Kryeministri Rama ka reaguar pas bllokimit të rrugës drejt Aeroportit të Rinasit nga protestuesit, duke deklaruar se qytetarët kanë të drejtë të protestojnë paqësisht, por duke kritikuar ashpër zhvillimet e fundit të protestës. Në një reagim publik, Rama tha se protesta nuk ka më lidhje me çështjen e Sazanit dhe Zvërnecit, pasi sipas tij dokumentacioni dhe veprimet e qeverisë tregojnë se procesi është zhvilluar në përputhje me interesin publik dhe standardet ndërkombëtare.
Kreu i qeverisë u shpreh se protesta po dëmton imazhin e Shqipërisë dhe sezonin turistik, duke krijuar perceptime negative për vendin dhe duke sjellë anulime rezervimesh në sektorin e turizmit.
Rama kritikoi gjithashtu bllokimin e rrugës së aeroportit, duke e cilësuar atë si një veprim që cenon lirinë e lëvizjes së qytetarëve dhe që, sipas tij, tregon shenja të ekstremizmit.
Ai shprehu keqardhje për të rinjtë që iu bashkuan marshimit drejt Rinasit, duke pretenduar se ata janë manipuluar nga “forca destruktive” që synojnë të dëmtojnë Shqipërinë.
Sipas Ramës, protesta ka tërhequr edhe mbështetjen e figurave publike që ai i konsideron oportuniste, ndërsa shtoi se përfituesit e vetëm të saj do të jenë qeveria, e cila do të marrë mësime nga shqetësimet legjitime të qytetarëve, dhe Partia Socialiste, e cila sipas tij do të dalë më e fortë politikisht pas përfundimit të kësaj situate.
Postimi
1. Kjo protestë nuk ka më asnjë lidhje me Sazanin a me Zvërnecin, sepse i gjithë dokumentacioni i procesit dhe e gjithë qasja e dokumentuar qeverisë, tregojnë qartë që qeveria është në lartësinë e interesit publik e të standarteve dhe praktikave më të mira ndërkombëtare.
2. Kjo protestë po godet imazhin e Shqipërisë dhe sezonin turistik, duke ushqyer perceptimin negativ e të pavërtetë të një vendi jomiqësor ndaj mjedisit, jomikpritës për investimet e huaja dhe te pasigurtë për turistët. Anullimet e rezervimeve të hoteleve dhe bllokimet e rrugëve paralajmërojnë një sezon jo pozitiv ekonomikisht, për shumë e shumë familje e njerëz që kanë lidhje direkte apo indirekte me zinxhirin e vlerës së industrisë së turizmit.
3. Kjo protestë që arrin e degradon në një turmë të drejtuar nga mendje të liga dhe duar të këqia drejt rrugës së aeroportit, duke bllokuar natën në rrugë mijëra njerëz në lëvizjen e tyre të lirë, ka brenda saj pikërisht atë të keqen e madhe të ekstremizmit që frymëzon bullizimin online dhe prishjen me pahir të ritmit të jetës së shumicës.
4. Keqardhje për të rejat e të rinjtë e zhgënjyer nga marshimi qorrazi drejt Rinasit me shijen e lirisë e të pavarësisë së tyre dhe në emër të një revolucioni imagjinar, derisa e kuptuan edhe vetë se çfarë budallallëku kishin bërë duke i shkuar mbrapa skuthave të infiltruar nga forcat destruktive, brenda a jashtë, të cilat po bëjnë çmos për ta dëmtuar sa më shumë Shqipërinë. Uroj që të zgjohen sa më parë nga ky jerm dhe të shkëputen një orë e më parë nga mendjet e liga dhe duart e këqia që tanimë e kanë marrë në kontroll protestën.
5. Kjo protestë ka ekzaltuar edhe shumë personazhe me një emër të dëgjuar në mexhelisin e jetës publike. Me mendjet e tyre të cekëta ata i janë bashkuar asaj me mënyra të ndryshme, në bulevard apo në kanalet sociale e mediatike, me idenë se deti u bë kos, qeveria po mbytet, një orë e re erdhi për lugët në brezat e tyre.
Por nëse ka përfitues të vërtetë nga kjo protestë, ata janë vetëm dy:
Qeveria Shqiptare, e cila do të nxjerrë patjetër mësimet që i duhen nga pjesa e çiltër e protestës, duke adresuar si duhet shqetësimet legjitime të asaj pjese dhe Partia Socialiste, e cila kur të shpërndahet mjegulla do t’i zhgënjejë rëndë të gjithë kundërshtarët e saj, duke u shfaqur më e madhe dhe më e fortë në qendër të skenës politike të Shqipërisë






















