Politika 6 Maj 2026, 11:52 Nga VNA

Dashnorët e mëdhenj të medias, Rama dhe Berisha, në sinkron kundër "të vërtetës"

Ndaje në Whatsapp
Dashnorët e mëdhenj të medias, Rama dhe Berisha, në sinkron

Edi Rama dhe Sali Berisha, dy skajet e një rrethi që takohen gjithmonë te pika e "sulmit", kanë veshur sërish kostumin e dashnorit të tradhtuar. Sa herë që faktet nuk u bëjnë fresk, faji është i pasqyrës.

Edi Rama që ka mbytur thuasjse çdo zë kritik, që përjashton gazetarët nga konferencat apo shpall pronarët e medjas investitorë strategjikë, së fundmi është përfshirë në replika edhe me Reporterët pa Kufij.

Ndërkohë, Berisha replikoi sot me Rrjetin Safe Journalist dhe Asociacionin e Gazetarëve të Shqipërisë, pasi këta të fundit dënuan gjuhën akuzuese të Berishës ndaj News 24.

Edhe pse në publik shkëmbejnë mallkime, Rama dhe Berisha këndojnë në të njëjtin kor. Janë si ato çiftet që grinden gjithë ditën, por bashkohen sapo dikush troket në derë për t'u kërkuar llogari për faturat e papaguara.

Rama na shfaqet me tabletin e inteligjencës artificiale në dorë, duke na treguar me përqindje "shkencore" se si opozita po na mbyt me zërin e saj.

Sipas tij, liria e medias matet me metër rrobaqepësie, sa më shumë të flasë tjetri, aq më shumë "regjimi" i tij është në fakt një oaz demokracie. Ai nuk e sulmon median; ai thjesht e "edukon" atë, duke u treguar gazetarëve se si duhet ta bëjnë punën, mundësisht duke mos bërë pyetje.

Nga ana tjetër, Berisha na flet për "mafien e fjalës së lirë". Për të, media është një organizatë kriminogjene sapo guxon të mos hapë lajmet me denoncimin e radhës nga ballkoni apo selia. Nëse nuk je me të, je i "blerë". Nëse je kritik, je "pjesë e skemës". Është një dashuri që kërkon nënshtrim total: "Ose më duaj ashtu siç dua unë të shihem, ose je armik".

Ironia e madhe qëndron te fakti se të dy përdorin të njëjtën strategji delegjitimimin.

Rama përdor start-up-e dhe statistika për të na thënë se raportet ndërkombëtare (si ato të Reporterëve pa Kufij) janë thjesht keqkuptime teknike.

Berisha përdor terminologjinë e ashpër për të na thënë se çdo gazetar që nuk i pëlqen, është thjesht një ushtar i Edi Ramës.

Të dy refuzojnë të pranojnë se media nuk është as "megafori i pushtetit" dhe as "zyra e shtypit e opozitës". Për ta, gazetari është një mjet, ose top për të gjuajtur tjetrin, ose mburojë për të fshehur veten.

Kur Rama thotë se opozita dominon ekranet, harron të thotë se shpesh kjo ndodh në kronika ku opozita vetëm sulmohet. Kur Berisha thotë se media është e kapur, harron kohët kur vetë ai "disiplinonte" redaksitë me të njëjtin zell.

Në këtë valsin e tyre të fundit, ku njëri akuzon për "kapje" dhe tjetri për "dominim opozitar", viktima mbetet e njëjta, fakti.

Liderët tanë e duan median vetëm kur ajo sillet si një dashnore e bindur që i thotë "sa bukur po dukesh sot". Sapo media fillon e bën pyetje për tenderat, pasuritë apo lidhjet e dyshimta, dashnorët tanë të mëdhenj nxjerrin kthetrat. Njëri të mbyt me "AI" dhe arrogancë intelektuale, tjetri të gozhdon me etiketa "mafie".

Në fund të ditës, Rama dhe Berisha janë dy anët e të njëjtës medalje të vjetër: atij pushteti që e ka tmerr transparencën dhe që lirinë e shtypit e sheh si një aksesor që përdoret vetëm kur je në opozitë, por që të vret këmbën sapo hipën në kalin e pushtetit.

Sa keq që për ta, "gazetari i mirë" është vetëm ai që nuk ekziston, ose ai që ka harruar të bëjë pyetjen "Pse?".

Video

Reperi i njohur Noizy dhe babai i tij, Bashkim Rajku, janë paraqitur paraditen e sotme në ambientet e GJKKO. Noizy dhe babai i tij bëjnë pjesë në rreth 60 dëshmitarë të thirrur në procesin ndaj bandës së Laert Haxhiut, që po përballen me drejtësinë si të dyshuar për krime të rënda si vrasje, grabitje, shkatërrim prone me eksploziv në kuadër të grupit kriminal.

Bashkim Rajku, babai i Rigels Rajkut i njohur si Noizy, u paraqit në GJKKO për të dëshmuar në procesin ndaj anëtarëve të bandës së Laert Haxhiut. Banda i vuri tritol dhe shkatërroi lokalin.

Nikollë Radaçi teksa udhëton me shpejtësi të lartë para se të shkaktonte aksidentin në Durrës me dy fëmijë të vrarë dhe një të plagosur. Ai rezultoi në gjendje të dehur.

Një fenomen i rrallë natyror, i njohur si “Firefall”, ndodh çdo vit në Parkun Yosemite, kur rrezet e diellit godasin në këndin e duhur ujëvarën Horsetail Fall, duke krijuar iluzionin spektakolar të një rrjedhe lave të ndezur. Ky moment i veçantë ndodh vetëm për disa ditë në fund të dimrit, kur kushtet atmosferike dhe pozicioni i diellit përputhen në mënyrë perfekte. Drita e artë e perëndimit reflektohet mbi rrjedhën e ujit, duke e bërë atë të duket si një kaskadë zjarri që rrjedh nga maja e shkëmbit.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme