
Në kushtet kur Partia Demokratike ka vijuar bojkotin e radhës, salla e Kuvendit është kthyer në një arenë debatesh të ashpra mes mazhorancës socialiste dhe vetëm dy deputetëve të forcave të reja politike. Redi Muçi (Lëvizja Bashkë) dhe Erald Kapri (Partia Mundësia) kanë sjellë në vëmendje deklaratat skandaloze të ministres serbe, Snezhana Paunoviq, lidhur me spastrimin etnik të Kosovës, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për heshtje dhe qëndrime antikombëtare.
Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, u është përgjigjur me tone të ashpra, duke i cilësuar akuzat si "karagjozllëk diletantësh".
Redi Muçi: "Pse s'e shpallim 'non grata' ministren serbe? Rama ka të njëjtin hall me Vuçiçin"
Deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, hapi i pari debatin duke pyetur qeverinë se pse Shqipëria nuk ka ndërmarrë të njëjtin hap si Kosova për ta shpallur zyrtarisht të padëshirueshme zyrtaren serbe.
“Çfarë pret qeveria shqiptare dhe kryeministri për të reaguar ndaj deklaratës së ministres serbe Paunoviç për spastrimin etnik të Kosovës dhe mbështetjes që i dha zv/kryeministri serb? Kosova e ka shpallur non grata ministren. Ky që merret me armiqtë e popullit si ka mundësi që nuk mban qëndirm për një deklaratë të ministres serbe? Ndoshta sepse bashkë med mikun e tij, Vuçiç, i ka zënë i njëjti hall: fakti që rinia i përçmon,” deklaroi Muçi në foltore.
Balla: "S'tallemi me çështjet kombëtare, ti ishe në gjumë!"
Përgjigjja e mazhorancës erdhi përmes Taulant Ballës, i cili insistoi se Shqipëria ka mbajtur qëndrim zyrtar dhe adekuat në rrugë diplomatike, duke sulmuar njëkohësisht qasjen e deputetit të ri.
“Sa i përket një deklarate jo vetëm të papërgjegjshme, por indinjuese dhe të rëndë, reagimi i qeverisë shqiptare ka qenë në kohë, adekuat nga Ministria e Jashtme. Këto janë çështje që nuk adresohen me karagjozllëk diletantësh politikë, të një kadeti të ri në Kuvend. Nuk tallemi me çështjet kombëtare, s’jemi karagjozë si puna jote! Qëndrimin e kemi mbajtur në nivelin e qeverisë nga ministri i Jashtëm, në nivel politik, kam reaguar përpara teje, ti ishe në gjumë kur kam reaguar unë bashkë me ata që ke në kafazin tënd politik. Ky akt është dënuar nga autoritetet politike përfaqësuese. Sa i përket Edi Ramës, ti dhe shokët e tu duhet të lani gojën mirë se është i vetmi kryeministër që nga 1912 që ka ngritur çështjen e Kosovës,” u kundërpërgjigj Balla.
Erald Kapri: "Rama si Enver Hoxha, ka heshtur për Kosovën"
Debatit i është bashkuar edhe deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, i cili bëri një krahasim të fortë historik mes kryeministrit aktual dhe diktatorit Enver Hoxha, duke pretenduar se projekti i "Ballkanit të Hapur" ngjason me politikat e vitit 1946.
“Rama s’ka qenë kryeministri i vetëm në Beograd. Ka qenë edhe Enver hoxha. Ashtu si Rama, edhe Enver Hoxha, hapi kufijtë me ish-Jugosllavinë, bënë Ballkan të hapur, bënë edhe njësi monedhe. Ashtu si Rama, edhe Hoxha heshte për Kosovën pavarësisht se çfarë ndodhte atje. Kryeministri i Kosovës Haradinaj ka thënë publikisht se Rama më ka kërkuar të pranojmë ndarjen e Kosovës. Sa për përrallat e çështjes kombëtarë ka fakte. Ballkani i hapur ishte projekti i Enver Hoxhës. Ku e gjen guximin ish-ministrja serbe që edhe pas 25 citesh të fyejë rëndë shqiptarët Kosovës, sepse e di që ka një aleat në Tiranë që hesht. Doni të na mbushni mendjen edhe më përralla kombëtare,” u shpreh Kapri.
Sipas Kaprit, Parlamenti po mblidhet "në kushte rrethimi" dhe jashtë vullnetit të qytetarëve që protestojnë në bulevard, duke akuzuar kreun e qeverisë se po flirton hapur me presidentin serb Aleksandar Vuçiç.






















