Ndonëse prej ditësh nuk ka artikuluar asnjë akuzë konkrete për emrat që dalin në dosjen “Aruba”, ku përmenden figura si Artur Shehu, Orest Sota, Ilir Shtufi dhe persona të tjerë të përfshirë në hetimin e SPAK-ut, Sali Berisha ka zgjedhur sot të kritikojë prokurorët për mënyrën se si po e trajtojnë çështjen.
Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se SPAK po fsheh identitetin e personave që sipas tij kanë udhëtuar nga Tirana drejt Arubës dhe ka kërkuar që hetimet të fokusohen te ajo që e quajti “koka e Meduzës”. Sipas tij, qytetarët duhet të dinë se cilët janë qeveritarët që kanë qenë në Aruba dhe çfarë marrëdhëniesh kanë pasur me personat e përfshirë në dosje. Ai aludoi edhe për emra pranë qeverisë, duke përmendur Engjëll Agaçin, Edi Ramën dhe Olsi Ramën, megjithëse pranoi se nuk mund të deklarojë me siguri se cilit person i referohen komunikimet e përfshira në dosje. Pavarësisht kësaj, Berisha këmbënguli se SPAK po tregon vetëm një pjesë të historisë dhe po shmang publikimin e emrave që, sipas tij, kanë peshën më të madhe politike në këtë çështje.






















