Në Partinë Demokratike është mbyllur një proces zgjedhor që, të paktën në letër, synonte të promovonte drejtuesit e rinj të opozitës. Por, duke parë organigramën e re, bie në sy një detaj jo i vogël: një pjesë e mirë e emrave që sot mbajnë poste të rëndësishme në parti figurojnë njëkohësisht në borderonë e Kuvendit si këshilltarë të Grupit Parlamentar të PD-së.
Pra, në selinë blu japin urdhra. Në administratën parlamentare marrin urdhra.
Më poshtë është një listë, jo e plotë, e këshilltarëve që Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka regjistruar në borderonë e Kuvendit të Shqipërisë.
Kjo listë është edhe më e gjatë falë marrëveshjes Bardhi–Peleshi, sipas së cilës Grupi Parlamentar i PD-së do të votonte ndryshimet e rregullores për Komisionin Xhafaj dhe, në këmbim, do t’i shtoheshin aq kuota këshilltarësh sa i nevojiteshin.
Everst Dedja
Nikola Kedhi
Marash Logu
Dorian Teliti
Ilda Zhulali
Elona Meco
Adriana Kalaja
Desada Xhetani
Ines Nurja
Xhodi Hysa
Aured Kanaçi
Franc Nuri
Mjafton të krahasosh këtë listë me organigramën e re të Partisë Demokratike për të kuptuar paradoksin.
Marash Logu, i punësuar në Kuvend si këshilltar i Grupit Parlamentar të PD-së, është zgjedhur Sekretar për Zgjedhjet.
Nikola Kedhi, i punësuar dhe i paguar nga Kuvendi si këshilltar i Grupit Parlamentar të PD-së, ku në hierarkinë administrative është vartës i Marash Logut, është zgjedhur Nënkryetar i Partisë Demokratike.
Adriana Kalaja, e punësuar në Kuvend si këshilltare e Grupit Parlamentar të PD-së dhe, në të njëjtën hierarki administrative, vartëse e Marash Logut, është vendosur drejtuese e Gjykatës së Partisë.
Franc Nuri, i punësuar në Kuvend si këshilltar i Grupit Parlamentar të PD-së dhe gjithashtu vartës në administratë, është zgjedhur Sekretar për të Drejtat e Njeriut.
Kështu, nënkryetari i ri i Partisë Demokratike, sapo mbaron mbledhjen e Kryesisë, të nesërmen paraqitet në zyrat e Grupit Parlamentar si këshilltar i administratës, ku detyra e tij është të mbështesë deputetët në punën e përditshme, sipas kërkesave dhe udhëzimeve të tyre. Në seli është numri dy i partisë; në Kuvend është pjesë e zinxhirit administrativ.
Natyrisht, nuk ka asgjë të paligjshme që një funksionar partie të jetë i punësuar si këshilltar në Kuvend. Paradoksi është tjetër: drejtuesit e rinj të opozitës nuk po dalin nga një elitë politike e konsoliduar, por nga administrata e Grupit Parlamentar.
Në fund, mbetet e paqartë cila është grada reale: ajo që shkruhet në organigramën e Partisë Demokratike apo ajo që figuron në borderonë e Kuvendit. Sepse, në fund të muajit, është borderoja ajo që vulos hierarkinë e vërtetë.






















