Prej vitesh, shërbimi Onkologjik në QSUT është kthyer në simbolin më brutal të krizës së shëndetësisë publike në Shqipëri. Radhë të gjata pacientësh, mungesa medikamentesh, pritje të pafundme për radioterapi dhe dëshmi tronditëse nga familjarë që tregojnë se beteja me kancerin shpesh nis duke luftuar fillimisht me sistemin. Vetëm pak muaj më parë, skandalet dhe denoncimet për gjendjen në Onkologjik rikthyen në qendër të debatit pyetjen se si është administruar për vite një nga shërbimet më jetike të vendit.
Në këtë sfond, ministrja e Shëndetësisë dhe drejtuesit e QSUT-së dolën sërish para kamerave për të prezantuar vënien në funksion të plotë të Akseleratorit të 3-të Linear në shërbimin Onkologjik, ku sipas njoftimit zyrtar është trajtuar me sukses edhe pacienti i parë.
Sipas autoriteteve, investimi rrit kapacitetet e Njësisë së Radioterapisë dhe përmirëson ndjeshëm cilësinë e trajtimit për pacientët onkologjikë, falë teknologjive moderne dhe teknikave me precizion të lartë. Ndërkohë, është paralajmëruar edhe ardhja e brankiterapisë dhe Akseleratorit të 4-të Linear.
Por problemi nuk është aparatura. Çdo investim në Onkologjik është i domosdoshëm dhe i vonuar për një shërbim që për vite ka funksionuar nën presion ekstrem. Problemi është kontrasti brutal mes propagandës televizive dhe realitetit që pacientët tregojnë çdo ditë jashtë kamerave.
Sa herë ministrja dhe drejtoresha e QSUT-së bëjnë xhiron propagandistike në korridoret e spitalit, nuk duket asnjë fluks, asnjë tension, asnjë pacient i revoltuar. Korridoret janë të pastra, shërbimi duket perfekt dhe gjithçka ngjan si një reklamë institucionale. Por mjafton të flasësh me familjarët e pacientëve për të dëgjuar një tjetër histori: pritje të gjata, lodhje psikologjike, mungesa dhe ndjenja se sistemi kujtohet për ta vetëm kur hapen kamerat.
Në vend që Onkologjiku të ishte shembulli i reflektimit pas gjithë denoncimeve dhe traumës publike që ka prodhuar ky shërbim, ai vazhdon të përdoret si sfond propagande politike. Dhe kjo e bën edhe më të rëndë perceptimin publik: sepse përballë një sëmundjeje si kanceri, njerëzit kërkojnë besim dhe dinjitet, jo regji televizive.






















