
Kreu i PD, Sali Berisha, vijoi t’i bënte jehonë ripërtëritjes së PD edhe në bashkëbisedimin që zhvilloi sot me ndjekësit në rrjetet sociale. Ndonëse kjo deklaratë vjen në një kohë kur PD do vijojë të drejtohet prej tij edhe në vitet në vazhdim, bashkë me emrat besnikë të tij në postet kyçe të partisë, Berisha u përpoq të ofronte një panoramë tjetër të zhvillimeve të brendshme.
Sipas tij, sot në Këshillin Kombëtar të PD, 60 përqind e përbëjnë të rinjtë dhe gratë dhe ky është një proporcionim shumë i rëndësishëm për ata, sepse patën trashëguar një deformim nga i cili u ndanë përfundimisht. Më tej, ai argumentoi se dy të tretat e kryesisë së zgjedhur të PD zgjidhen për herë të parë, sikundër tre nënkryetarë të PD zgjidhen për herë të parë.
Në këtë linjë me shifra që synojnë të dëshmojnë një ndryshim të thellë, Berisha informoi se nga 14 sekretarë, vetëm 3 janë të rizgjedhur. Sipas tij, ky është procesi më i thellë i ripërtëritjes së PD pas themelimit të saj. Ai shtoi se nga ana tjetër janë vendosur proporcione të domosdoshme të përfaqësimit në këtë parti, duke u shprehur i bindur se kërkesa themelore për çdo qytetar dhe anëtar, mbështetës të kësaj partie ka qenë ripërtëritja.
Ai nënvizoi gjithashtu se procesi i ripërtëritjes nuk do të ndalet dhe se në vijim PD do të afrojë personalitete të tjera nga Shqipëria dhe diaspora, të gatshëm për të kontribuar në jetën politike të vendit.
Kryedemokrati më tej i doli në mbrojtje edhe kreut të Partisë Mundësia, Agron Shehaj, në lidhje me akuzat e fundit që ky i fundit ka marrë nga kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, për vilën në Itali.
Berisha mbrojti Shehajn duke sulmuar Ballën, duke thënë se ishte një akt i shëmtuar dhe i turpshëm. Sipas tij, duke i shkuar tjetrit tek dera e shtëpisë pa një autorizim, është shkelur rëndë ligji dhe Kushtetute. Berisha shtoi se në qoftë se shteti ka probleme me secilin politikan, ka ligje se si procedohet ndaj tyre dhe për një akt të tillë vendos gjykata. Në vlerësimin e tij, shkuarja e Ballës tregon totalisht se këtu është një shtet i kapur dhe një mafie e vërtetë.






















