Gjykata Kushtetuese ka nisur shqyrtimin e ankimimit të bërë nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike lidhur me refuzimin që Kuvendi i bëri ngritjes së Komisionit Hetimor për Çështjen McGonigal.
Kërkesa e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, “Për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për verifikimin e ligjshmërisë së veprimeve të zyrtarëve shqiptarë në raport me ish-agjentin special të FBI-së, Charles McGonigal”, është rrëzuar me votimin e seancës së datës 30.10.2025.
Sipas maxhorancës, kërkesa për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar u rrëzua me arsyetimin që në të mungonin të dhëna konkrete për hetimin e kërkuar, si dhe mungonin prova. Kërkesa mbështetej në burime mediatike dhe spekulime publike, nuk referonte në dokumenta që implikonin zyrtarë shqiptarë dhe nuk evidentoheshin veprime të paligjshme dhe as akte shtetërore. Përfundimisht, Kuvendi vendosi që nuk justifikohej ndërhyrja përmes një komisioni hetimor, edhe pasi çështja rezultonte e hetuar dhe gjykuar nga autoritetet e një shteti të huaj, ndaj ajo dilte jashtë juridiksionit për ushtrimin e kontrollit parlamentar në territorin e Shqipërisë.
Asgjë për t’u habitur deri këtu!
Opozita kërkoi hetim, maxhoranca rrëzoi kërkesën.
Por rasti tani po shqyrtohet në Gjykatën Kushtetuese dhe atje palët duken se duhet të përplasin argumentat në nivel kushtetues.
Në emër të Grupit Parlamentar të PD-së, mbrojtja po bëhet nga Gazmend Bardhi. Bardhi i ka dalë për zot ankesës që ka firmosur vetë dhe deri këtu prapë nuk ka asgjë për t’u habitur.
Por niveli i përfaqësimit të Kuvendit fliste shumë.
Kuvendi kishte zgjedhur të përfaqësohej nga një specialist i Drejtorisë Juridike të Kuvendit. Njësoj si kur Kuvendi thirret në Gjykatë për një rast largimi nga puna të një stafi të zakonshëm.
Asnjë deputet nuk ishte në sallë. Asnjë këshilltar i grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Asnjë drejtor nga të shumtit që Kuvendi ka.
Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit ka kandiduar për t’u rreshtuar si anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Genci Gjonça është sekretar i përgjithshëm i Kuvendit. Por Gjonça nuk është parë e as dëgjuar kurrë të flasë ndonjë fjali si kushtetucionalist. Gjonça nuk është parë kurrë të mbrojë Kuvendin në Gjykatën Kushtetuese. Për të mbrojtur Ramën në Gjykatën Kushtetuese, zgjodhi të dërgojë një specialist të Drejtorisë Juridike, siç do të kishte bërë nëse do të kishte hequr nga puna një shofer dhe shoferi do ta kishte thirrur në Gjykatë.
Me sa duket, Ramën tani nuk do që ta mbrojë askush. As ata që po presin prej tij t’i emërojë në pozicione të larta. E kanë lënë në dorë të juristëve të drejtorive juridike, se edhe drejtorët kanë gjëra më të rëndësishme për të bërë.






















