Protesta kundër qeverisë u mbyll mbrëmjen e djeshme në ditën e saj të 14-të, me një marshim që përshkoi disa nga akset kryesore të Tiranës. Pasi u grumbulluan para Kryeministrisë, protestuesit vijuan përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke kaluar pranë Bashkisë së Tiranës, Parlamentit, Unazës së Vogël, Drejtorisë së Policisë së Tiranës, Brrylit, Rrugës së Dibrës dhe zonës së Selvisë.
Në përfundim të marshimit, qytetarët mbërritën në Sheshin Skënderbej, ku u mbyll edhe protesta e mbrëmjes. Pjesëmarrësit përsëritën thirrjet e tyre kundër qeverisë dhe klasës politike, ndërsa organizatorët njoftuan vijimin e protestave edhe në ditët në vazhdim.






















