
Situata në seancën parlamentare të kësaj të enjteje shpërfaqi edhe një moment tensioni brenda mazhorancës, konkretisht mes kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi dhe deputetit socialist, Ulsi Manja.
Përplasja mes dy përfaqësuesve të PS-së nisi që në minutat e para të seancës, kur Manja kërkoi fjalën për t’iu përgjigjur deklaratave të bëra nga Sali Berisha. Megjithatë, Peleshi refuzoi t’ia jepte fjalën, ndërsa i kërkoi deputetit që t’i drejtohej me respekt dhe jo në mënyrë shoqërore, duke e thirrur në emër.
Përgjigjen, Manja e rezervoi më vonë nga foltorja e Kuvendit, ku nuk kurseu ironitë ndaj kryeparlamentarit, duke i thënë se preferoi cinizmin me mikrofon në vend të ndjesës së tij pa mikrofon.
“Zoti kryetar i Kuvendit, meqë qëparë nuk ma dhe fjalën për të konsumuar minutat e mia për t’iu përgjigjur Sali Berishës për akuzat që bëri, të paktën të të kërkoja dhe ndjesën me mikrofon, se të ula gradat që ke. Dhe preferove që në vend të ndjesës publike time me mikrofon, të dominojë cinizmi yt me mikrofon, dua të të kujtoj se fuqia e ndjesës edhe pa mikrofon është shumë më e fortë sesa cinizmi i kujtdo në raport me kolegët këtu në këtë sallë”, tha Manja.
Deputeti socialist madje nuk nguroi t’i tregojë Peleshit se e njeh më mirë se ai rregulloren e Kuvendit, ndërsa në fund tensionin mes tyre u përpoq ta justifikonte si pasojë e përplasjes politike të zhvilluar më herët me Berishën.
“Unë e njoh rregulloren e Kuvendit, zoti kryetar i Kuvendit, edhe për shkak të përvojës time si deputet, edhe si kryetar i Komisionit të Ligjeve. Kur ka çështje për diskutim me minutazh të përcaktuar, sigurisht nuk lejohet replika, por ama e drejta për të ndryshuar radhën me kolegët e mi të grupit parlamentar, në mirëkuptim me kolegun dhe me mirëkuptimin me ty si kryetar Kuvendi, ekziston sipas rregullores së Kuvendit. Por ju nuk e patët këtë mirëkuptim dhe ke mirëkuptimin tim të plotë, sepse nuk është kollaj të përballesh me një dinozaur politik si Sali Berisha”, u shpreh Manja.
Përplasja Peleshi-Manja i shtohet tensioneve të fundit të evidentuara brenda socialistëve, pas episodeve Rama-Spiropali-Balluku dhe Braçe-Manastirliu, duke reflektuar një klimë të ndezur brenda mazhorancës.






















