Presidenti i zgjedhur i Kolumbisë, Abelardo de la Esperanza, ka njoftuar se qeveria e tij do të rivendosë marrëdhëniet diplomatike me Izraelin dhe do të zhvendosë ambasadën kolumbiane nga Tel Avivi në Jerusalem, duke përmbysur politikën e presidentit në largim, Gustavo Petro.
De la Esperanza, i cili pritet të marrë detyrën më 7 gusht dhe mbështetet nga presidenti amerikan Donald Trump, tha se rikthimi i marrëdhënieve me Izraelin do të jetë një nga vendimet e para të mandatit të tij. Zyra e tij njoftoi se Kolumbia do të hapë ambasadën në Jerusalem, të cilin e njeh si kryeqytetin e Izraelit, me synimin për të forcuar marrëdhëniet historike mes dy vendeve.
Ky vendim shënon një kthesë të fortë në politikën e jashtme të Kolumbisë. Në vitin 2024, presidenti Gustavo Petro ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Izraelin në shenjë proteste ndaj luftës në Rripin e Gazës. Qeveria e tij pezulloi gjithashtu eksportet e qymyrit drejt Izraelit dhe ndaloi blerjet e armëve izraelite.
Petro reagoi ashpër ndaj vendimit të pasardhësit të tij, duke e akuzuar se po bëhet “bashkëpunëtor në gjenocid” përmes afrimit me Izraelin.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm i emëruar nga presidenti i zgjedhur, Omar Boula, zhvilloi një takim në Uashington me homologun izraelit Gideon Saar, ku u dakordësua një plan për rivendosjen e plotë të marrëdhënieve dypalëshe dhe heqjen e regjimit të vizave mes dy vendeve.
Sipas zyrës së presidentit të zgjedhur, Kolumbia do të tërheqë edhe mbështetjen për padinë e Afrikës së Jugut kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, ku Izraeli akuzohet për gjenocid në Rripin e Gazës.
Edhe pse shumica e vendeve i mbajnë ambasadat e tyre në Tel Aviv për shkak të statusit të diskutueshëm të Jerusalemit, SHBA-ja e zhvendosi ambasadën e saj në Jerusalem në vitin 2018, pas vendimit të presidentit Donald Trump për ta njohur qytetin si kryeqytet të Izraelit.






















