Politika 23 Dhjetor 2025, 21:32 Nga VNA

“Shqiptarët minoritet në RMV”/ Gafa e Spiropalit shkakton reagime në Shkup

Ndaje në Whatsapp

“Shqiptarët minoritet në RMV”/ Gafa e Spiropalit shkakton

VNA një ditë më parë raportoi gafën e ministres, Elisa Spiropali, gjatë vizitës së saj zyrtare në Maqedoninë e Veriut. Por gafa duket se ka shkaktuar reagime edhe në opinionin publik shqiptar në RMV. Media maqedonase "Iliria News Agency", i ka kushtuar një artikull debatit që ka shkaktuar Spiropali duke i quajtur shqiptarët në shtetin fqinj si pakicë.

Artikulli i plotë: 

Një deklaratë e Ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali, gjatë vizitës së saj zyrtare në Maqedoninë e Veriut, ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik dhe në qarqet akademike, për shkak të terminologjisë së përdorur lidhur me statusin e shqiptarëve në këtë shtet.

Gjatë takimeve të nivelit të lartë, Spiropali foli për “reciprocitet në trajtimin e minoriteteve”, duke i përmendur shqiptarët e Maqedonisë së Veriut në të njëjtin kontekst me pakicën maqedonase në Shqipëri. Ky formulim u interpretua nga një pjesë e opinionit si devijim nga realiteti juridik dhe politik, sipas të cilit shqiptarët në Maqedoninë e Veriut konsiderohen popullsi shtetformuese dhe faktor kushtetues, në përputhje me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit.

Në reagim ndaj kësaj deklarate, gazetarja dhe avokatja Dijana Toska kërkoi publikisht një sqarim zyrtar nga institucionet e shtetit shqiptar. Ajo theksoi se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut nuk janë minoritet, por përbëjnë mbi 30 për qind të popullsisë dhe kanë rol themelor në shtetndërtimin dhe qeverisjen e vendit. Sipas Toskës, çdo relativizim i këtij statusi përbën një gabim serioz politik dhe historik, duke rrezikuar legjitimimin e narrativave që minimizojnë rolin e shqiptarëve në këtë shtet.

“Nuk bëhet fjalë për favor, por për respektim të statusit real politik dhe kushtetues të shqiptarëve. Reciprociteti aplikohet mes pakicave, jo mes një pakice dhe një populli shtetformues”, thuhet në reagimin e saj.

Ndërkohë, një qasje ndryshe ofroi profesori universitar i së drejtës kushtetuese, Prof. Dr. sc. Jeton Shasivari, i cili vlerëson se kërkesa për sqarim nuk duhet drejtuar Tiranës, por institucioneve dhe partive politike në Maqedoninë e Veriut.

Sipas Shasivarit, përdorimi i termit “pakicë kombëtare” për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut buron nga një deklaratë zyrtare e depozituar në vitin 2004 nga Qeveria e atëhershme e Shkupit në Këshillin e Evropës, në kuadër të Konventës Kornizë për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare. Në këtë deklaratë, termi “pakicë kombëtare” zbatohet edhe për shqiptarët, pavarësisht se Marrëveshja e Ohrit dhe ndryshimet kushtetuese të vitit 2001 nuk e përdorin këtë terminologji, por flasin për “komunitete që nuk janë shumicë”.

“Kjo deklaratë u bë nga pushteti i atëhershëm për të përmbushur afatet e implementimit të Marrëveshjes së Ohrit dhe i dha statusin e pakicës kombëtare shqiptarëve me ‘tapi’ ndërkombëtare dhe kushtetuese”, thekson Shasivari, duke shtuar se përgjegjësia kryesore për këtë realitet qëndron te aktorët politikë vendorë.

Debati i hapur pas deklaratës së Spiropalit ka rikthyer në vëmendje dallimin mes realitetit politik të shqiptarëve si faktor shtetformues dhe kornizave juridike ndërkombëtare që janë pranuar nga vetë institucionet e Maqedonisë së Veriut. Ndërkohë, mungesa e një sqarimi zyrtar nga pala shqiptare ka lënë hapësirë për interpretime të ndryshme mbi linjën diplomatike të Tiranës ndaj shqiptarëve në rajon.

Çështja mbetet e hapur mes kërkesave për respektim të statusit politik të shqiptarëve dhe realiteteve juridike të trashëguara nga vendime të mëhershme institucionale, duke dëshmuar se debati për përfaqësimin dhe terminologjinë ende nuk është mbyllur. /Marrë nga INA

Video

Kosova do të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme brenda 45 ditësh, pasi Kuvendi dështoi të zgjedhë presidentin e ri të Republikës. Seancat e njëpasnjëshme kanë dështuar për shkak të mungesës së kuorumit, pasi opozita nuk ka marrë pjesë në votim. Në sallë kanë qenë vetëm deputetët e shumicës parlamentare, ndërsa LDK, PDK, AAK dhe Lista Serbe kanë bojkotuar procesin.

Një breshkë e llojit Caretta caretta është gjetur e ngordhur në bregdet, me dëmtime të rënda në pjesën e kokës. Dyshohet se ajo është goditur nga helikat e një anijeje, duke pësuar plagë serioze që i kanë shkaktuar ngordhjen. Breshka është konstatuar nga qytetarë që ndodheshin pranë bregut të detit.

Në Libanin jugor, dronët-bombë të Hezbollah po krijojnë probleme serioze për ushtrinë izraelite. Pamjet tregojnë një sulm ndaj një helikopteri Blackhawk që kishte shkuar për të marrë të plagosurit nga një pritë me dronë, ku një ushtar u vra dhe gjashtë të tjerë u plagosën. Teksa helikopteri po ulej, dy dronë u afruan dhe shpërthyen pranë tij, ndërsa ushtarët izraelitë hapën zjarr për t’i rrëzuar. Hezbollah thuhet se po shton përdorimin e këtyre dronëve, ndaj të cilëve Izraeli ende nuk ka kundërmasa efektive.

Një problem i vogël për Laura Pausini gjatë koncertit live në Quito, në Ecuador. Popstarja ndërpreu koncertin dhe kërkoi t’i sillnin oksigjen. Një pengesë e vogël, me shumë gjasa e lidhur me lartësinë e qytetit (rreth 2800 metra mbi nivelin e detit), e cila mund të shkaktojë probleme të tilla, sidomos kur je i ekspozuar ndaj një stresi fizik si ai i një koncerti live. Këngëtarja e mori situatën me humor dhe, me maskën e oksigjenit në gojë, iu drejtua publikut duke pyetur: “A mund të flitet kur e mban këtë, apo është më mirë jo?”

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme