Politika 30 Tetor 2025, 16:58 Nga VNA

Forumet rinore politike drejt zhdukjes

Ndaje në Whatsapp
Forumet rinore politike drejt zhdukjes

Dikur platforma për angazhimin e të rinjve në politikë, forumet rinore partiake po e humbasin peshën dhe ndikimin e tyre, duke shërbyer më së shumti si dekor për partitë mëmë ose si instrumente për mobilizim elektoral.

Tea Islamaj ishte vetëm 14 vjeç kur u angazhua për herë të parë në politikë me ambicie të mëdha.

Ishte viti 2013, kohë kur Lëvizja Socialiste për Integrim sapo ishte rikonfirmuar në pushtet në koalicion me Partinë Socialiste dhe forumi i saj rinor shihej si një trampolinë e shpejtë për karrierë politike dhe administrative në Shqipëri.

Tea u angazhua fillimisht si koordinatore gjimnazi për Lëvizjen Rinore për Integrim, LRI, dhe, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, e pa emrin në listën e kandidatëve për deputetë. Por katër vite më pas, ajo vendosi të tërhiqej nga politika.

“Kishte shumë bërryla dhe nuk dije nga t’i prisje,” kujton Tea, sot 27 vjeç dhe gazetare në profesion. “Ti rritesh në gojën e ujkut gjatë gjithë kohës,” shtoi ajo, ndërsa thekson se edhe të rinjtë në politikë ecin me idenë “përça e sundo”.

Përvoja e saj nuk është unike.

Ndërsa shumica e të rinjve në Shqipëri janë indiferentë ndaj sistemit politik, disa mijëra janë aktualisht të angazhuar në mënyrë konvencionale pranë forumeve rinore partiake, por vetëm pak prej tyre ia dalin që të gjejnë hapësirë në skenën e ashpër politike.

Sipas drejtuesve në etapa të ndryshme të tre forumeve rinore kryesore, rrugëtimi i tyre ka qenë shpeshherë i mbushur me barriera dhe paragjykime.

Ndërkohë, vetë forumet rinore duket se po e humbasin peshën e tyre të dikurshme si “inkubatorë” të krijimit të gjeneratave të reja në politikë, duke u transformuar në struktura që shërbejnë ose si dekor për partitë mëmë, ose si instrumente për mobilizim elektoral.

Ekspertë dhe studiues të politikës theksojnë se të rinjtë në Shqipëri po përballen me një krizë përfaqësimi në politikë, ndërkohë që forumet ku ata angazhohen vuajnë nga vendimarrjet formale, mungesa e demokracisë së brendshme dhe varësia nga strukturat partiake.

“Sot forumet rinore ndjekin të njëjtën rrugë si partitë që i kanë krijuar; me pak hapësirë për demokraci të brendshme dhe me fokus të madh në mobilizimin elektoral,” thotë Lutjona Lula, eksperte politike dhe drejtore ekzekutive e Rrjetit Studentor Erasmus, ESN.

“Shumë të rinj janë katapultuar direkt në pozicione drejtuese në qeveri, pa kaluar nëpër procese të mirëfillëta përfaqësimi apo konkurimi brenda forumit,” shtoi Lula, duke e konsideruar këtë si tregues të praktikave autokratike në rritje.

“Privilegj formal”

Tea Islamaj u angazhua për 10 vjet në LRI, përpara se të tërhiqej nga politika. Foto: Ilda Hoxha.

Që prej Lëvizjes Studentore në fillim të viteve ’90, e cila përshpejtoi rrëzimin e regjimit komunist dhe i hapi rrugë pluralizmit politik në Shqipëri, të rinjtë janë parë si një faktor ndryshimi në shoqëri.

Më vonë, në vitin 2014, të rinjtë luajtën një rol të rëndësishëm në protestat për ndalimin e armëve kimike, ndërsa në vitin 2018, me valën e protestave kundër ligjit për Arsimin e Lartë.

E megjithatë, shumica e të rinjve në shoqërinë shqiptare ndjehen të izoluar dhe të shkëputur nga sistemi politik.

Sipas një studimi kombëtar të vitit 2019, një shumicë dërrmuese prej 80% nuk janë të angazhuar në parti politike apo aktivizëm shoqëror. Vetëm një pakicë prej 10.8% e kanë përshkruar veten si anëtarë partie, ndërsa 9.2% si aktivistë politikë.

Forumi i Rinisë Eurosocialiste, FRESSH, Forumi Rinor i Partisë Demokratike, FRPD dhe Lëvizja Rinore për Integrim, LRI, numërojnë së bashku dhjetëramijë anëtarë në të gjithë vendin, por vetëm një përqindje e vogël janë realisht aktivë.

Ish-drejtues të këtyre forumeve në kohë të ndryshme ndajnë gjithashtu përvoja të ndryshme; disa i thanë BIRN se janë përballur me barriera dhe paragjykime nga ata që e shihnin angazhimin e të rinjve si një privilegj formal, ndërsa të tjerë thonë se kanë qenë në gjendje të ushtrojnë demokraci të brendshme dhe të diktojnë vendimarrje të rëndësishme.

Joleza Koka, drejtuese e Forumit të Rinisë Eurosocialiste, FRESSH, në vitet 2012-2016 flet me një dozë pesimizmi për rolin dhe fuqinë reale që kanë në dorë të rinjtë për të ndikuar në politikë. Koka kujton se pavarësisht zgjedhjeve apo debateve të rëndësishme gjatë kohës që drejtonte FRESSH, shpesh vendimet kryesore “merreshin nga lart”.

“Në momente konfliktuale më është thënë hapur që të hesht dhe të jem e kënaqur që isha ulur në atë tavolinë, edhe pse pa të drejtë fjale,” kujton Koka, sot anëtare e Këshillit Bashkiak të Tiranës. “Ky lloj qëndrimi i redukton të rinjtë në spektatorë të një procesi që duhet të ishte gjithëpërfshirës”.

Në spektrin tjetër të politikës, Belind Këlliçi, drejtues i FRPD në vitet 2015-2021, thotë se brenda forumit kanë pasur debate të forta si dhe kanë bërë ndryshime të forta edhe në statutin e PD.

Megjithatë, të paktën në një rast Këlliçi provoi shijen e hidhur të zhgënjimit.

I zgjedhur përmes parimit “një anëtar, një votë” në një garë të vështirë në vitin 2015, Këlliçi e pa veten jashtë listës së kandidatëve për deputetë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, përkundër traditës së ndjekur në Partinë Demokratike. Ai e përshkruan këtë si “thyerjen” e parë me realitetin.

“Prisja një sistem meritokracie dhe një sistem karriere brenda PD, por që e gjitha ajo m’u kthye në një iluzion dhe zhgënjim të jashtëzakonshëm në vitin 2017, ku në shkelje të statutit, ish-kryetari i partisë vendosi të më përjashtonte pa asnjë arsye politike, racionale apo logjike nga gara për të qenë pjesë e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë,” kujton Këlliçi.

Glindxhet Madhi nga FRESSH i Tiranës i paragjykonte vetë forumet partiake, përpara se një kampionat debati ta shtynte drejt asaj rruge. Ai beson se forumet rinore nuk duhet të jenë “zgjatime organizative”, por duhet të ridimensionohen.

“Pritshmëria ime është që forumi politik të mos jetë një platformë fasadë, por një strukturë reale që prodhon ide, politika dhe liderë të rinj,” theksoi ai.

Krizë përfaqësimi

Më shumë se tre dekada më parë, shumica e të rinjve po i bashkohej Partisë Demokratike si forca e parë opozitare në vend, por Monika Kryemadhi zgjodhi drejtimin e kundërt.

Në vitin 1991, ajo ishte vetëm 17 vjeç kur u anëtarësua në Forumin Rinor Eurosocialist – një vendim që e konsideron 34 vite më pas si kthesën që përcaktoi jetën e saj.

Kryemadhi u zgjodh kryetare e FRESSH në mars të vitit 2001, në kohën ndoshta të vetme në politikën shqiptare, kur një forum rinor ishte në përplasje me kryetarin e Partisë dhe luajti një rol kyç në përcaktimin e lidershipit të ri të Partisë Socialiste.

Kryemadhi e kujton atë periudhë si një model për demokracinë e brendshme; ku mbizotëronin votimet e fshehta, debatet e forta dhe një ndjenjë solidariteti, që sipas saj sot mungon krejtësisht.

Shumë vite më pas, Kryemadhi u përpoq të evokonte historinë e dikurshme të FRESSH në përpjekjet për forcimin e LRI-së, por e pyetur për ndikimin e forumeve sot, Kryemadhi përgjigjet: “Zero”.

“Sot të gjithë mendojnë që bëjnë politikë me rrjetet sociale,” tha Kryemadhi, e dorëhequr tashmë nga politika aktive si pasojë e akuzave për korrupsion të ngritura ndaj saj dhe ish-bashkëshortit Ilir Meta nga Prokuroria e Posaçme.

“Histeria e komunikimeve me adresa fake, like dhe share për statistikë nuk të tregojnë asnjëherë atë që njerëzit kanë vërtet nevojë për të ndryshuar,” shtoi ajo.

Kryemadhi nuk është e vetme në mendimin se forumet e sotme rinore e kanë humbur ndikimin e tyre.

Edhe Afrim Krasniqi, politolog dhe drejtues i Institutit për Studime Politike, i tha BIRN se ndryshe nga vitet ’90, sot drejtuesit e forumeve politike nuk i përfaqësojnë të rinjtë as si përkatësi moshe dhe as për problemet që i shqetësojnë.

Të rinjtë e forumeve përdoren sipas tij sipas nevojës së partisë – herë për protesta dhe herë për mitingje, por mungojnë rastet kur të rinjtë të kenë ushtruar presion ndaj partisë për çështje të rëndësishme.

“Deri tani, praktika është që partia urdhëron dhe forumet zbatojnë…,” tha Krasniqi, duke vlerësuar se ky parim ka dobësuar imazhin, peshën specifike dhe mekanizmin që do t’i shtynte këto forume drejt përfaqësimit të votuesve të rinj.

Hendeku i përfaqësimit vihet re edhe nga Ilir Kalemaj, politolog dhe pedagog pranë Universitetit të New Yorkut në Tiranë, pasi sipas tij, vetë forumet rinore janë pak të përfaqësuara brenda strukturave partiake.

Kalemaj e quan FRESSH-in një strukturë të atrofizuar dhe LRI si një forum në rënie, ndërsa mendon se FRPD ka aktualisht një pozitë më të mirë. Megjithatë, ai vlerëson se të tre forumet luajnë një rol “përgjithësisht pasiv”.

“Forumet rinore kanë pak apo aspak ndikim në politikëbërjen e partisë mëmë,” tha Kalemaj për BIRN.

Për Lutjona Lulën nga ESN, thelbi mbetet mungesa e demokracisë së brendshme, si në forume, ashtu edhe në partitë mëmë.

“Demokracia e brendshme në forumet rinore është shpesh e kufizuar. Proceset zgjedhore janë të kontrolluara nga strukturat e partisë mëmë dhe nuk ka një kulturë të mirëfilltë të debatit të lirë apo të përfaqësimit të mendimeve të ndryshme,” theksoi ajo.

Pa akses në fonde

Pjesmarrja aktive e të rinjve në politikë është e pambështetur financiarisht në mënyrë të qëndrueshme, edhe në rastet kur ku angazhim ndodh përmes kanaleve të forumeve zyrtare partiake. Të tre forumet e analizuara, FRESSH, FRPD dhe LRI, operojnë në mungesë të buxhetit të dedikuar dhe llogarive bankare, çka i kufizon aftësitë e tyre për të ndikuar realisht në politikë.

Ish-drejtues të forumeve i thanë BIRN se problemi financiar ishte konstant – çka i bënte këto organizata të varura nga financat dhe prioritetet e partisë.

“Fondet kanë qenë problemi më i madh që kemi pasur gjatë operimit të Forumit Rinor. Nuk kemi pasur akses në fonde, nuk kemi pasur një llogari tonën…kemi operuar me fondet e PD-së,” tha Këlliçi, ndërsa shtoi se qindra trajnime dhe aktivitete ishin mbuluar falë bashkëpunimit me fondacione të huaja.

Edhe ish-drejtuesja e FRESSH, Joleza Koka e pohon problemin e fondeve ndërsa thekson se mbështetja për aktivitetet rinore kushtëzohej shpesh nga prioritetet e partisë.

“Mbështetja ishte e kufizuar dhe e lidhur me prioritetet e partisë në moment. Kjo e bënte të vështirë organizimin e aktiviteteve të pavarura,” tha Koka, duke shtuar se shumë iniciativa u realizuan falë vullnetarizmit.

Presioni i partive dhe mungesa e infrastrukturës e bëjnë të pamundur, sipas Afrim Krasniqit, që forumet të funksionojnë si struktura të pavarura.

“Partitë marrin buxhetet vjetore, por ato administrohen nga qendra,” tha ai. “Forumet rinore nuk kanë financa të pavarura dhe aktivitetet e tyre varen nga vullneti politik i partisë,” theksoi Krasniqi.

Një qasje e re ndaj politikës

Të rinjtë e sotëm vlerësohet se janë më pak ideoligjikë se brezat e kaluar dhe lidhja e fortë me teknologjinë dhe rrjetet sociale i shtyn ata drejt kërkimit të një zëri të fortë individual përpara organizimit kolektiv.

Ata përballen njëherazi me sfida të mëdha të arsimit, të qasjes në tregun e punës apo të emigrimit, por pak prej këtyre problemeve gjejnë jehonë në debatin publik dhe politik.

Kreu aktual i FRPD, Besart Xhaferri thotë se përfshirjen e tij në politikë dhe mandatin në parlament do t’ua kushtojë veçanërisht këtyre problemeve.

“Jam në Parlament që shtëpia e barit në Spanjë ose Angli të mos jetë e vetmja mundësi e një të riu shqiptar për të blerë shtëpinë e parë në Shqipëri,” tha Xhaferri për BIRN.

“Kam miq të mi në FRPD që kanë marrë gomonet dhe janë detyruar të punojnë në shtëpi bari në Angli, vetëm se këtu e patën të pamundur të siguronin një strehë,” shtoi ai.

Grindxhet Madhi nga FRESSH beson se të rinjtë e sotëm kanë një qasje të ndryshme ndaj politikës dhe nuk motivohen më nga retorika. Të lidhur me botën përmes teknologjisë dhe informacionit, ai beson se të rinjtë nuk mjaftohen më me premtime, por kërkojnë rezultate të prekshme.

“Ndryshimi ynë kryesor nuk është vetëm te skepticizmi, por te vizioni: ne duam një politikë më funksionale dhe të aftë, që t’i japë përgjigje reale sfidave të brezit tonë,” thotë Madhi. Megjithatë, ai vëren se të rinjve u mungon shpesh “motivimi dhe konsistenca”.

Edhe Joleza Koka beson se të rinjtë janë bërë më pragmatikë dhe individualistë, por e sheh këtë ndryshim edhe si rrezik. Duke marrë si shembull garën për zgjedhjen e pasuesit të saj në krye të FRESSH në vitin 2016, Koka i mëshon numrit jashtëzakonisht të lartë të kandidatëve si një shembull për format e organizimit të të rinjve të sotëm.

“…askush nuk donte të ishte më pjesë e një grupi, të gjithë donin të ishin kryetarë të grupit,” tha Koka, ndërsa shtoi: “Fakt është që sot nuk ka më as grup dhe as kryetar”./ Reporter.al (titulli origjinal: ‘Në gojën e ujkut’: Sfidat e angazhimit të të rinjve në politikën shqiptare) 

 

Video

Ish kreu i PD-së Lulzim Basha është paraqitur në SPAK. Burimet bëjnë me dije se ai është paraqitur si person në dijeni për hetimet lidhur me dosjen e 21 Janarit, kohë në të cilën mbante postin e Ministrit të Brendshëm.

Momenti kur Hajri Bajramaj me automjetin e tij tip ‘Porsche’, përplas për vdekje 17-vjeçarin Leandro Shametaj që po kthehej nga puna me motor.

Pensionistët protestuan ditën e sotme përballë godinës së Parlamentit, duke kërkuar rritjen e pensioneve dhe miratimin e minimumit jetik.

Ku di gjë unë se çfarë them unë

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme