
Diku në Shqipërinë rurale qëndron një kafaz. Një kafaz gjigant, që nuk mban kafshë, por njerëz.
Këta njerëz nuk janë kriminelë – janë migrantë.
Migrantë në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian, ose më saktë: migrantë që tashmë kanë arritur në Bashkimin Evropian. Kafazi në Shqipëri është “territor italian”: është paguar dhe ndërtuar në emër të kryeministres italiane Giorgia Meloni.
Dhe megjithëse gjyqtarët italianë po përpiqen t’i japin fund kësaj sepse burgosja e migrantëve, vetëm pse janë migrantë nuk është ligjore, qeveria vazhdon pa u ndalur, duke sulmuar publikisht gjyqtarët, duke i akuzuar se po rrezikojnë sigurinë kombëtare.
Kjo nuk është ndonjë spektakël i çuditshëm fashist që ndodh në anën tjetër të oqeanit, nën drejtimin e presidentit amerikan Donald Trump. Kjo histori po zhvillohet në Evropë dhe shihet nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, si një model i mundshëm për mënyrën se si i gjithë Bashkimi Evropian mund të trajtojë migrantët.
Kjo është një histori që zhvillohet larg vëmendjes së mediave. E mbrojtur me kujdes nga ndërhyrja e organizatave të të drejtave të njeriut dhe e politikëbërësve. Ligjërisht aq komplekse sa edhe ekspertët juridikë shpesh mbeten pa përgjigje.
Ky kafaz është versioni evropian i burgut famëkeq Guantanamo — vetëm se këtu nuk mbahen terroristë të dyshuar, por migrantë.
Është një ëndërr e së djathtës ekstreme. Dhe realiteti aktual.
Më 6 nëntor 2023, Italia dhe Shqipëria nënshkruan një marrëveshje për migracionin: një marrëveshje që i lejon Italisë të ndërtojë dy struktura në territorin shqiptar. Këtu, Italia mund të shqyrtojë kërkesat për azil dhe të mbajë persona pa dokumente. Kryeministrja italiane Giorgia Meloni e quajti këtë një “zgjidhje inovative që tregon se bashkëpunimi dhe miqësia krijojnë ide të reja” dhe një marrëveshje që “mund të bëhet model për partneritete të ngjashme”.
Është diçka që burokratët në Bruksel e shohin me shumë interes. Qeveritë evropiane prej vitesh kanë kërkuar një model për të strehuar azilkërkuesit jashtë territorit të BE-së – për ta zhvendosur disi “krizën e refugjatëve”, për të cilën shumë evropianë shqetësohen, larg territorit të tyre. Në vitin 2022, qeveria britanike nënshkroi një marrëveshje me Ruandën, e cila u bllokua në momentin e fundit nga një gjykatës (azilkërkuesit ishin tashmë në avion). Vitin e kaluar, një anëtar i kabinetit holandez foli për një marrëveshje me Ugandën për pranimin e azilkërkuesve (Uganda rezultoi se nuk kishte dijeni për këtë).
Italia është tani vendi i parë evropian që duket se po përpunon migrantë jashtë kufijve të saj. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e quajti marrëveshjen Itali-Shqipëri një “shembull të mendimit jashtë kornizave”.
Pakti i ri Evropian për Migracionin, i cili do të hyjë në fuqi në qershor 2026, është një hap i rëndësishëm drejt përhapjes së këtij modeli në të gjithë BE-në. Këto ligje të reja për migracionin do të heqin disa pengesa ligjore, duke e bërë më të lehtë arritjen e marrëveshjeve me vende jashtë BE-së.
Në këtë kontekst, është më e rëndësishme se kurrë të kuptohet se çfarë përfshin kjo marrëveshje dhe çfarë çmimi mund të paguajë BE-ja për të formësuar sistemin e saj të azilit. Gjatë vitit të kaluar, ne kemi hetuar se si funksionon konkretisht ky model Itali-Shqipëri. Kemi analizuar kostot dhe përfitimet, boshllëqet ligjore dhe shkeljet që u deshën për të nisur projektin, ndikimin tek migrantët dhe pasojat e mundshme për të drejtën e azilit në BE.
Shpejt u bë i qartë një paradoks: megjithëse marrëveshja Itali-Shqipëri përshkruhet si “model”, është pothuajse e pamundur që bota e jashtme ta shohë këtë model. Dhjetëra kërkesa për intervista, raporte dhe dokumente u refuzuan nga autoritetet. Shpesh nuk morëm as përgjigje — dhe nuk kishte ku të ankoheshim për këtë heshtje.
Gradualisht zbuluam se kjo mungesë transparence është tipike për marrëveshjen. Punonjësit nënshkruajnë marrëveshje të rrepta konfidencialiteti. Kontratat nuk publikohen gjithmonë dhe ndonjëherë as nuk tenderohen publikisht.
Kjo histori, në nëntë kapituj, është një përpjekje për të hedhur dritë mbi këtë marrëveshje. Me ndihmën e mbi 30 kërkesave për informacion publik, raporteve në Itali dhe Shqipëri, procesverbaleve të mbledhjeve dhe intervistave me politikëbërës, studiues, juristë, prokurorë, aktivistë dhe migrantë, ne rindërtuam mekanizmat e një marrëveshjeje që mund të jetë e ardhmja e politikës evropiane të migracionit.

Përzgjedhja në det/ Faza e parë e marrëveshjes
Dihet pak për mënyrën se si u arrit marrëveshja për migracionin mes Italisë dhe Shqipërisë. As Italia dhe as Shqipëria nuk patën grupe publike pune, negociata të gjata apo diskutime parlamentare para marrëveshjes.
Ajo që dihet është se në vitin 2022, Giorgia Meloni, lidere e partisë së djathtë ekstreme Fratelli d’Italia, fitoi zgjedhjet në Itali me premtime të forta për bllokimin e migracionit në Mesdhe dhe për zhvendosjen e procedurave të azilit jashtë BE-së.
Dihet gjithashtu se në pranverën e vitit 2023, ajo pati të paktën dy takime me Alexander Downer – ish-ministër i Jashtëm i Australisë dhe arkitekt i “Zgjidhjes së Paqësorit”, sipas së cilës migrantët që përpiqeshin të hynin në Australi me anije mbaheshin në ishuj të largët në Paqësor.
Në verën e vitit 2023, Meloni bëri një udhëtim me varkë nga shtëpia e saj e pushimeve në Pulia për një vizitë jozyrtare në Shqipëri, ku u takua me kryeministrin shqiptar Edi Rama.
Rama më vonë deklaroi se ideja e marrëveshjes lindi atë verë, kur sipas tij Meloni ishte “e shqetësuar për ardhjen e migrantëve” dhe “nuk mund të pushonte”. “Kështu u përpoqa të gjeja si mund të ndihmonim,” tha ai.
Më 6 nëntor 2023, Meloni dhe Rama nënshkruan marrëveshjen, zyrtarisht të quajtur “Protokolli për Forcimin e Bashkëpunimit në Fushën e Migracionit”.

Në konferencën për shtyp, Meloni foli për një “partneritet strategjik” që do të “pasurojë një miqësi historike”. “Migracioni i parregullt masiv,” tha ajo, “është një sfidë e përbashkët evropiane që duhet trajtuar përmes bashkëpunimit mes BE-së dhe vendeve jo anëtare.” Ajo shtoi se kjo mund të bëhet model për marrëveshje të ngjashme. Këtu fshihet edhe premtimi për Shqipërinë: mbështetje në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
Ndërkohë, Meloni synon të tregojë një politikë të ashpër ndaj migracionit, madje edhe para se të arrish në Itali, mund të përfundosh i ndaluar në Shqipëri, me shpresën për të frenuar kalimet me varka në Mesdhe.
Sipas protokollit, Italia mund, për të paktën pesë vjet, të përdorë pjesë të territorit shqiptar për të ndërtuar dy struktura për menaxhimin e migrantëve të parregullt, me shpenzimet dhe juridiksionin e saj. Ndërtimi nisi në mars 2024 dhe gjashtë muaj më vonë ndërtesat e para ishin gati.

Në qytetin portual të Shëngjinit ndodhet një qendër pritjeje. Një kompleks azili ndodhet në një zonë ushtarake pranë qytetit rural të Gjadrit. Qendrat kanë kapacitet për rreth 3,000 migrantë në muaj, ose 36,000 në vit.
Migrantët e parë u dërguan në Shqipëri në tetor 2024. Më 12 tetor 2024, anija patrulluese italiane Libra u nis nga Porto Empedocle në Siçili. Pas një ndalese në Lampedusa, në bord hipën përfaqësues nga IOM dhe UNHCR.

Më 14 tetor, Libra u takua me dy anije të rojes bregdetare italiane, në të cilat ndodheshin 85 migrantë të shpëtuar në det. Oficerët përzgjodhën ata që konsideroheshin “të përshtatshëm” për transferim në Shqipëri: meshkuj të rritur, pa vulnerabilitete, nga vende të konsideruara “të sigurta”.
Më 16 tetor 2024 migrantët mbërritën në Shëngjin dhe më pas u transferuan në Gjadër. Dy ditë më vonë, të gjithë morën refuzim për azil. Një gjykatë në Romë vendosi se ata nuk duhej të ndaloheshin dhe u transferuan në Itali. Pas këtij rasti dhe dy grupeve të tjera të migrantëve në nëntor 2024 dhe janar 2025, modeli ishte i njëjtë: transferim në Shqipëri, ndalim për pak ditë dhe më pas kthim në Itali pas vendimeve të gjykatave. Qendra në Gjadër mbeti bosh.

Qeveria italiane reagoi ashpër ndaj vendimeve të gjykatave. Meloni i quajti vendimet e gjykatës propagandë dhe filloi t’i referohej gjyqtarëve si “toghe rosse” (toga të kuqe). Një nga gjyqtaret ishte Silvia Albano, e cila pas vendimeve për moslejimin e ndalimit të migrantëve në Shqipëri u bë objekt sulmesh dhe kërcënimesh me vdekje. Për disa muaj ajo ishte nën mbrojtje policore.
Arsyeja e kundërshtimit të gjyqtarëve lidhej me ligjin e BE-së. Italia dërgonte në Shqipëri migrantë nga vende të konsideruara “të sigurta”, të cilët sipas ligjit mund të kalojnë procedura të përshpejtuara azili.

Kapitulli II
Demonizimi i “togave të kuqe”/ Çfarë është një “vend i sigurt i origjinës”?
“Papritur, emri im ishte kudo: në emisione televizive, në gazeta, në rrjetet sociale.” Silvia Albano (64) flet me një ton të butë dhe të matur në zyrën e saj në Romë. Ajo ka punuar si gjyqtare në fushën e azilit dhe ligjit të migracionit për pesëmbëdhjetë vjet dhe është presidente e Magistratura Democratica, një shoqatë gjyqtarësh dhe prokurorësh që mbron demokracinë dhe shtetin e së drejtës. Natyrisht, ajo e di që ligji i migracionit është politikisht i ndjeshëm. Por ajo që ndodhi pas vendimeve të saj, të cilat penguan ndalimin e azilkërkuesve në Shqipëri – ishte diçka që ajo nuk mund ta imagjinonte kurrë.
“Filloi me akuza nga anëtarë të partisë së Melonit: ministra dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë. Por shumë shpejt u kthye në një fushatë të madhe urrejtjeje online,” thotë ajo. Dikush i dërgoi një email: “Prokurore militante dhe e korruptuar, shpresoj që dikush të të qëllojë sa më shpejt. Ajo do të jetë një ditë gëzimi dhe festimi.” Pas kësaj pasuan edhe kërcënime të tjera me vdekje. Edhe Elon Musk, pronari i rrjetit X dhe një partner i rëndësishëm i Donald Trump në atë kohë, u përfshi duke thënë: “Këta gjyqtarë duhet të largohen.”

Situata u përkeqësua aq shumë sa Albano u vendos nën mbrojtje policore për disa muaj. “Në të kaluarën, ishin gjyqtarët penalë që hetonin mafian ata që kishin nevojë për mbrojtje policore,” thotë ajo. “Tani janë edhe gjyqtarët e migracionit. Nuk do ta kisha imagjinuar kurrë këtë.”

Ia vlen të kuptohet pse Albano dhe kolegët e saj nuk e miratuan ndalimin e azilkërkuesve në Shqipëri. Kjo nuk kishte të bënte me preferenca politike; lidhej me ligjin e Bashkimit Evropian. Për ta kuptuar këtë, nevojitet pak kontekst.
Italia dërgonte në Shqipëri vetëm persona nga ato që i konsideronte “vende të sigurta të origjinës”, kryesisht nga Bangladeshi dhe Egjipti. Ligji i BE-së parashikon që shtetasit nga këto “vende të sigurta” kanë shumë pak gjasa të përfitojnë azil dhe për këtë arsye mund t’i nënshtrohen një procedure të përshpejtuar për shqyrtimin e kërkesës për azil.
Kapitulli 3
Historia e Younouse Kone /Faza e dytë e marrëveshjes

Faza e re nisi – përsëri – me një dekret. Më 28 mars 2025, kryeministrja Giorgia Meloni prezantoi një dispozitë të re ligjore që lejonte transferimin e drejtpërdrejtë të azilkërkuesve që kishin shteruar të gjitha rrugët ligjore nga territori italian në Shqipëri. Kjo ndryshoi natyrën e marrëveshjes. Ideja e procedurave të përshpejtuara të azilit në Shqipëri u hoq nga skema. Në vend të kësaj, Shqipëria u bë një “qendër kthimi” eksperimentale. Kjo do të thotë: një qendër mbajtjeje nga e cila migrantët duhet të kthehen në vendin e tyre të origjinës.
Për një kohë të gjatë, qeveria italiane nuk bëri publike numrin e personave që u transferuan në Shqipëri në këtë mënyrë. Pas një kërkese për Informacion Publik, më në fund morëm një listë që konfirmonte se midis prillit dhe tetorit 2025, 183 migrantë u vendosën në këtë “qendër kthimi” në Gjadër. Shumica e tyre u dërguan përsëri në Itali pas vendimeve të gjykatave. Pesë prej tyre u vendosën më në fund në një avion nga Shqipëria drejt vendit të tyre të origjinës, Egjiptit – në shkelje të ligjit evropian.
Në tetor 2025, 21 migrantë ishin ende të mbajtur në Gjadër.

Younouse Kone e kuptoi se po dërgohej në Shqipëri vetëm kur ishte ulur në portin e qytetit italian Brindisi, i lidhur me pranga mbi kuvertën e anijes së marinës Spica, së bashku me dhjetëra të tjerë. Disa të burgosur ishin hedhur në ujë për të tentuar arratinë. Kur u nxorën nga uji, ai dëgjoi dikë që bërtiti: “Po na çojnë në Shqipëri!” Disa orë më parë, Kone, 36 vjeç, nga Guinea, ishte marrë nga qelia e tij në qendrën e mbajtjes për emigracion në Romë. Ai u lidh me pranga dhe u vendos në një makinë policie me tre oficerë. Prangat mbetën të lidhura gjatë gjithë udhëtimit shtatë-orësh deri në portin shqiptar të Shëngjinit.
Gjërat e para që ai vuri re në kafazin e Gjadrit ishin mungesa e një hapësire të përbashkët – as palestrë, as vend për të kaluar kohën. “Nuk kishte asgjë, dhe nuk kishim asnjë informacion, madje as për të drejtën tonë për të kërkuar azil,” thotë ai.
Në vitin 2009, kur ishte 20 vjeç, Kone iku nga varfëria dhe diskriminimi në Guine dhe gjeti punë si punëtor i përditshëm në rrugët e Tripolit, Libia. Ai ndante një dhomë të mbipopulluar me dhjetëra migrantë të tjerë nga Afrika Perëndimore. Kur shpërtheu lufta civile në Libia në 2011, qyteti u bombardua dhe “deti ishte e vetmja rrugëdalje,” thotë ai. Si mijëra të tjerë, ai u detyrua në një varkë nga ushtarët – sipas tij, një taktike e dëshpëruar e udhëheqësit të atëhershëm libian Muammar Gaddafi për të ushtruar presion mbi Italinë dhe Evropën që ta mbështesnin atë.
Jeta e tij në Itali nuk ishte shumë ndryshe nga ajo në Libia. Si mijëra migrantë të tjerë pa dokumente, ai punoi për vite si punëtor sezonal në bujqësi, shpesh nën kushte të vështira. Ai korrte produktet më të kërkuara në Itali: ullinj, domate, portokalle dhe mollë, dhe jetonte në geto migrantësh në jug të Italisë.
Në 2019, ai shërbeu një dënim prej 18 muajsh për t’u kapur me drogë – u lirua më herët për shkak të Covid.
Në mars 2025, pas afro pesëmbëdhjetë vjetësh në Itali, ai punonte ilegalisht si larës enësh në qendër të Romës, kur mori një telefonatë nga një stacion policie lokal. Kur shkoi atje, i u shërbye një urdhër deportimi dhe u vendos në një qendër mbajtjeje për emigracion në Trapani, në Siçili. Pas 27 ditësh në Trapani, u dërgua përsëri në një qendër mbajtjeje për emigracion në Romë. Tre javë më vonë, ndodhi Shqipëria.
Stresi i shkaktoi probleme shëndetësore. “Zgjohesha në mes të natës duke u dridhur me një ndjesi djegieje në trup; binja disa herë në dysheme.”
Gjatë një muaji në Gjadër, ai ishte dëshmitar i dy tentativave për vetëvrasje nga “djem të rinj që përpiqeshin të varen nga shufrat e kafazit ku jetonim.” Shokët e qelisë protestuan duke ndezur një dyshek dhe duke thyer dritaren.

Rasti i tij mori vëmendje kur ai vendosi të riaplikojë për azil në Gjadër. Brenda pak orësh, mbërriti një vendim negativ me postë, por gjithashtu edhe vendim nga gjyqtarët në Romë për të mos zgjatur ndalimin e tij. Sipas gjykatës, kishte pak mundësi që ai të kthehej realisht në Guine – dhe një person nuk mund të mbahet i ndaluar pa perspektivën e deportimit. Për shumë migrantë pa dokumente, kjo do të kishte nënkuptuar burgim të përjetshëm.
Ditën tjetër, në fillim të korrikut, ai mori një biletë njëkahëshe për tragetin drejt Italisë. Ndërkohë që vendimi për rishikimin e kërkesës së tij për azil ishte në pritje, ai tani është përsëri i lirë të lëvizë. Ai është i shkatërruar nga lodhja.
Kapitulli 4
Zombieland/ Çfarë ndodh pas mureve të larta
Fshati i Gjadrit ndodhet midis kodrave shkëmbore të mbuluara me shkurre mesdhetare dhe ndahet nga lumi Drin, lumi më i gjatë i Shqipërisë. Para se të fillonte ndërtimi i kompleksit italian të azilit në mars 2024, qyteti ishte i njohur në Shqipëri për bazën ajrore me hangarë të gjatë nëntokësorë – dhe për një fabrikë të madhe çimentoje, e cila i përkiste korporatës multinacionale italiane Colacem.

Në moshën 87-vjeçare, Ndrek Gazulli është një nga banorët më të vjetër të fshatit dhe, për shumë njerëz, kujtesa e gjallë e rajonit. Shtëpia ku ai jeton dikur i përkiste kooperativës bujqësore, për të cilën ai punoi si kontabilist për dekada të tëra. Sot, dy nga katër apartamentet e ndërtesës janë bosh. Që nga viti 2001, popullsia e fshatit ka rënë nga 2,700 në 500 banorë. Gazulli thotë: “Shumë njerëz janë larguar nga fshati për një jetë më të mirë. Tani jetojnë në Itali, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermani, ku të duash.” Ironia e situatës nuk i shpëton.

Si shumica e banorëve lokalë, Gazulli di pak për kompleksin italian. Sipas tij, ardhja e tij u prit me ndjenja të përziera. “Ne kishim frikë nga ajo ndërtesë e madhe, por disa njerëz shpresonin që do të krijonte vende pune.” Sipas tij, tetë persona nga fshati punojnë tani në qendër.
Shumica e banorëve nuk kanë asnjë ide se si duket qendra brenda. Ajo është e fshehur pas mureve prej betoni dhe metali, 7 metra të larta.

“Hotspot-i” ka kapacitet për 880 persona. Ky seksion është i dedikuar vetëm për njerëzit që kapen në det. Kërkesat për azil përpunohen këtu brenda 28 ditësh.
Azilkërkuesve nuk u lejohet të largohen nga kompleks. Ndryshe nga një qendër e zakonshme azilkërkuesish, nuk ka hapësira të përbashkëta, as ambiente rekreative, as pajisje sportive, dhe as hapësirë të gjelbër.
Hotspot-i ka dhoma për video-konferenca. Nga këtu, azilkërkuesit shfaqen virtualisht për intervistat dhe seancat e tyre për azil, të lidhur me gjykatat në Romë.
“Qendra e kthimit” mund të akomodojë 144 persona që duhet të kthehen në vendin e tyre të origjinës. Ata mund të qëndrojnë në këtë qendër mbajtjeje për emigracion për maksimum 1.5 vjet.
Një strukturë prej rrjetë metalike rrethon zonën si një kafaz.

Pastaj ka një burg, i cili është menduar të mbajë deri në 20 persona që kanë kryer krime në hotspot ose në qendrën e kthimit. Askush nuk është mbajtur aty deri tani.
Shumë punonjës janë italianë dhe jetojnë brenda kompleksit. Ata përballen me ditë të gjata pune, kontrata të pasigurta dhe ngarkesë të lartë pune. Të gjithë nënshkruajnë një marrëveshje konfidencialiteti.
“Një qytet fantazmë, një tokë zombie.” Kështu e përshkruan Anna Strolenberg, anëtare holandeze e Parlamentit Evropian, përshtypjen e saj të parë për qendrën në Gjadër. Ajo vizitoi vendin dy herë me iniciativën e saj – herën e parë pak para hapjes në tetor 2024. “Shiu depërtonte kudo,” kujton ajo, “edhe në dhomat e dedikuara për procedurat mjekësore.”

Një tjetër anëtare e Parlamentit Evropian, Cecilia Strada nga Italia, përdor fjalë më të rrepta: “Është një Guantánamo mbi tokën shqiptare,” thotë ajo. “Nën diellin djegës në verë dhe në të ftohtin e acartë në dimër.” Në fund të prillit, Strada dhe deputetja italiane Rachele Scarpa, të dy nga Partia Demokratike e qendrës së majtë, dorëzuan një raport në Komitetin e Këshillit të Europës për Parandalimin e Torturës. Në dokument, ata paralajmërojnë për “rrezik real dhe të menjëhershëm për vetëvrasje dhe vetëdëmtim” në qendër.
Çdo dhomë ka dy krevate me dyshek të dyfishtë dhe katër stol metalik rreth një tavoline rrethore të fiksuar në dysheme.
Çdo dhomë ka një kokë spërkatëse – pajisje të njohura në mjekësinë e mbajtjes si mjete për vetëvrasje. Të paktën një migrant në Gjadër ka përdorur këtë kokë spërkatëse për të tentuar vetëvrasjen.
Scarpa vizitoi qendrën në Gjadër tetë herë – më shumë se çdo zyrtar tjetër i zgjedhur. “Mungesa e transparencës është në zemër të këtij projekti – një kusht themelor,” thotë ajo. Të burgosurit nuk mund të marrin vizita dhe për këtë arsye kanë pak kontakt me botën e jashtme. Scarpa nuk i është dhënë një listë e të mbajturve gjatë asnjë vizite të saj, edhe pse kjo është zakon kur anëtarët e parlamentit vizitojnë burgjet. Dokumenti i vetëm zyrtar që i lejohet të shohë, thotë ajo, është regjistri i ‘incidentëve kritikë’.


Në atë regjistër, stafi duhet të regjistrojë të gjitha rastet e dhunës, vetëdëmtimit dhe emergjencave. Në dy javët e para që migrantët pa dokumente u mbajtën në Gjadër, ndodhën 35 “incidentë kritikë”. Një shembull ishte një burrë nga Georgia me histori varësie nga droga, i cili dëmtoi veten tetë herë para se të dërgohej përsëri në Itali.
Gjatë vizitës së saj në korrik 2024, Scarpa numëroi 75 “incidentë kritikë” – mesatarisht një incident në ditë. Këto përfshinin tentativa vetëvrasjeje, emergjenca mjekësore, qeli të shkatërruara dhe njerëz që përpiqeshin t’u qepnin gojën dhe buzët. Një person piu një shishe shamponi. “Gjatë vizitës time të fundit, kuptova se njerëzit kanë vetëm dy mënyra për të shprehur veten: duke u dëmtuar vetë, ose duke shkatërruar kafazin ku janë mbyllur,” thotë ajo.
Në raportin e tyre për Këshillin e Europës, Scarpa dhe Strada shkruajnë: “Pas disa javësh në qendër, të gjithë të mbajturit raportuan probleme të konsiderueshme emocionale dhe psikologjike, me një nevojë të gjerë për të filluar ose intensifikuar trajtimin farmakologjik, qartë të synuar për të përballuar kushtet që duhet të durojnë dhe për të mundur të flenë.”
Anna Strolenberg e pa këtë qartë gjatë vizitës së saj të dytë në maj 2025. “Shumica e burrave ishin thuajse të pa përgjigjshëm,” thotë ajo. “Ishin apatetikë ose shqiptonin fjalët pa kuptim. Një burrë nxori një grusht ilaçesh nga xhepi për t’ia treguar. Ai tha se të gjithë merrnin antidepresivë dhe qetësues për gjumë. Disa nga njerëzit me të cilët folëm nuk dinin se cila ditë ishte ose sa kohë kishin qëndruar të mbajtur.”
“Nëse gjërat janë kaq keq me një numër kaq të vogël personash, mund të imagjinoni çfarë do të ndodhë kur dhjetëra mijëra njerëz të dërgohen në Shqipëri çdo vit?” pyet Scarpa.
Për më tepër, nuk dihet qartë se si zgjidhen njerëzit që dërgohen në Shqipëri. Nuk ka transparencë – dhe nuk ka as vendime të shkruara – për kriteret që përdoren. Sipas një informimi të brendshëm nga Ministria e Punëve të Jashtme e Holandës, e cila monitoroi nga afër marrëveshjen, “përzgjedhja e personave që do të transferoheshin ishte më e vështirë se sa pritej.” Italianët po “kishin kërkuar njerëz që konsideroheshin ‘me rrezik të lartë’, që mund të riatdhesoheshin dhe që nuk kishin probleme shëndetësore fizike ose mendore që do të pengonin transferimin e tyre.”
Burime të brendshme thonë se njerëzit me rekorde kriminale kanë më shumë gjasa të dërgohen në Shqipëri. “Pothuajse të gjithë migrantët e transferuar në Shqipëri kanë kryer krime shumë serioze,” tha vetë Meloni gjatë një kohe pyetjesh parlamentare.
Mosnjohja e arsyes pse janë në Shqipëri është një burim i madh stresi për të burgosurit.
Pyetja është: a është e gjitha kjo ligjore?
Kapitulli 5
Një copë Itali në Shqipëri /Një trillim ligjor i mbushur me zona gri
Le të kthehemi tek baza ligjore. Konventa e Refugjatëve e vitit 1951 dhe Kushtetuta e BE-së përcaktojnë se çdo person që ikën nga dhuna ose përndjekja ka të drejtë për mbrojtje. Megjithatë, mund të aplikosh për këtë mbrojtje azil vetëm në territorin evropian. Gjithashtu është e rëndësishme: askush nuk mund të dërgohet përsëri në një vend ku rrezikohet (non-refoulement). Për më tepër, njerëzit duhet të trajtohen mirë ndërkohë që shqyrtohet kërkesa e tyre, dhe nuk mund të mbyllen thjesht. E gjithë kjo është e parashikuar në një seri rregullash dhe direktivash evropiane.
Si përputhet marrëveshja Itali-Shqipëri me këto ligje? Kjo varet nga kë të pyesësh.
Sipas Italisë, qendrat në Shqipëri duhet të shihen si një lloj zone kufitare e Italisë: një copë artificiale e territorit italian brenda Shqipërisë. Kjo është arsyeja pse atje mund të aplikohet edhe për azil: migrantët në fakt janë brenda BE-së.
Me këtë trillim ligjor, italianët po shmangin një dispozitë të rëndësishme evropiane: kriterin e lidhjes. Ky rregull përcakton se azilkërkuesit që presin procedurën e azilit nuk mund të dërgohen në një vend tjetër me të cilin nuk kanë asnjë lidhje. Sa u përket njohurive tona, asnjëri nga migrantët në qendrat shqiptare nuk ka qenë ndonjëherë në Shqipëri dhe nuk ka asnjë lidhje me atë vend. Por kjo nuk ka rëndësi, thonë italianët. Sipas tyre, migrantët nuk janë realisht në Shqipëri. Dhe kjo do të thotë që gjithçka që ndodh në qendra nënkuptohet se i nënshtrohet ligjit të BE-së.
Të paktën, ky është arsyetimi i Italisë.
Komisionerja evropiane përkatëse, nga ana tjetër, ishte e shpejtë në theksimin se marrëveshja Itali-Shqipëri nuk hyn në kuadër të ligjit të BE-së, pasi “ligji i BE-së nuk zbatohet jashtë territorit të BE-së.”
Komisioni Evropian refuzon të publikojë notën ligjore mbi të cilën Komisionerja evropiane bazohet, duke argumentuar se përmban “informacione të brendshme dhe të ndjeshme” që janë ndarë me një “numër të kufizuar marrësish”. Një nga këta marrës ishte Frontex, agjencia evropiane e kufijve. Një kërkesë për Lirinë e Informacionit ndaj kësaj organizate prodhoi një memo të brendshme, e cila përmbledh arsyetimin ligjor të Komisionit.
Ai shprehet kështu: marrëveshja midis Italisë dhe Shqipërisë nuk bën pjesë nën juridiksionin e BE-së – dhe për këtë arsye mund të vazhdojë sipas planit.
Kështu shohim këtë konstrukt ligjor të çuditshëm: Italia beson se qendrat i nënshtrohen territorit italian dhe se aty mund të kërkohet azil. BE-ja miraton qendrat pikërisht sepse nuk ndodhen në territor italian.
Ky “vepër arti” shtrihet deri te ujërat ku shpëtohen migrantët. Komisioni beson se transferimi i migrantëve në Shqipëri nuk është i paligjshëm, për sa kohë që ata shpëtohen në ujëra ndërkombëtare. Për të mbajtur marrëveshjen ligjore, sipas Komisionit, të gjitha operacionet nga kapja e migrantëve deri te zbarkimi i tyre në portin e Shëngjinit duhet të kryhen jashtë ujërave territoriale italiane dhe të BE-së.

Migrantë që shpëtohen në ujërat italiane duhet të dërgohen në Itali. Migrnatë që shpëtohen nga Italia në ujërat evropiane gjithashtu duhet të dërgohen në Itali.
Vetëm migrantët që shpëtohen në ujëra ndërkombëtare mund të dërgohen në Shqipëri.
Kjo mund të duket si një zonë e madhe, por nëse fokusohesh te pika më e përdorur për kalimin e migrantëve me varka, do të shohësh se aty ka vetëm disa dhjetëra kilometra ujëra ndërkombëtare në atë rrugë. Për shembull, rruga më e shkurtër nga Tunizia në Lampedusa përfshin vetëm 50 kilometra ujëra ndërkombëtare. Vetëm migrantët që shpëtohen në këtë rrip mund të dërgohen në Shqipëri “ligjërisht”.

Është pikërisht kjo paqartësi që lejon të gjithë të përfshihen në këtë marrëveshje me formë të çuditshme, thotë Andreina De Leo. Ajo është studiuese ligjore dhe ka shkruar doktoraturën e saj mbi këtë marrëveshje në Universitetin e Maastrichtit. “Është një trillim ligjor i mbushur me zona gri.” Mund ta quash një zonë “pa taksa” për migrantët – brenda dhe jashtë Italisë, varësisht se çfarë të përshtatet më mirë.
“Pyetja më e rëndësishme ligjore,” shpjegon De Leo, “është nëse ligji evropian për migracionin mund të aplikohet jashtë BE-së.” Në fund, është Gjykata Evropiane e Drejtësisë që duhet të formulojë një përgjigje për këtë pyetje. Në raste të mëparshme, Gjykata Supreme italiane ka vendosur se ligji i BE-së mund të aplikohet vetëm në një mjedis ku të gjitha standardet e BE-së janë realisht të përmbushura. Sipas De Leo, kjo thjesht nuk është e mundur jashtë territorit të BE-së: “Ajo që kemi parë në Shqipëri është se masat themelore mbrojtëse – si qasja në ndihmën juridike apo kujdesin shëndetësor – janë patjetër më të dobëta se sa në Itali.”
Vendimi i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë për këtë çështje pritet në gjysmën e dytë të vitit 2026.
Pyetja, natyrisht, është nëse një vendim i tillë do të bëjë ndonjë ndryshim. Ndërkohë që flasim, ligje të reja po përgatiten në Evropë për ta bërë më të lehtë realizimin e këtyre marrëveshjeve. Ndoshta pyetja nuk është aq shumë nëse ligji i BE-së zbatohen, por se çfarë ligji i BE-së do të mbetet nëse dëshira e politikanëve evropianë për të mbajtur azilkërkuesit në vende të tjera normalizohet gjithnjë e më shumë.
Kapitulli 6
Një milion për çdo migrant/ Kostoja e marrëveshjes
Sa kushton në të vërtetë një marrëveshje e tillë?
Kjo nuk është një pyetje e lehtë për t’u përgjigjur. Vetëm në Itali janë të përfshira katër agjenci, pesë ministri, ushtria dhe agjenci të ndryshme qeveritare. Para realizimit të marrëveshjes, Parlamenti Italian vlerësoi shpenzimet totale për pesë vitet e para në 653 milionë euro. Në fillim të vitit 2025, Ministri Italian i Brendshëm po fliste tashmë për 800 milionë euro.
Gjatë muajve të fundit, ne kemi përpiluar një listë të fondeve aktualisht të caktuara, bazuar në dokumente tenderash, vendime zyrtare, komunikata për shtyp dhe kërkesa për Liri Informacioni.
Ndonjëherë nuk kemi mundur të përcaktojmë shpenzimet reale – për shembull, kur kemi tentuar të zbulojmë sa kushton transportimi i migrantëve nga ujërat ndërkombëtare, me anije ushtarake, deri në portin e Shëngjinit. Kjo është një operacion madhor, që zakonisht zgjat tre deri katër ditë. Ministria e Mbrojtjes na tha se kostoja ditore e një operacioni të tillë është 8,491.72 euro. Kjo duket shumë e pamundur. Ekspertët vlerësojnë se vetëm kostoja e karburantit për një anije të tillë arrin në 18,000 euro në ditë. Dhe pastaj ka edhe angazhimin e dhjetëra pjesëtarëve të marinës.
Prandaj, vlerësimi ynë i shpenzimeve është ndoshta një nënvlerësim i konsiderueshëm i shpenzimeve reale.
Megjithatë, ne kemi identifikuar 259 milionë euro shpenzime për dy vitet e para të projektit. Gjatë asaj periudhe, 256 persona u mbajtën të izoluar në qendër. Kjo do të thotë 1 milion euro për çdo azilkërkues.

Sigurisht, këto shpenzime do të ulen me kalimin e kohës nëse Italia arrin mbushjen e plotë të qendrave. Por edhe atëherë, mbajtja e migrantëve në Shqipëri është dhjetë herë më e shtrenjtë se sa pritja “normale” në sistemin italian të azilit.
Nuk është pa arsye që organizata joqeveritare ActionAid e çoi këtë çështje para Gjykatës Italiane të Auditorëve në tetorin e kaluar. Fabrizio Coresi, studiues në ActionAid Italy, thotë: “Pavarësisht muajve të hetimeve dhe dhjetëra kërkesave për informacion, të dhënat financiare mbeten të paqarta ose të paplota. Qeveria ka krijuar një ‘gjendje të përhershme emergjence’ financiare, që e bën praktikisht të pamundur rindërtimin e plotë të shpenzimeve për qendrat në Shqipëri. Duke përdorur shprehjen ‘gjendje emergjence’, qeveria po shmang çdo parim të llogaridhënies dhe transparencës financiare.”
Dhe ka më shumë. Nëse shikon më nga afër, shumë flukse parash ngjallin pyetje.
Menaxhimi i qendrave është në duart e Medihospes, një organizate e madhe jo-fitimprurëse që menaxhon qendra për azilkërkues në Itali.
Konçorciumi, të cilit i përket Medihospes, u vu nën hetim në vitin 2015 kur një hetim i mafias zbuloi mashtrime dhe korrupsion të përhapur në menaxhimin e qendrave për azilkërkues. Drejtori i Medihospes, Camillo Giuseppe Aceto, u dënua për mashtrim në vitin 2010, por më pas u lirua në apel.
Ndërtimi i qendrave nuk u vendos për tender publik, por u organizua përmes një procedure emergjente nga forca ajrore.
Në fakt, kontratat qeveritare mbi 5.5 milionë euro në BE duhet të dalin në tender publik. Prandaj, është e pamundur të verifikohet nëse kompanitë dhe kontraktorët e përfshirë kishin lidhje me kriminelë.
295 oficerë policie italianë u vendosën në resorte katër- dhe pesë-yjëshe të zinxhirit të hoteleve Rafaelo. Në korrik 2025, një gjykatës ndaloi kompaninë mëmë të këtij resorti të kryente kontrata për qeverinë shqiptare sepse kishte përdorur informacion të rremë për të marrë ato kontrata.

Mund të pritej që marrëveshja me Shqipërinë të përballej me kritika nga Europa. Por jo. Pavarësisht ndërlikimeve ligjore, problematikave serioze me të drejtat e njeriut, kostove, si dhe mungesës së mbikëqyrjes, shumica e vendeve të BE-së dhe vetë Komisioni Europian janë kryesisht të interesuar për përpjekjet e kryeministres italiane Giorgia Meloni për të zhvendosur një pjesë të sistemit të azilit jashtë kufijve të Bashkimit Europian.
Në tetor, shtatëmbëdhjetë krerë qeverish europiane paraqitën një qasje të përbashkët për të përballuar “sfidat e migracionit të paligjshëm”. Sipas tyre, duhet të krijohen “partneritete të reja dhe inovative” me vende të tjera “për të përshpejtuar proceset dhe për të lehtësuar presionin e brendshëm”. Marrëveshja me Shqipërinë shihet si rasti ideal për ta testuar këtë qasje.
Meloni e kishte parashikuar këtë që në fillim. Gjatë një vizite në qendrat që po ndërtoheshin, ajo deklaroi se marrëveshja “ka një dimension të madh europian. Ajo mund të përsëritet në shumë vende dhe të bëhet pjesë e zgjidhjes strukturore të BE-së”.
Në fakt, liderët europianë po i japin Italisë gjithë hapësirën e nevojshme. Në muajt e fundit, për shembull, Komisioni Europian i është afruar gjithnjë e më shumë qëndrimit italian për çështjet ligjore që lidhen me këtë marrëveshje.
Kujtojmë padinë në Gjykatën Europiane, ku kolegët e gjyqtarit Albano pyetën nëse Italia mund të shpallë vende “pjesërisht të sigurta” për të dërguar azilkërkues në Shqipëri. Gjykata vendosi se jo. Por ajo që ishte edhe më interesante: Komisioni Europian, i cili zakonisht pyetet për interpretimin e ligjit europian në raste të tilla, u rreshtua papritur në krah të Italisë. Aq papritur, sa avokatët e përfshirë në çështje mbetën të befasuar.
Në opinionet e para me shkrim, të cilat Komisioni ua kishte shpërndarë të gjitha palëve përpara gjyqit, ai mbështeste gjyqtarin Albano: sipas ligjit europian, një vend mund të konsiderohet i sigurt vetëm në tërësinë e tij. Por gjatë seancës gjyqësore, një muaj më vonë, Komisioni ndryshoi qëndrim rrënjësisht, duke argumentuar se Italia mund të dërgojë azilkërkues në Shqipëri nga vende të shpallura pjesërisht të sigurta.
“Nuk kam parë kurrë një ndryshim kaq radikal qëndrimi”, thotë Dario Belluccio, një avokat migracioni me përvojë të gjatë, i pranishëm në sallën e gjyqit.
Kjo mund të lexohet si një shenjë se Komisioni Europian jo vetëm që është i interesuar për marrëveshjen, por edhe se dëshiron të bëjë gjithçka për ta funksionalizuar atë.
Eurodeputetja holandeze Tineke Strik ka një shpjegim për këtë: “Për më shumë se 20 vjet, qeveritë janë përpjekur të transferojnë azilin dhe kthimet jashtë BE-së, por këto përpjekje gjithmonë janë penguar nga barriera ligjore. Meloni e ka zhvendosur debatin në një zonë që më parë ishte politikisht dhe ligjërisht e paprekshme. Kishte një kufi – dhe ajo e ka thyer atë.”
“Me nisjen e operacioneve të protokollit Itali–Shqipëri, do të mund të mësojmë edhe nga kjo përvojë praktike”, shkroi Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Europian, në një letër drejtuar shteteve anëtare në tetor 2024. Interesante është se, në reagim ndaj këtij artikulli, Komisioni deklaroi se askush nga Komisioni apo nga Shërbimi Europian i Veprimit të Jashtëm (EEAS) nuk i kishte vizituar realisht qendrat për të nxjerrë këto “mësime”.
Megjithatë, pati një vizitë nga një delegacion i nivelit të lartë i Ministrisë së Jashtme të Holandës. Më 9 janar 2025, Holanda vizitoi qendrat në Shëngjin dhe Gjadër, sipas informacionit të siguruar përmes një kërkese për të drejtën e informimit. Një zyrtar i pranishëm gjatë vizitës e përshkroi qendrën në Gjadër si “gjigante”. Dokumentet tregojnë gjithashtu se qëllimi i vizitës ishte të diskutohej me autoritetet shqiptare për “zgjidhje inovative” dhe “hapa të mundshëm drejt një partneriteti apo bashkëpunimi migracioni”. Me fjalë të tjera, edhe Holanda dëshiron një marrëveshje me Shqipërinë.
Kërkesa për informacion përmbante dhjetëra përditësime të brendshme mbi marrëveshjen – me terma si “terra nova”, “pengesa (ligjore)” dhe “saga e qendrave shqiptare të migrantëve”. Kjo tregon se ministria holandeze e ka ndjekur nga afër këtë marrëveshje prej vitesh.
“Ju lutem, më mbani të informuar për zhvillimet, sepse besoj se ka mësime të vlefshme për t’u nxjerrë nga kjo!”, shkruante një zyrtar në shtator 2024. Dhe kur italianët nisën gjithashtu transferimin e migrantëve pa dokumente nga Italia në Shqipëri në mars 2025 (i ashtuquajturi “return hub”), një punonjës i Ministrisë së Jashtme shkroi për dhjetëra kolegë: “Mos vallë italianët do ta kenë qendrën e kthimit para nesh?”
Edhe ministritë e jashtme të Britanisë, Gjermanisë dhe Danimarkës kanë pranuar se disponojnë korrespondencë të gjerë dhe dokumente të brendshme lidhur me marrëveshjen Itali–Shqipëri. Edhe Zvicra ka shfaqur interes për të ndjekur modelin italian, sipas memorandumeve të brendshme.
Ky interes i madh lidhet edhe me faktin se të gjitha vendet e BE-së duhet të zbatojnë rregullat e reja të Paktit Europian të Migracionit deri në qershor 2026. Ky pakt ofron mundësi që përkojnë me idetë e Melonit. “Sigurisht që protokolli do të funksionojë kur Pakti i ri i migracionit dhe azilit të hyjë në fuqi”, tha Meloni nëntorin e kaluar. “Atëherë qendrat do të fillojnë të punojnë ashtu siç duhej që në fillim.”
Sipas Paktit të Migracionit, për shembull, do të jetë më e lehtë ndalimi i personave dhe do të ketë procedura të përshpejtuara kufitare për ata që kanë pak gjasa të përfitojnë azil. Do të lejohen përjashtime për grupe apo zona të vendeve që konsiderohen ndryshe “të sigurta”. Gjithashtu, shtetet anëtare do të lejohen të dërgojnë azilkërkues në vende jashtë BE-së me të cilat ata nuk kanë asnjë lidhje personale. Një marrëveshje me cilindo vend do të mjaftojë.
E njëjta gjë vlen edhe për kthimet: Pakti pritet të lejojë dëbimin e migrantëve të paligjshëm në vende jashtë BE-së, edhe nëse ata nuk kanë asnjë lidhje me to. Ideja e “qendrave të kthimit” – që do të ngrihen në vende të tjera përmes marrëveshjeve me shtete anëtare – është shumë e ngjashme me fazën e dytë të eksperimentit italian.
Nuk është rastësi që samiti i vitit të kaluar i Komunitetit Politik Europian u mbajt në Tiranë. Kryeministri shqiptar Edi Rama, që flet rrjedhshëm italisht, u ul në gjunjë në tapetin e kuq për të përshëndetur kryeministren Meloni. Kur kryeministri britanik Keir Starmer njoftoi se qeveria e tij dëshironte gjithashtu të ngrinte qendra kthimi për azilkërkuesit në vende të tjera, ai nuk mori të njëjtin pritje të ngrohtë. Rama u shpreh: “Disa vende na kanë pyetur nëse ishim të hapur për këtë dhe ne kemi thënë jo, sepse jemi besnikë ndaj martesës sonë me Italinë. Me të tjerët, është thjesht dashuri.”

Anëtarësimi në BE
Paradoksi i shpërblimit të Shqipërisë
Në maj 2025, një skenë gjigante u ngrit në sheshin Skënderbej në qendër të Tiranës. Një prezantues bërtet mbi tingujt e këngës “Welcome to the Jungle” të Guns N’ Roses: mirë se vini Simon Yates, Richard Carapaz, Olav Kooij! Yjet ndërkombëtarë të çiklizmit janë në Shqipëri për ceremoninë hapëse të edicionit të 108-të të “Giro d’Italia”, një nga garat më prestigjioze në botë.

Edhe pse nuk është e pazakontë që gara të nisë jashtë Italisë, zgjedhja e Shqipërisë këtë vit nuk është aspak rastësi. Është një ofensivë sharmuese ndaj kryeministrit Rama për ndihmën e tij në çështjen e migracionit – ose, siç do të thoshte ai vetë, për “martesën”.
Ajo që u mbajt me kujdes larg syve të audiencës televizive të Giro-s ishte një grup aktivistësh të pranishëm në shesh. Ata mbanin pankarta ku fjala “Giro” ishte kryqëzuar dhe zëvendësuar me “Torturë”: “Tortura d’Italia”. Pa asnjë dyshim, ata i referoheshin marrëveshjes së migracionit.

Një prej tyre ishte Fioralba Duma nga Shqipëria, e cila, në një kafene pranë podiumit të Giro-s, shpjegon se si protestimi kundër marrëveshjes po bëhet gjithnjë e më i vështirë. “Disa nga anëtarët tanë po shoqërohen në komisariate. Dhe nëna e njërës prej nesh, një nëpunëse civile, u pushua nga puna”, thotë ajo. “Ndërsa Rama bën fushatë me imazhin e pasaportës europiane, Shqipëria po përjeton një gërryerje të vazhdueshme të lirisë së shtypit dhe të lirive civile.”

Duma nuk është e vetmja që e vëren këtë përkeqësim. Qoftë “Reporterët pa Kufij”, “Transparency International” apo “Freedom House” – pothuajse çdo OJQ që studion gjendjen e shoqërisë civile ka konstatuar një rënie të Shqipërisë vitet e fundit. Kryeministri Rama është në pushtet prej dymbëdhjetë vitesh dhe është akuzuar për bashkëpunim me elita kriminale që përfitojnë nga trafiku i drogës, pastrimi i parave dhe korrupsioni në prokurimet publike. Disa nga aleatët e tij më të afërt politikë janë hetuar nga institucioni më i lartë antikorrupsion në vend.
Por kjo duket se nuk e shqetëson shumë Bashkimin Europian.
Përkundrazi, ka një shtysë për të përshpejtuar negociatat e anëtarësimit me Tiranën, kryesisht falë mbështetjes së Italisë. Sipas Melonit, marrëveshja e migracionit tregon “se Shqipëria tashmë po sillet sikur të ishte anëtare e Bashkimit Europian”. Në nëntor 2025, ajo organizoi samitin e parë mes Italisë dhe Shqipërisë në Romë, një ditë që e quajti “historike”. Qëllimi ishte “identifikimi i përbashkët i sektorëve specifikë me vlerë të shtuar të lartë për të mbështetur procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE”.
Është e lehtë të hamendësohet se cilët janë këta “sektorë”: migracioni dhe kontrolli i kufijve. “Shqipëria pranoi marrëveshjen e migracionit sepse ajo kontribuon, të paktën pjesërisht, në një proces më të butë negociatash për anëtarësim”, thotë eurodeputetja Tineke Strik. “Të gjitha vendet e Ballkanit e dinë shumë mirë se çfarë është më e rëndësishme për BE-në: të ndihmojnë në reduktimin e hyrjeve të parregullta në territorin europian.”

Formalisht, vijon Strik, “garancitë për sundimin e ligjit janë ndër kriteret më të rëndësishme për anëtarësim. Por realiteti është ndryshe, dhe një pjesë e madhe e fondeve të dedikuara për këtë qëllim përfundon duke forcuar sistemin e dëbimeve dhe kontrollit kufitar.”
Paradoksi është i qartë: BE po përpiqet ta zhvendosë sistemin e saj të azilit jashtë kufijve të vet, ndërsa u thotë këtyre vendeve se një ditë mund të bëhen pjesë e BE-së.

E ardhmja e migracionit në Europë
Të mbyllur në një limbo ligjore
“Opaciteti është themeli i këtij projekti”, kështu e përmbledh deputetja italiane Rachele Scarpa marrëveshjen e migracionit. Ajo e përshkruan situatën si një “errësirë informative”. “Jemi të detyruar të luajmë rolin e detektivit.”
Scarpa viziton rregullisht qendrat e ndalimit për migrantët në territorin italian. “Asnjëherë më parë nuk më është fshehur kaq shumë informacion bazë”, thotë ajo. Ajo nuk arrin të mësojë as numrin e të ndaluarve dhe as kombësitë e tyre. Ajo që ndodh në anijet që transportojnë migrantët drejt Shqipërisë është një “kuti e zezë” e plotë.
As Avokatja e Popullit e Shqipërisë, Erinda Ballanca, nuk ka mundur ta hapë këtë kuti. “Për ekzistencën e protokollit mësuam vetëm kur u bë publik në konferencën për shtyp”, thotë ajo me ton të qetë. Menjëherë thirri ekipin për të analizuar tekstin. “Ishte atipik”, shprehet ajo. “Na duhej kohë për të vlerësuar nëse cenonte të drejtat e migrantëve.”
Ballanca, një juriste me përvojë, e nisi karrierën si pjesë e ekipit që hartoi Kushtetutën shqiptare në vitin 1998. Ajo shpreh keqardhje që “protokolli u negociua dhe u nënshkrua pa një diskutim të gjerë dhe transparent”. Muaj pas transferimit të parë të azilkërkuesve në qendrat e reja, ajo ende nuk ka mundur të kryejë një vizitë inspektimi – një nga detyrat formale të institucionit që drejton. Dhe ende nuk e di nëse Kushtetuta shqiptare zbatohet për personat e ndaluar nën mbikëqyrjen italiane.
Të njëjtat pengesa i hasëm edhe ne gjatë hetimit tonë. Me përjashtim të një turi të rreptë për median, të organizuar para hapjes së qendrave, gazetarëve nuk u është lejuar të vizitojnë Gjadërin. Kërkesa jonë për akses u përball me heshtje nga autoritetet italiane. E dimë se kërkesa u mor, por nuk ka afat kohor për përgjigje. Shumë nga kërkesat tona për dokumente nga Italia dhe BE-ja mbetën pa përgjigje ose u përfshinë në vonesa administrative.
Si mund të jetë kjo marrëveshje një model, kur gjithçka mbahet kaq sekret?

Edhe për këtë Scarpa ka një shpjegim: “Është teatër i pastër qeveritar, ku shkeljet e të drejtave të njeriut janë funksionale për një operacion propagandistik.” Një demonstrim force, për të treguar sa e ashpër është Italia ndaj migracionit.
Sepse çfarë zgjidh realisht kjo marrëveshje? Deri tani, projekti shqiptar nuk ka pasur asnjë ndikim në numrin e mbërritjeve në Itali, as në efikasitetin e sistemit italian të azilit. Nuk është çudi që qendra kryesore europiane e studimeve CEPS e quan marrëveshjen një “praktikë më të keqe” në politikat e migracionit dhe azilit. “Duhet parë si një jo-model”, shkruajnë studiuesit e CEPS, “pasi është e prekur nga paligjshmëri dhe pamundësi të thella që minojnë si arsyetimin, ashtu edhe zbatimin e saj”.
Gradualisht, na u bë e qartë: racionaliteti nuk është kriteri me të cilin duhet gjykuar kjo marrëveshje. Nuk bëhet fjalë për përdorimin më efikas të parave apo për procedurën më të shpejtë të azilit. Mbi të gjitha, kjo marrëveshje është një model për mënyrën se si gërryhen të drejtat e njeriut, minohet sundimi i ligjit në Europë dhe normalizohen qëndrimet e ekstremit të djathtë ndaj migracionit.
Këto janë ndalime në një limbo ligjore, aq komplekse sa as vetë avokatët nuk i kuptojnë plotësisht, në vende larg syrit të publikut, ku njerëzit mbahen në kundërshtim me ligjin europian, nën petkun e një procedure të drejtë azili.
Dhe nëse nuk tregojmë kujdes, kjo është e ardhmja e azilit në Europë.
Ky artikull u botua fillimisht në gjuhën holandeze. Përkthimi në anglisht u realizua nga Maite Vermeulen dhe Michiel de Hoog, me përdorimin e softuerit të përkthimit DeepL.






















