Politika 24 Dhjetor 2025, 17:42 Nga VNA

Gruaja në hije e një shteti digjital të kapur: si Mirlinda Karçanaj administroi miliona, i mbijetoi skandaleve dhe u mbrojt deri në ndërhyrjen e SPAK

Ndaje në Whatsapp

Gruaja në hije e një shteti digjital të kapur: si Mirlinda

Zyrtarja më e lartë grua e shtetit shqiptar e arrestuar deri më tani, Mirlinda Karçanaj, ka qenë për vite me radhë një nga figurat më të fuqishme të pushtetit, pikërisht sepse nuk dukej. Në një qeverisje të mbushur me zëra të lartë, dalje publike dhe protagonizëm politik, thënë ndryshe me propagandë, ajo zgjodhi, ose iu kërkua, profili i ulët. Pa intervista, pa debate, pa ekspozim. Një pushtet që funksiononte në heshtje. Por edhe ky, siç rezulton sot, ishte një pushtet i sponsorizuar.

Para se të shfaqej para derës së SPAK-ut dhe me përjashtim të një konference të vetme për shtyp në krah të kryeministrit, Karçanaj ishte një emër i panjohur për publikun e gjerë. Por jo për sistemin. Jo për ata që kalonin nëpër filtrat e tenderave. Jo për ata që përballeshin me infrastrukturën digjitale të shtetit shqiptar.

Emri i saj lidhet me pothuajse të gjitha krizat madhore të administratës digjitale të viteve të fundit: vjedhjen e të dhënave personale të qytetarëve dhe përdorimin e tyre për qëllime elektorale, rënien e sistemeve shtetërore pas sulmeve kibernetike, rrjedhjen e pagave të qindra mijëra punonjësve dhe dobësimin e thellë të sigurisë së informacionit në nivel kombëtar. Një seri skandalesh që do të kishte rrëzuar çdo drejtues tjetër, por jo atë.

Pyetja që ka qarkulluar për vite me radhë është e thjeshtë dhe shqetësuese: si arriti të mbijetojë kaq gjatë Mirlinda Karçanaj në një sistem që zakonisht konsumon shpejt figurat e tij? Përgjigjet e thjeshta, afërsia familjare, lidhjet e interesit, tenderat, nuk mjaftojnë.

Lidhja e saj me qendrën e pushtetit është shumë më e hershme dhe lidhet drejtpërdrejt me Edi Ramën. Ajo nis në Bashkinë e Tiranës, në vitet kur Rama nuk po ndërtonte vetëm një administratë, por një rreth të ngushtë besimi. Në atë kohë, Karçanaj nuk ishte thjesht drejtoreshë e Teknologjisë së Informacionit. Ajo ishte pjesë e një rrethi të vogël njerëzish që kishin akses të drejtpërdrejtë te kryetari i bashkisë edhe në momentet më të tensionuara. Një figurë që hynte pa trokitur dhe fliste kur të tjerët heshtnin.

Kur Rama humbi bashkinë, ajo u largua me të. Kur Rama u rikthye në pushtet, ajo ishte ndër të parat që u rikthye në administratë. Besnikëria shpërblehej.

Moment kyç në ngritjen e saj absolute ishte viti 2017, kur Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit kaloi nën varësi direkte të kryeministrit. Me këtë lëvizje, të gjithë tenderat e IT-së së shtetit shqiptar u përqendruan në një dorë të vetme. Në emër të luftës kundër korrupsionit të vogël, u ndërtua infrastruktura e korrupsionit të madh, që arkëtonte miliona dhe që, siç dëshmon dosja e SPAK, abuzohej po me miliona.

AKSHI, nën drejtimin e Karçanajt, u shndërrua në portën e vetme për çdo investim digjital të qeverisë. Nga blerja e pajisjeve deri te sistemet kombëtare, gjithçka kalonte aty. Një kopsht milionash ku qarkulluan qindra milionë euro, larg vëmendjes publike, por jo larg interesave, ku bashkë vjedhjet gatuheshin dhe pengmarrjet e stilit mafioz merrnin formë.

Dosja e SPAK, që çoi në arrestin shtëpiak të Karçanajt për shkelje të barazisë në tendera dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, zbardh një mekanizëm të qartë: tenderë të paracaktuar, kritere të ndërtuara sipas fituesve, fryrje fondesh dhe presion ndaj atyre që kundërshtonin. Në përgjime përmenden shifra që dyfishohen, role që ndahen dhe një logjikë e grabitjes së organizuar që nuk mund të funksiononte pa garanci politike.

Në këtë pikë, në skenë hyn edhe narrativa opozitare. Pas mitingut të 22 dhjetorit, Sali Berisha e përshkroi Karçanajn thjesht si një viktimë të Edi Ramës. Një figurë e futur shpejt në përplasjen politike, pa u ndalur te roli real që ajo kishte pasur në arkitekturën e pushtetit. Edhe opozita, në daljet e saj publike, ka zgjedhur shpesh të përqendrohet te “baxhanaku” apo te Ergys Agasi, ndërsa emrin e Mirlinda Karçanajt e ka përmendur me kursim, si një emër që nuk duhet zmadhuar.

Këtu gjendet edhe përgjigjja e një pyetjeje tjetër: pse Mirlinda Karçanaj nuk hyri kurrë në politikë, ndryshe nga shumë ambicioze të tjera të oborrit kryeministror? Përgjigjja është e thjeshtë. Në një arkitekturë të tillë, hyrja në politikë do të ishte rrezik, jo avancim. Do të sillte dritë aty ku duhej errësirë, përgjegjësi aty ku duhej imunitet dhe pyetje aty ku gjithçka duhej të kalonte si procedurë teknike. Prandaj profili i ulët nuk ishte zgjedhje personale, por kusht funksional i skemës.

Kjo shpjegon edhe pse, kur skandali shpërtheu, narrativat u ndanë me kujdes. Opozita foli fort për emra që mishërojnë lidhjen e drejtpërdrejtë me botën e errët, ndërsa përmendi me kursim figurën që administronte portën e milionave. Sepse në skema të tilla, ndërmjetësi shihet, menaxheri mbrohet.

Në këtë skemë, Mirlinda Karçanaj nuk ishte thjesht një drejtore që firmoste. Ajo ishte nyja ku bashkoheshin paratë, sistemet dhe garancia politike.

Prandaj Mirlinda Karçanaj nuk kishte pse të hynte në politikë. Ajo ishte pjesë e një pushteti që nuk voton, nuk debaton dhe nuk matet me zgjedhje, por funksionon në prapaskenë përmes besimit, parasë dhe mbrojtjes politike. Një pushtet që nuk rrëzohet në kuti votimi, por vetëm në momentin kur drejtësia arrin të prekë fijet që e mbajnë.

Video

Kosova do të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme brenda 45 ditësh, pasi Kuvendi dështoi të zgjedhë presidentin e ri të Republikës. Seancat e njëpasnjëshme kanë dështuar për shkak të mungesës së kuorumit, pasi opozita nuk ka marrë pjesë në votim. Në sallë kanë qenë vetëm deputetët e shumicës parlamentare, ndërsa LDK, PDK, AAK dhe Lista Serbe kanë bojkotuar procesin.

Një breshkë e llojit Caretta caretta është gjetur e ngordhur në bregdet, me dëmtime të rënda në pjesën e kokës. Dyshohet se ajo është goditur nga helikat e një anijeje, duke pësuar plagë serioze që i kanë shkaktuar ngordhjen. Breshka është konstatuar nga qytetarë që ndodheshin pranë bregut të detit.

Në Libanin jugor, dronët-bombë të Hezbollah po krijojnë probleme serioze për ushtrinë izraelite. Pamjet tregojnë një sulm ndaj një helikopteri Blackhawk që kishte shkuar për të marrë të plagosurit nga një pritë me dronë, ku një ushtar u vra dhe gjashtë të tjerë u plagosën. Teksa helikopteri po ulej, dy dronë u afruan dhe shpërthyen pranë tij, ndërsa ushtarët izraelitë hapën zjarr për t’i rrëzuar. Hezbollah thuhet se po shton përdorimin e këtyre dronëve, ndaj të cilëve Izraeli ende nuk ka kundërmasa efektive.

Një problem i vogël për Laura Pausini gjatë koncertit live në Quito, në Ecuador. Popstarja ndërpreu koncertin dhe kërkoi t’i sillnin oksigjen. Një pengesë e vogël, me shumë gjasa e lidhur me lartësinë e qytetit (rreth 2800 metra mbi nivelin e detit), e cila mund të shkaktojë probleme të tilla, sidomos kur je i ekspozuar ndaj një stresi fizik si ai i një koncerti live. Këngëtarja e mori situatën me humor dhe, me maskën e oksigjenit në gojë, iu drejtua publikut duke pyetur: “A mund të flitet kur e mban këtë, apo është më mirë jo?”

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme