Politika 23 May 2026, 17:09 Nga VNA

Paradoksi i Ballës: Ironi me zgjedhjet në PD, por PS prej vitesh e ka harruar këtë proces

Ndaje në Whatsapp

gfnghghn.jpg

Deputeti socialist, Taulant Balla, ka gjetur sërish kohën për t'u marrë me telashet e PD. Balla ka ironizuar procesin e brendshëm zgjedhor në PD, thënë se demokratët të votojnë si të duan, fitues do jetë Saliu.

“Nga zgjedhjet thonë do bëjmë referendum. E duam Saliun, nuk e duam Saliun. Votoni si të doni demokratë, 100% do dalë Saliu”, deklaroi Balla me buzëqeshjen e atij që sapo ka zbuluar Amerikën.

Dhe në fakt, Balla ka të drejtë. Në PD gara ngjan me një teatër ku regjisori dihet dhe fundi është i paracaktuar. Por, këtu fillon dhe pjesa vërtet komike e reagimit të tij.

Skena ku një eksponent i lartë i PS bën ironi me mungesën e demokracisë dhe garës te fqinjët, është sa qesharake, aq edhe cinike. Përpara se të merret me "krahun e bufit" në PD, Balla bën mirë të na kujtojë se kur ka qenë hera e fundit që në partinë e tij është zhvilluar një garë reale, me dy ose më shumë kandidatë, për postin e kryetarit?

Që prej vitit të largët 2009, në Partinë Socialiste postit të kryetarit nuk i afrohet asnjë "Mereme", asnjë "Salianj" dhe asnjë guximtar tjetër. Atje gara nuk është e paracaktuar si te PD-ja, atje thjesht nuk ekziston fare. Kryetari rikonfirmohet me duartokitje, me statute që interpretohen sipas dëshirës, ose thjesht me supozimin se "kur jemi në pushtet, s'ka pse bëhen zgjedhje".

Për të ironizuar farsën e tjetrit, duhet që të paktën vetë të plotësosh minimumin e një standarti. Kur ti vjen nga një strukturë politike ku pushteti i liderit është absolut, i padiskutueshëm dhe i betonuar prej gati dy dekadash pa asnjë lloj gare të brendshme, ironia ndaj opozitës është e tepërt.

Demokratët të paktën lodhen pak, shpikin referendume, regjistrojnë e çregjistrojnë kandidatë, krijojnë iluzionin e një debati. Ndërsa në PS-në e Ballës, "qetësia dhe dashuria" brendapartiake ka arritur nivele aq klinike, sa edhe vetë ideja e një gare për kryetar trajtohet si herezi.

Prandaj, mirë është që Balla të na i kursejë butaforizmat duke tallur kundërshtarin, sepse sa më shumë ironi bën, aq më shumë nxjerr në pah ngjashmërinë që kanë dy partitë e mëdha në Shqipëri.

Video

Dokumentari “NAZA”, i cili trajton përdorimin e inteligjencës artificiale nga ushtria izraelite gjatë sulmeve në Gaza, u prit me 25 minuta duartrokitje në këmbë në Festivalin e Filmit në Venecia, më 10 shtator. Publiku brohoriti dhe valëviti flamuj palestinezë gjatë shfaqjes së filmit. I realizuar nga gazetarët izraelitë Yuval Abraham dhe Rachel Szor, dokumentari e merr titullin nga një term ushtarak izraelit që, sipas autorëve, lidhet me numrin e viktimave civile të parashikuara dhe të konsideruara të pranueshme përpara një sulmi. I xhiruar gjatë natës në tarracat e ndërtesave të Tel Avivit, filmi pretendon se zbulon sistemet teknologjike që qëndrojnë pas përzgjedhjes së objektivave palestineze në Gaza. Në të përfshihen intervista me oficerë të inteligjencës izraelite, të cilët tregojnë se si sistemet e asistuara nga inteligjenca artificiale përpunonin të dhëna të siguruara nga mijëra telefona celularë të hakuar për të identifikuar objektivat. “NAZA” është në garë për çmimin “Luani i Artë”, fituesi i të cilit pritet të shpallet më 12 shtator.

Vila e fshehur e Belinda Ballukut në Palasë/ SPAK: Arbër Abazi financoi punimet, bashkëjetuesja e tij i mbikëqyrte.

SPAK zbardh emailet për vilën e fshehur të Ballukut/ Punonjësit e Samir Manes ngritën alarmin: Pse prona e Igli Tares po i dorëzohej Lorela Reçit?

Ilir Beqaj shfaqet në GJKKO për herë të parë që prej zbutjes së masës së sigurisë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme