Politika 16 July 2026, 14:07 Nga VNA

Nga qelitë e burgut të Durrësit, Beqaj ju lutet deputetëve të PS të vendosin nën kontroll SPAK-un

Ndaje në Whatsapp

 Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili ndodhet në paraburgim në burgun e Durrësit, ka përcjellë nëpërmjet avokatit të tij një deklaratë publike ku vë në shënjestër punën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) dhe i bën thirrje deputetëve të maxhorancës të ushtrojnë kontroll real parlamentar mbi këtë institucion.

Në qëndrimin e tij, Beqaj kapet pas debatit juridik mbi konceptin kushtetues të "funksionarit të lartë", duke pretenduar se SPAK po tejkalon kompetencat e përcaktuara në Kushtetutë dhe në Kodin e Procedurës Penale. Sipas tij, deputetët socialistë nuk duhet t'i kthejnë seancat e raportimit vjetor të SPAK-ut në shfaqje formale, por të kërkojnë llogari për zbatimin e ligjit.

"Prokurorët nuk kanë liri të deduktojnë apo të lajthisin"
Në qendër të kritikës së ish-ministrit është neni 260 i Kodit Penal (korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë). Beqaj argumenton se SPAK po zgjeron qëllimisht rrethin e personave që heton, duke injoruar listën e qartë dhe shteruese që përcakton neni 135 i Kushtetutës dhe neni 75/a i Kodit të Procedurës Penale.

"Edhe norma kushtetuese, edhe norma e procedurës penale janë të qarta dhe shteruese. Ato i përcaktojnë kornizën prokurorit dhe nuk i japin lirinë as të deduktojë, as të (mos)përjashtojë, dhe as të lajthisë se ligji specifik është VKM..." shprehet Beqaj në letrën e tij.


Sipas ish-ministrit, praktika gjyqësore e vetë Gjykatës së Posaçme (GJKKO) ka rrëzuar në disa raste vlerësimet e SPAK-ut për statusin e "subjektit të posaçëm" (si në rastin e Sekretarëve të Përgjithshëm të ministrive), por prokurorët vazhdojnë të mbajnë të njëjtin qëndrim.

"Nëse apeli i GJKKO ka vendosur disa herë se Sekretari i Përgjithshëm në një Ministri nuk është subjekt i veçantë, pra nuk është funksionar i lartë, pse prokurorët e SPAK vazhdojnë ta trajtojnë sekretarin e përgjithshëm si subjekt të posaçëm?" pyet ai.

Thirrja për kontroll parlamentar: "Pavarësia nuk përjashton llogaridhënien"
Në mbyllje të letrës, Beqaj i drejtohet drejtpërdrejt Komisionit Parlamentar dhe deputetëve të maxhorancës, duke kërkuar që kontrolli ndaj institucioneve të pavarura si SPAK-u të mos jetë thjesht formal, por një mekanizëm real llogaridhënieje për mënyrën se si interpretohet ligji procedural.

"Pavarësia e prokurorit në ushtrimin e ndjekjes penale është një garanci kushtetuese. Por pavarësia nuk e përjashton llogaridhënien institucionale për mënyrën se si interpretohen dhe zbatohen normat procedurale, sidomos kur praktika gjyqësore evidenton probleme të përsëritura."

Ai ngre pyetjen legjitime se pse deputetët nuk guxojnë të bëjnë këto pyetje gjatë seancave të raportimit publik të kreut të SPAK:

"Përse organizohen dhe transmetohen publikisht këto seanca, nëse nuk ushtrohet një kontroll real mbi problematikat që evidentohen në praktikën gjyqësore? Cili është, në fund të fundit, funksioni konkret i kontrollit parlamentar ndaj institucioneve të pavarura?"

Video

Dita e 47 e protestës, qytetarët nisin marshimin në rrugët e Tiranës

Shkodër/ Pamje nga momenti i konfliktit me thikë në Poliklinikën “Vasil Shanto” Këto janë pamjet e momentit kur ndodhi konflikti në ambientet e Poliklinikës së lagjes “Vasil Shanto” në Shkodër, ku mbeti i plagosur me thikë 32-vjeçari Vildan Kepëca. Sipas Policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 11:30, pas një konflikti për motive të dobëta, ku dyshohet se Arvin Fregjaj e ka plagosur me thikë 32-vjeçarin.

Dita e 47 e protestës, qytetarët mblidhen në sheshin ‘Skënderbej’

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme