Partia Demokratike mbylli procesin e shumëpërfolur të “ripërtëritjes”, duke prodhuar në fund një rezultat që konfirmoi më shumë vazhdimësinë sesa ndryshimin. Flamur Noka u rizgjodh sekretar i Përgjithshëm i partisë, duke siguruar një tjetër mandat katërvjeçar dhe duke mbetur numri dy i demokratëve, pikërisht në kohën kur PD deklaron se po hyn në “kilometrin e fundit” drejt rikthimit në pushtet.
Pas debateve të ditëve të fundit, rezolutave të refuzuara dhe përplasjeve në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, votimi përfundoi me fitoren e Nokës ndaj deputetit Saimir Korreshi. Noka mori 184 vota, ndërsa Korreshi u ndal në 84, duke vulosur se “ripërtëritja” nuk kishte ndërmend të prekte postin më të rëndësishëm organizativ të partisë.
Edhe gara për nënkryetarët solli disa balanca të reja, por jo ndonjë tronditje të madhe. Belind Këlliçi fitoi përballë Luçiano Boçit me 177 vota ndaj 113, ndërsa Agron Gjekmarkaj dhe Gazment Bardhi do të vijojnë të mbajnë postet e nënkryetarëve të Partisë Demokratike.
Në sekretariatet, Klevis Balliu u zgjodh sekretar Organizativ me 197 vota, duke lënë pas Agron Lokën. Andi Mustafaj fitoi sekretariatin për Burimet Njerëzore, Ylli Asllani atë për Pushtetin Vendor, ndërsa Marash Logu mori një fitore të thellë në sekretariatin për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore me 215 vota. Ethem Aga u zgjodh sekretar për Diasporën, ndërsa në garat e tjera fitues dolën emra që përfaqësojnë kryesisht strukturën aktuale të partisë.
Në Komisionin e Apelimit, më e votuara rezultoi Adriana Kalaja me 238 vota, e ndjekur nga Besart Logu, Shaqir Manjani, Suina Asllanaj dhe Gentian Koçi.
Në fund, procesi që u prezantua si një etapë e re për Partinë Demokratike prodhoi një mesazh të njohur: ndryshimi mund të presë edhe pak. Figura të reja u shtuan në disa poste, por drejtimi politik dhe organizativ mbeti në duart e njerëzve që e kanë udhëhequr partinë prej vitesh. Me Flamur Nokën sërish sekretar të Përgjithshëm dhe ekipin drejtues pothuajse të pandryshuar, PD mbyll “ripërtëritjen” dhe nis kilometrin e fundit drejt fitores së shpallur ndaj PS-së, me të njëjtin timonier dhe pothuajse të njëjtën makinë.






















