Politika 26 Tetor 2024, 16:51 Nga VNA

Profil/ Ilir Meta - nga titan politik në burg për korrupsion

Ndaje në Whatsapp
Profil/ Ilir Meta - nga titan politik në burg për korrupsion

Hetimi ndaj ish-presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, i cili u arrestua më 21 tetor nën akuzat për korrupsion, nisi pas një kallëzimi të ngritur në vitin 2018 nga Romeo Kara, jurist pranë institucionit Operatori i Shpërndarjes së Energjisë. Kallëzimin, atëkohë, e mori në dorë Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila më vonë, për shkak të reformës në drejtësi, u shkri. Me krijimin e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në vitin 2019, dosja i kaloi asaj. Në atë kallëzim pretendohej për akte korruptive nga ana e Metës, derisa mbante postin e ministrit të Jashtëm, e më pas të Ekonomisë, mes viteve 2009-2013. Si president shteti, Meta shërbeu nga korriku i vitit 2017 deri në korrik të vitit 2022. Kara bëri kallëzim jo vetëm ndaj Metës, por edhe Sali Berishës si kryeministër i asaj kohe. Ndaj Metës, ndërkohë, u ngritën edhe dy kallëzime të tjera. Më 10 qershor të vitit 2022, ishte ish-deputeti Halit Valteri që ngriti kallëzim kundër tij në SPAK me pretendimin se në kohën që drejtonte partinë Lëvizja Socialiste për Integrim, kishte firmosur kontrata lobimi me kompani në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shpenzuar shuma të konsiderueshme parash, disa prej të cilave nuk janë deklaruar. Po në qershor të vitit 2022, SPAK-u i regjistroi të dyja kallëzimet në një të vetëm. Në shtator të po atij viti, në dyert e SPAK-ut mbërriti edhe një tjetër kallëzim ndaj Metës dhe bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi. Avokati Idajet Beqiri pretendonte se çifti Meta kishte shpenzuar shuma të mëdha parash për shërbime mjekësore dhe të kirurgjisë estetike, që nuk justifikoheshin me të ardhurat e tyre, duke ngritur kështu dyshime për mosdeklarim të të ardhurave dhe për burime financimi me origjinë korruptive. Afera CEZ-DIA Në mars të vitit 2009, Shqipëria lidhi kontratë me Qeverinë e atëhershme çeke, që 76% e aksioneve të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë t’i kalonin kompanisë çeke, CEZ. Opozita e asaj kohe, me në krye Partinë Socialiste, e kundërshtoi, duke akuzuar Qeverinë se veproi në mënyrë klienteliste. CEZ-i hasi në vështirësi për mbledhjen e detyrimeve si nga abonentët familjarë, ashtu edhe nga institucionet shtetërore. Për këtë arsye u kërkua lidhja e një kontrate me një kompani që do t'a ndihmonte CEZ-in t’i mblidhte borxhet. Kontrata u lidh në shtator të vitit 2010 me kompaninë DIA. Kjo kompani rezultoi të ishte regjistruar në korrik të vitit 2010 në Ishujt Virxhinia, me një kapital prej 50 mijë dollarësh. Drejtues të saj ishin dy shtetas shqiptarë, njëri prej të cilëve Kastriot Ismailaj. Rreth një muaj më vonë, kompania hapi degën e saj në Shqipëri për “investime financiare, mbledhje detyrimesh, konsulta në fushën e energjetikës” etj. Më 1 shtator, pastaj, u firmos marrëveshja me CEZ-in për mbledhjen e detyrimeve të papaguara, edhe pse, sipas SPAK-ut, “nuk kishte asnjë përvojë në këtë fushë”. Marrëveshja u kundërshtua nga Bordi Mbikëqyrës i CEZ-it dhe nuk u miratua prej tij. Megjithatë, pak ditë më vonë, DIA përfitoi dy pagesa në vlerën e një milion eurove. Në muajin shkurt të një viti më vonë u firmos e njëjta marrëveshje e refuzuar më herët dhe në tetor të vitit 2011 marrëveshja u zgjidh. Gjatë kësaj kohe rezulton se janë kryer dhjetëra transaksione bankare dhe kompania DIA ka përfituar rreth 649 miliardë lekë - apo rreth 6.4 milionë euro - me ndihmën e dy shtetasve çekë, që ishin pjesë e bordit mbikëqyrës të CEZ-it, duke i shkaktuar dëm shtetit, që zotëronte 24% të aksioneve. Për aferën e njohur si CEZ-DIA ka pasur një kallëzim në vitin 2014, ndaj Kastriot Ismailajt, që u arrestua një vit më pas dhe në vitin 2018 u dënua me 11 vjet burg. Pasi kreu dënimin vitin e kaluar, ai u lirua. SPAK-u, gjatë hetimeve, zbuloi se Meta ka pasur njohje të hershme me Ismailajn dhe se ka qenë ndikimi i tij si ministër i Jashtëm e më pas si ministër i Ekonomisë që ka çuar në nënshkrimin e marrëveshjes. SPAK-u thotë se këtë e ka konfirmuar edhe shtetasi çek, Jozef Hejsek, ish-shef ekzekutiv i CEZ-it, në Gjykatën e Arbitrazhit në Vjenë. Sipas SPAK-ut, Meta ka marrë përfitime në shuma të konsiderueshme nga Ismailaj, përmes kësaj afere. CEZ-it, pas tre vjetësh qëndrimi në Shqipëri, iu hoq licenca dhe kompania çeke e çoi çështjen në Arbitrazh, ku kërkoi 200 mijë euro dëmshpërblim. Pas ardhjes në pushtet të socialistëve në Shqipëri, çështja u zgjodh me negociata. CEZ u tërhoq dhe u ra dakord që shteti shqiptar t’i paguante palës çeke një vlerë prej 87.1 milionë eurosh. Kontratat e lobimit të LSI-së në SHBA Më 10 qershor të vitit 2022, SPAK-u regjistroi një tjetër procedim penal ndaj Metës, pas kallëzimit të bërë nga ish-deputeti Halit Valteri. Sipas tij, Lëvizja Socialiste për Integrim, siç quhej atëkohë Partia e Lirisë e drejtuar nga Meta, kishte firmosur kontrata lobimi në shkurt të vitit 2016 me kompani në SHBA, duke shpenzuar shuma të konsiderueshme parash, por duke mos i deklaruar ato. Në kallëzim ngrihen dyshime për “korrupsion dhe pastrim parash” nga Meta dhe bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi. SPAK-u thekson se bëhet fjalë për një faturë prej 690 mijë dollarësh, të padeklaruar as në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe as pranë Inspektoratit të Deklarimit të Pasurive. Hetime mbi pasurinë e çiftit Meta Në shtator të vitit 2022 ishte avokati Idajet Beqiri, i cili ngriti kallëzim penal në SPAK kundër çiftit Meta-Kryemadhi për “korrupsion, pastrim parash, mosdeklarim dhe fshehje të të ardhurave”, bazuar në të dhënat që ka siguruar, se gjatë viteve 2014-2022, ata kanë shpenzuar shuma të mëdha parash për shërbime mjekësore dhe të kirurgjisë estetike, me qëllim humbjen në peshë dhe ndryshimin e pamjes së jashtme. Për këto kallëzime, SPAK-u ka hetuar edhe lidhjet korruptive të çiftit Meta me një biznesmen shqiptaro-amerikan, Adrian Shatku. Falë ndikimit dhe ndërhyrjes së çiftit Meta, ai ka përfituar lejen për shtrimin e fibrave optike të internetit dhe ka dhënë me qira këtë shërbim. Më pas, ai ka përfituar edhe një marrëveshje interkonjeksioni të transferimit të thirrjeve telefonike ndërkombëtare. pushtetin vendor të vitit 2015. Meta dhe Rama u ndanë në vitin 2017, kur Partia Socialiste e Ramës kërkoi që t'a kishte e vetme "timonin e qeverisjes". Megjithatë, pas zgjedhjeve, Partia Socialiste i ofroi Metës mandatin e presidentit të Republikës së Shqipërisë. Pasi mbaroi mandatin si president më 2022, ai mori drejtimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, që deri atëherë mbahej nga bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi. Ai akuzoi disa prej bashkëpunëtorëve të tij se kishin punuar kundër kësaj partie, së cilës ia ndryshoi emrin në Partia e Lirisë. Gjatë karrierës së tij politike, Meta shërbeu edhe si kryetar Kuvendi. Meta u arrestua më 21 tetor. Ai u nxor me forcë nga automjeti i tij ndërsa udhëtonte drejt selisë së partisë së tij në Tiranë, ku kishte njoftuar se do të mbante një konferencë për mediat. Partia e Lirisë dhe Monika Kryemadhi thanë se arrestimi i ngjante një “arrestimi banditesk”, ndërsa ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, deklaroi se përdorimi i forcës ishte i pashmangshëm, pasi Meta refuzoi t'i bindej policisë dhe lëshoi fjalë fyese ndaj punonjësve të policisë. Prokuroria e Posaçme e akuzon ish-presidentin e Shqipërisë për “korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë”. Më 23 tetor, Meta doli para gjykatës, e cila la në fuqi masën e arrestit “burg pa afat” deri në fund të hetimeve që vijojnë ndaj tij. Meta i konsideroi akuzat si politike dhe të urdhëruara nga kryeministri Edi Rama. Të njëjtën gjë deklaroi edhe bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi. Jetmira Delia-Kaci/ REL

Video

? Elefantët mund ta gjejnë ujin përmes nuhatjes Sipas një studimi të ri, elefantët afrikanë kanë një aftësi të jashtëzakonshme për të lokalizuar ujin duke përdorur vetëm nuhatjen e tyre. Studiuesit kryen dy eksperimente me elefantë gjysmë të zbutur për të përcaktuar nëse vetëm sinjalet e nuhatjes mund t’i drejtonin drejt burimeve të ujit. Në teste, elefantët zgjidhnin vazhdimisht ujin nga burime natyrale dhe artificiale në vend të ujit të distiluar, duke treguar se ata mund ta dallonin ujin përmes erës. Për më tepër, ata mund të dallonin tre komponime organike të paqëndrueshme (VOC) që shpesh lidhen me ujin — geosmina, 2-metilizoborneoli dhe dimetil sulfuri — edhe pse këto komponime nuk ishin të pranishme në mostrat e ujit të përdorura në studim. Kjo sugjeron se elefantët po zbulojnë komponime të tjera të paqëndrueshme, ndoshta më komplekse ose më të njohura për ta, për të njohur ujin. Aftësia e tyre për ta bërë këtë në distanca të shkurtra tregon për një përshtatje evolutive për të mbijetuar në mjedise ku uji është i pakët dhe ndonjëherë i fshehur.

? Eklispi hënor ? Më 7-8 shtator 2025, do të ndodhë një eklips i plotë hënor, një spektakël i rrallë që do të zgjasë 82 minuta dhe do të jetë i dukshëm në pjesë të mëdha të Azisë, Australisë dhe rajonit të Paqësorit. ? Edhe nga vendi ynë mund të shihet faza më magjike — Hëna e përgjakur, kur sateliti ynë merr ngjyrën e kuqe të thellë! ? Ky eklips do të jetë i dukshëm për 4.9 miliardë njerëz, ndërsa rreth 87% e popullsisë së globit do të kenë mundësinë të ndjekin të paktën një pjesë të tij. ❌ Amerika e Veriut dhe ajo e Jugut këtë herë do ta humbasin spektaklin.

Dikur mburreshim me traktorin e parë prodhuar në vend. Sot kemi dronat dhe satelitët që na orientojnë.

?Këngëtarja Susana Alvarado, nga grupi Corazón Serrano, u godit në fytyrë nga një dron që ishte afruar shumë pranë skenës gjatë koncertit të saj në Chiclayo, Peru. ?Në videon e incidentit, e cila është bërë virale, shihen momenti i përplasjes dhe ndihma e menjëhershme nga koleget e saj. ?Fatmirësisht, nuk pati pasoja serioze dhe Alvarado arriti të vazhdojë performancën.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme