Protesta qytetare kundër qeverisë dhe klasës politike hyn sot në ditën e saj të 50-të, duke shënuar një nga mobilizimet më të gjata qytetare të viteve të fundit. Pas pesëdhjetë netësh tubimesh dhe marshimesh në rrugët e Tiranës, organizatorët kanë njoftuar se më 23 korrik protesta do të zhvendoset përpara godinës së Kuvendit të Shqipërisë, në të njëjtën ditë kur do të zhvillohet seanca plenare.
Aktivistët bëjnë të ditur se synimi është t’u përcillet deputetëve mesazhi se qytetarët nuk ndihen të përfaqësuar nga Parlamenti aktual.
“Në datë 23 korrik është protesta paradite. T’i tregojmë Parlamentit që nuk na përfaqësojnë dhe që nuk jemi të kënaqur me punën që ata bëjnë. Në ditët e ardhshme kemi përgatitur disa gjëra interesante”, u shpreh një prej aktivistëve për News24.
Ai theksoi gjithashtu se studentët distancohen nga i ashtuquajturi “Kuvend Qytetar”, duke deklaruar se ai nuk përfaqëson shumicën e protestuesve.
Protesta nisi 50 ditë më parë dhe vijon çdo mbrëmje përpara Kryeministrisë, ku qytetarët mbajnë fjalime dhe më pas marshojnë në rrugët e kryeqytetit. Organizatorët e konsiderojnë këtë një lëvizje qytetare me kërkesa të panegociueshme, ndërsa çdo natë marshimi mbyllet me thirrjet “Nesër më shumë” dhe “Rama jep dorëheqjen”.
Mes sloganeve më të dëgjuara gjatë protestave janë: “Shqipëria nuk është në shitje”, “Ju erdhi fundi”, “Rama në burg, Berisha në burg”, “Rama në burg, Belinda në burg”, “Arrestoni Ramën”, “Arrestoni Ballukun”, “Rama, SPAK You”, “Revolucion”, “Opozitë e shitur” dhe “Nuk dorëzohemi deri në fund”.
Protestuesit paralajmërojnë se protesta e 23 korrikut përpara Kuvendit do të jetë një tjetër moment i rëndësishëm i mobilizimit, me synimin për t’i bërë të qartë deputetëve se, sipas tyre, Parlamenti aktual nuk gëzon besimin e qytetarëve.






















