër edhe drejt disa ambasadave të akredituara në Tiranë, duke bërë publike kërkesat e protestës, në atë që përfaqësuesit e saj e cilësojnë si një hap drejt njohjes dhe ndërkombëtarizimit të kauzës së tyre.
Në protestën e djeshme u mbajtën fjalime dhe më pas protestuesit zhvilluan një marshim në disa rrugë të kryeqytetit, duke u ndalur edhe pranë selisë së Partisë Demokratike, ku u dëgjuan thirrje kundër opozitës.
Kërkesat e artikuluara nga organizatorët, të cilat i atribuohen Dritan Goxhajt, përfshijnë një sërë pikash politike dhe institucionale, ndër të cilat:
Dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit dhe qeverisë.
Krijimin e një qeverie teknike dhe tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor.
Ndryshime kushtetuese për barazi të plotë përpara ligjit dhe miratim me referendum popullor, përfshirë:
ndryshime në Kodin Zgjedhor;
ndryshime në ligjin për financimin e partive politike;
kufizim të mandatit të kryeministrit në jo më shumë se dy mandate gjatë jetës.
Po ashtu, kërkesat përfshijnë edhe:
anulimin e ndryshimeve për zonat e mbrojtura;
anulimin e ndryshimeve në ligjin për trashëgiminë kulturore;
shfuqizimin e paketës ligjore të njohur si “Pakti i Maleve”;
shfuqizimin e kuadrit ligjor për investimet strategjike;
hartimin e një “kontrate të re sociale” mes qytetarëve dhe shtetit, përmes konsultimeve me ekspertë dhe qytetarë të propozuar nga protesta.
Organizatorët kanë deklaruar se protestat do të vijojnë në mënyrë paqësore deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.






















