
Detaje tronditëse kanë dalë nga dëshmia e të penduarit të drejtësisë Artan Tafani, i cili ka rrëfyer para SPAK planin për eliminimin e Rexhep Ginës, përgatitjet, armët, maskimet dhe lëvizjet që sipas tij janë bërë nga grupi i Laert Haxhiut. Në dëshminë e tij, Tafani përshkruan se si ishte maskuar si grua me paruke bjonde, maskë plastike dhe make-up për t’iu afruar lokalit të Ginës pa rënë në sy, ndërsa tregon edhe atmosferën e frikës dhe terrorit që, sipas tij, ekzistonte brenda grupit kriminal.
Çështjen e Rexhep Ginës më tha që donte ta vriste, pasi Laerti kishte çështje që tek koha e Aldo Bares dhe po ashtu edhe çështje pro Nash. Rexhep Gina ruhej nga Laerti, pasi e kishte frikën se mos e vrisnin. Rexhep Gina pinte kafe aty dhe kalon Lili Lala, i bënte video. Më pas kam dëgjuar në lajme që e kishte Lorenci. Kishte kohë që e vëzhgonte Rexhep Ginën, pastaj kohët e fundit i vendosi një çun, që nuk arrita t’ia mësoja emrin. Ky çuni e vëzhgonte çdo ditë Rexhep Ginën. Nuk e kam parë kurrë në foto vëzhguesin. E dashura e Lulëzimit shkonte i dërgonte vëzhguesit chat-emailin për të komunikuar. Vëzhguesi ishte në Lushnjë. Laerti thoshte që donte ta vriste dhe nuk donte të shpëtonte.
“Në fund do shkoja unë me Lulëzimin për ta vrarë Rexhep Ginën. Dy ditë para se të arrestohej kishin filluar që të fliste me një çun nga Kuçova, Fatjon Veliun. Kemi shkuar, kemi ngrënë një drekë në Peqin, unë, Fatjon Veliu dhe Laerti. Pasi u arrestua Lulëzimi, nga shtëpia kemi ikur dhe po rrinim në një hotel. Pastaj kemi ikur në Sarandë, kemi qëndruar një javë në Sarandë. Në fillim ai e afroi Fatjonin që ta mbante punë.
Ne morëm masat për të vrarë Ginën. Kishim një kallashnikov të shkurtër dhe një pistoletë të vogël që e rregulluam. Do iknim me makinën që kishim vjedhur tek Palmanova. Kemi vendosur një maskë plastike nga e dashura e Laertit, po ashtu edhe ca gjëra nga e dashura e Lulëzimit. Kemi marrë dy paruke bjonde. Me fustan të gjatë jam veshur unë si grua. Vendosa maskën dhe më lyu e dashura e Laertit me make-up. Kemi shkuar të nesërmen për të vrarë Rexhep Ginën. Në atë kohë në shtëpi mbanim atë djalin që u arrestua me Laertin në Greqi.”
Tafani tregoi se ditën që u nisën për të kryer vrasjen kishin me vete kallashnikovin me dy krehër, ku njëri ishte me 40 fishekë.
“Fatjon Veliu ishte në Kuçovë dhe do takoheshim rrugës, ndërsa Laerti është nisur me një makinë tjetër. Më pas në Lushnjë kam marrë Fatjon Veliun. Kemi dalë nga Lushnja, kemi hyrë në Peqin. Gjatë dy viteve që kam nejt me Laertin i kishim mësuar të gjitha rrugët e fshatrave mes Lushnjës dhe Peqinit, se aty i kishim bërë gati. Ne ishim afër qytetit, nuk ishte larg, po prisnim urdhrin e Laertit për t’u nisur për tek Rexhep Gina. Unë isha veshur, isha bërë gati. Fatjon Veliu nuk donte që të vinte, dridhej pasi ai kishte hallet e veta. Unë do qëlloja nga pas, ndërsa Fatjoni do ishte shofer. Na thotë Laerti që nisuni, se i kishte shkruar vëzhguesi.”
Sipas Tafanit, gjatë rrugës Laerti kishte filluar t’i bërtiste për shkak të çelësave të një garazhi në Kavajë.
“Laerti filloi të më bërtiste, pse po shante, se më kishte shkruar që të lija çelësat tek një lokal në Kavajë, çelësat e garazhit. Sepse unë nuk munda që ta hapja telefonin se do i jepja makinës. Isha i mërzitur që ky më shau.”
Më tej ai përshkruan momentin kur iu afrua lokalit të Rexhep Ginës i maskuar si grua.
“Na shkruan Laerti që nisuni. Unë isha veshur me maskën plastike, kisha një fustan të zi të gjatë, atlete të zeza, paruken bjonde, maskën e lyer dhe një xhaketë. Kallashnikovin e kisha lidhur me një rrip. Ndërsa Fatjoni që ishte në timon e kishte fustanin ngjyrë kremi. Kur zbres nga makina futem mes pallateve dhe dal aty përballë lokalit të tij. Ai ishte vetëm në lokal, po pinte kafen. E pashë se ishte veshur, se i kisha infot nga vëzhguesi. Një mendje më thoshte të mos e bëja, por kaloj njëherë para lokalit, se doja ta shikoja tamam. Njëri nga ata sa më pa mua u ngrit në këmbë dhe më pa si i trembur. Ata u trembën se dukesha më shumë si e çmendur sesa si një grua.
Pasi dola nga aty i them Laertit që nuk e gjeta aty, se ai kishte ikur. Laerti më pas kthen vëzhguesin për të parë dhe ai nuk ishte më aty, se siç duket ishte futur brenda në lokal. Më pas u larguam. Më pas më shkruan dhe më thotë: po paska ikur. Lë Fatjonin aty ku e mora dhe u ktheva për shtëpi, për Tiranë.”
I pyetur nga SPAK se çfarë dinte për Rexhep Ginën, Tafani deklaroi:
“Kishte një lokal aty, e kishte të vetin dhe ishte 24-orësh. Unë e kisha parë në një video të ’97, se njihja. Më pas Laerti iku jashtë.”
Në dëshminë e tij, Tafani foli edhe për frikën që sipas tij ushtronte Laert Haxhiu ndaj njerëzve që e rrethonin.
“Ai njeri ishte i frikshëm. Jetonim në terror se na shante, na rrihte, edhe mund të na vriste. Sa zgjohesha në jetën time më frikë. Me mua sillej pak më mirë se isha edhe më i madh si moshë, por jetonim nën terror prej tij. Por unë kisha vrarë tre veta dhe ma kishte pak më shumë hatrin.”
Tafani rrëfeu edhe një episod tjetër që lidhej me vendosjen e një gjobe ndaj një biznesmeni në Lushnjë.
“Ne i kishim vënë gjobë një biznesmeni në Lushnjë, një djali me emrin Enea, mbiemrin s’ia mbaj mend. Unë rrija aty. I kemi kërkuar 1 milion euro. Ky biznesmeni kishte probleme me ca gangot, Land Shyti, i thonë ‘Mustaqe Kuqi’. Ata ishin vrarë e prerë. Laerti kërkonte biznesmenin ta kapte. Si përfundim ai erdhi vetë, kërkoi ndihmë pasi kishte probleme me ‘Mustaqe Kuqin’.
Ne e marrim biznesmenin dhe dalim në dalje të Tiranës. E marrim e dërgojmë në një rrezë mali dhe Laerti i vendosi 1 milion euro gjobë. Biznesmeni 100 mijë euro ia dha dhuratë atij djalit që e njohu me Laertin. Ne i morëm atë ditë 120 milion lekë. Domethënë atij biznesmeni në total ia kemi marrë 360 mijë euro. Ai është Enea, por mbiemrin s’ia kujtoj.”






















