Kur tema e arrestimit të një deputeteje u bë lënda e preferuar e debatit publik, Edi Rama, Taulant Balla dhe Ulsi Manja depozituan në Kuvend një nismë për ndryshime në Kodin e Procedurës Penale.
Në draftin që qarkulloi pak muaj më parë, shfaqej një listë zyrtarësh të lartë për të cilët nisma parashikonte kufizimin e përdorimit të masës së sigurisë “pezullim nga detyra”.
Kriteri i përzgjedhjes së zyrtarëve, për të cilët hartuesit e nismës vlerësonin se një pezullim si masë sigurie dëmtonte institucionin, nuk u kuptua asnjëherë. Dilemat nuk u zgjidhën, pasi nisma tashmë është harruar. Megjithatë, një fakt interesant që dilte nga ajo listë “të mbrojturish” ishte mungesa e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë.
Nisma u konsiderua qesharake nga shumë vëzhgues të paangazhuar me ndonjërën palë, pikërisht sepse SPAK, për pothuajse të gjithë zyrtarët e listës (me përjashtim të deputetit), nuk kishte nevojë të kërkonte pezullim nga detyra, për sa kohë mund të kërkonte drejtpërdrejt një masë tjetër sigurie, atë të “arrestit me burg”.
Kur të gjithë e harruan nismën e Ramës, Banka e Shqipërisë mësohet se ka kërkuar, përmes Ministrisë së Financave, që në rastin e Guvernatorit dhe Zëvendësguvernatorit, masa e arrestit të kalojë më parë filtrin e Gjykatës Kushtetuese.
Mbrojtësja e flaktë e këtij propozimi është pikërisht Holta Zaçaj, ish-kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, e cila mezi u largua nga posti edhe pse mandati i saj kishte përfunduar, duke e turpëruar shtetin shqiptar që për një interpretim të thjeshtë shkoi në dyert e Komisionit të Venecias. Tashmë në detyrën e zëvendësguvernatores së parë të Bankës së Shqipërisë, ajo ka hartuar këtë kërkesë, e cila është përcjellë në Kuvend përmes Ministrisë së Financave.
Kjo pasi Banka e Shqipërisë nuk gëzon të drejtën e nismës ligjvënëse. Për këtë arsye, çdo ndryshim në ligjet që rregullojnë funksionimin e saj i propozohet Kuvendit nga Ministria e Financave.
Për kalimin e Holta Zaçajt nga Gjykata Kushtetuese në Këshillin e Bankës së Shqipërisë u kujdes vetë Edi Rama, i cili prej kohësh duket se ka një merak të veçantë për sistemimin e atyre që i kanë shërbyer me përkushtim. Tani duket se radha është që edhe zonja Zaçaj t’ia kthejë nderin, duke propozuar një mekanizëm që, nëse do të miratohej, do t’i jepte Guvernatorit dhe Zëvendësguvernatorit një gardh mbrojtës pothuaj të pakalueshëm përpara se SPAK-u të mund të kërkonte “arrest me burg”. Në fund të fundit, një “airbag” ligjor nuk prish punë kurrë, sidomos kur askush nuk e di se çfarë mund të sjellë e nesërmja.
Shpikja e një mekanizmi që parashikon shqyrtimin paraprak të masës së arrestit nga Gjykata Kushtetuese nuk ndjek asnjë logjikë të qartë se përse pikërisht këtij institucioni duhet t’i besohet një rol i tillë.
Gjykata Kushtetuese është institucion shtetëror. Nuk është gjykatë në kuptimin e piramidës së sistemit të drejtësisë penale. Ajo nuk propozon dhe as emëron Guvernatorin apo Zëvendësguvernatorin e Bankës së Shqipërisë. Këtë, të paktën, ish-kryetarja e Gjykatës Kushtetuese duhej ta kishte mësuar gjatë viteve që drejtoi atë institucion.
I vetmi shpjegim që mbetet për këtë shpikje është se dikush ka menduar të krijojë një pengesë shtesë për SPAK-un aty ku ligji sot nuk njeh asnjë.
Quhet Holta Zaçaj, e cila të vetmen punë si zyrtare shteti në karrierën e saj e ka pasur në Gjykatën Kushtetuese, ku edhe siç është shprehur vetë "mësoi të navigojë" pavarësisht se mandatin e vet e interpretoi gabim, pra në mënyrë antikushtetuese. Prandaj, nuk është çudi që nuk e di se Gjykata Kushtetuese nuk është gjykatë në kuptimin e sistemit gjyqësor, por institucioni më i lartë kushtetues i shtetit.
Që kjo çudi të ndodhë, disa, si Holta Zaçaj, vënë në dispozicion kurajën pa kufi, ndërsa të tjerë bëjnë aq sa munden që çudia të marrë formë institucionale.
Ose i bie që Holta Zaçaj ka një hall mjaft të madh që propozon një mekanizëm të tillë, për t’i krijuar vetes dhe Guvernatorit një mur kinez mbrojtës përpara se SPAK-u të mund të kërkojë një masë sigurie.
Ndoshta Holta Zaçaj nuk e ka mësuar ende një detaj të vogël. Edi Rama zakonisht kujdeset që njerëzit që i kanë shërbyer të sistemohen në poste të mira. Por historia e viteve të fundit ka treguar edhe diçka tjetër: ai nuk bezdiset shumë kur po ata njerëz përfundojnë duke pasur halle me drejtësinë. Mjafton të kujtohen emrat e shumtë të ish-ministrave, ish-kryetarëve të bashkive, ish-drejtorëve dhe ish-zyrtarëve të lartë që sot janë nën hetim, të pandehur apo të dënuar.
Prandaj, para se të shpikë filtra kushtetues për SPAK-un, ndoshta zonja Zaçaj duhet të kuptojë se posti mund të jetë dhuratë e politikës, por përballja me drejtësinë është gjithmonë personale. Urojmë që këtë gafë ta kuptojë edhe Guvernatori Gent Sejko, meqë bëhet fjalë edhe për institucionin që ai drejton dhe meqenëse media më së shumti po merret vetëm me mbrojtjen shtesë që përfiton ai.






















