Politika 17 March 2026, 10:25 Nga VNA

Paradoksi i Berishës/ Flet për Trump, por bojkoton rezolutën kundër Iranit

Ndaje në Whatsapp
Paradoksi i Berishës/ Flet për Trump, por bojkoton rezolutën

Në një shkrim të Washington Post thuhet se administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka nisur një fushatë diplomatike për të shtyrë qeveritë në mbarë botën që të izolojnë më tej strukturat kryesore të regjimit iranian.

Sipas gazetës amerikane, në një kabllogram diplomatik të dërguar të hënën në të gjitha misionet diplomatike amerikane, Departamenti i Shtetit u ka kërkuar ambasadave dhe konsullatave të SHBA që t’u bëjnë thirrje qeverive pritëse të shpallin Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) dhe Hezbollahun në Liban si organizata terroriste.

Kabllogrami, i shqyrtuar nga Washington Post, udhëzon diplomatët amerikanë që këtë mesazh ta përcjellin deri të premten “në nivelin më të lartë të përshtatshëm” të qeverive ku janë akredituar. Në dokument thuhet gjithashtu se përfaqësitë diplomatike amerikane duhet të koordinohen, sipas rastit, edhe me diplomatët izraelitë për të shtyrë përpara këtë nismë.

Në këtë kontekst duket se zhvillohet edhe seanca e sotme në Kuvendin e Shqipërisë, ku pritet të miratohet një rezolutë që dënon regjimin iranian dhe kërkon shpalljen e IRGC si organizatë terroriste.

Nëse Edi Rama njihet për lëvizje të tilla servile – sidomos në një moment kur situata e tij e brendshme është bërë gjithnjë e më e vështirë në raport me SPAK – shumë më e çuditshme është sjellja e Sali Berishës.

Prej muajsh ai ka trumpetuar fort se me ardhjen e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë marrëdhëniet e Partisë Demokratike me SHBA do të hynin në një fazë të re, në nivelin më të lartë të bashkëpunimit politik. Madje, Berisha pagoi shumë shtrenjtë – mbi 6 milionë dollarë – për të angazhuar si këshilltar të fushatës së 11 majit vetë Chris LaCivita-n, një nga strategët kryesorë të fushatës së Donald Trump.

Kjo lëvizje u përdor nga Berisha si dëshmi e afrimit të ngushtë me administratën Trump, pas periudhës së acartë me administratën Biden, e cila kulmoi me shpalljen e tij “non grata”.

Logjikisht, në këtë kontekst, flamurin e mbështetjes amerikane në Shqipëri do të duhej ta mbante pikërisht Partia Demokratike dhe Sali Berisha. Por zhvillimet e fundit tregojnë të kundërtën.

Në një moment delikat për SHBA, në mes të një përballjeje të hapur me Iranin, kur rreshtimi i aleatëve bëhet edhe më i dukshëm dhe më i domosdoshëm, Sali Berisha po zgjedh të mos rreshtohet.

Bojkoti i seancës së sotme parlamentare – dhe sidomos justifikimet e përdorura për të – tingëllojnë të dobëta dhe të sforcuara. Argumente të tipit “seancë e paligjshme sepse është thirrur ditën e martë dhe jo të enjten” apo “seancë për axhendë private të Edi Ramës” nuk shpjegojnë dot thelbin politik të vendimit.

Sepse, në thelb, bëhet fjalë për një zhvillim që lidhet drejtpërdrejt me një iniciativë të administratës Trump për të shtyrë aleatët drejt një pozicionimi të qartë ndaj regjimit iranian.

Në këtë kuptim, Edi Rama ka nxituar të kapë momentin dhe të pozicionohet në linjë me kërkesën amerikane. Ndërsa Sali Berisha, me bojkotin e sotëm, i jep një kuptim politik mospjesëmarrjes së tij në këtë votim.

Sepse kur është e qartë se nuk bëhet fjalë për një iniciativë personale të Edi Ramës, por për një zhvillim që lidhet me presionin diplomatik të administratës Trump, mungesa në votim lexohet automatikisht si një distancim nga kjo linjë.

Dikush mund të shkojë edhe më tej dhe ta interpretojë këtë sjellje si një rreshtim indirekt “pro” Iranit. Një perceptim i tillë do ta vendoste Berishën dhe Partinë Demokratike në një pozicion të vështirë, si në politikën e brendshme ashtu edhe në arenën ndërkombëtare, veçanërisht në raportet me SHBA.

Në sytë e publikut shqiptar – dhe sidomos të mbështetësve të vet – Berisha do të dukej si një figurë politike e papërfillshme për administratën Trump. Një goditje e fortë për narrativën që ai ka ndërtuar gjatë një viti, sipas së cilës rikthimi i Trump në pushtet do të sillte shumë shpejt edhe rikthimin e PD në pushtet në Shqipëri.

Në të njëjtën kohë, edhe në raportet me SHBA, pozita e Partisë Demokratike do të rrezikonte të përkeqësohej ndjeshëm. Një parti dhe një lider politik që mbeten jashtë kësaj linje rreshtimi do të perceptoheshin si të pabesueshëm dhe të parëndësishëm për administratën amerikane.

Arsyet reale të këtij qëndrimi të Berishës nuk janë ende të qarta. Por një gjë mund të thuhet me ironi: ato 6 milionë dollarë të paguara Chris LaCivita-s do të kishin vlejtur qoftë edhe për një telefonatë, në një moment kaq delikat si ky i sotmi.

Video

Punojmë 8 orë në shtet…pastaj të gjithë te Spitali Amerikan

Pas përfundimit të protestës para Kryeministrisë, qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët kryesore të Tiranës.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky zhvilloi takimin e tij të parë me kryeministrin e ri të Britanisë së Madhe në bordin e aeroplanmbajtëses HMS Queen Elizabeth, në bazën detare të Portsmouthit. Gjatë bisedës, kryeministri britanik rikonfirmoi mbështetjen për Ukrainën, ndërsa Zelensky ftoi kryeministrin të vizitojë vendin e tij.

Të paktën dy persona humbën jetën pasi një automjet u godit nga një sulm ajror në Deir al-Balah, në qendër të Rripit të Gazës. Sipas raportimeve, sulmi u krye nga forcat izraelite, ndërsa viktimat ishin dy zyrtarë të sigurisë së Hamasit. Ushtria izraelite konfirmoi se kishte në shënjestër një militant të Hamasit.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme