Opinion 25 October 2025, 18:51 Nga VNA

Trupi, dyshimi dhe dinjiteti: çfarë na mëson rasti Nayara Ferreira

Ndaje në Whatsapp
Trupi, dyshimi dhe dinjiteti: çfarë na mëson rasti Nayara

Nga Neli Demi 

Federata Shqiptare e Volejbollit ka kërkuar që sportistja braziliane Nayara Ferreira, lojtare e Klubi Volejbollit Dinamo, t’i nënshtrohet një “testi gjinie”, pas një ankese nga dy klube rivale. Ferreira, me 15 vjet karrierë ndërkombëtare dhe licencë të njohur nga FIVB, është pezulluar përkohësisht ndërsa procedura është në shqyrtim.

Por përtej ngjarjes, ky rast hap një pyetje shumë më të thellë: si e trajtojmë ne trupin e tjetrit kur ai nuk përputhet me pritshmëritë tona?

Në mungesë të një baze të qartë ligjore apo mjekësore, kërkesa për testim gjinor duket më shumë si një akt dyshimi se sa një procedurë sportive.

Në thelb, ajo kthehet në një ndërhyrje mbi dinjitetin dhe privatësinë e njeriut një kufi që sporti nuk duhet ta kalojë kurrë.

Ferreira nuk është një emër i panjohur: ajo ka luajtur në disa vende evropiane, me licenca të vlefshme dhe pa asnjë incident të mëparshëm. Pse pra, pikërisht këtu, lind nevoja për ta vërtetuar trupin e saj?

Në këtë ngjarje, sporti kthehet në pasqyrë të një kulture më të gjerë: kulturës së dyshimit ndaj asaj që është ndryshe.

Kur një grua e fortë, e sigurt dhe e suksesshme në fushë, sfidon stereotipet, shoqëria shpesh kërkon “prova” që ajo është ajo që thotë. Kjo është një formë moderne e kontrollit mbi trupin, e maskuar si kujdes për rregullsinë e garës.

Ky mekanizëm, i përshkruar që në shekullin e kaluar nga Michel Foucault, nuk lidhet vetëm me sportin: ai është mënyra se si pushteti kërkon të mbajë nën kontroll trupin dhe identitetin, veçanërisht trupin femëror.

Kështu, “testi i gjinisë” bëhet një ritual i vjetër për të garantuar rendin e ri.

Standardet ndërkombëtare – nga Karta Olimpike te vendimet e Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv – përcaktojnë qartë se çdo testim i tillë duhet të bazohet në arsye të forta, prova të qarta dhe miratim të vetë sportistes. Përndryshe, ai nuk është akt verifikimi, por shkelje etike.

Në rastin e Ferreira, mungesa e transparencës dhe e garancive për privatësinë krijon rrezikun që Shqipëria të gjendet në të njëjtin debat ku shumë federata të tjera janë rrëzuar – midis rregullit dhe respektit, midis biologjisë dhe dinjitetit.

Në nivel më të thellë, kjo ngjarje shpalos një frikë të njohur shoqërore: frikën nga kufijtë që zbehen. Midis mashkullit e femrës, midis “normales” e “tjetrit”, midis asaj që kuptojmë dhe asaj që na tejkalon.

Kur nuk dimë si ta përballojmë këtë pasiguri, shpikim procedura e teste, verifikime, nene që të qetësojmë ankthin tonë. Por asnjë test nuk mund të masë njerëzoren.

Në thelb, çështja Ferreira nuk pyet nëse ajo duhet të luajë apo jo, por si duam të sillemi si shoqëri kur na duhet të verifikojmë njeriun.

Nëse sporti është vërtet fushë e ndershmërisë dhe respektit, atëherë duhet të fillojë nga respekti për trupin e vetë sportistit.

Ky rast mund të shërbejë si moment edukimi institucional dhe shoqëror: për të ndërtuar protokolle etike që mbrojnë dinjitetin njerëzor përpara çdo gare.

Sepse në fund, përtej pikëve dhe trofeve, ajo që mbetet është mënyra si e kemi trajtuar tjetrin.

Video

Dokumentari “NAZA”, i cili trajton përdorimin e inteligjencës artificiale nga ushtria izraelite gjatë sulmeve në Gaza, u prit me 25 minuta duartrokitje në këmbë në Festivalin e Filmit në Venecia, më 10 shtator. Publiku brohoriti dhe valëviti flamuj palestinezë gjatë shfaqjes së filmit. I realizuar nga gazetarët izraelitë Yuval Abraham dhe Rachel Szor, dokumentari e merr titullin nga një term ushtarak izraelit që, sipas autorëve, lidhet me numrin e viktimave civile të parashikuara dhe të konsideruara të pranueshme përpara një sulmi. I xhiruar gjatë natës në tarracat e ndërtesave të Tel Avivit, filmi pretendon se zbulon sistemet teknologjike që qëndrojnë pas përzgjedhjes së objektivave palestineze në Gaza. Në të përfshihen intervista me oficerë të inteligjencës izraelite, të cilët tregojnë se si sistemet e asistuara nga inteligjenca artificiale përpunonin të dhëna të siguruara nga mijëra telefona celularë të hakuar për të identifikuar objektivat. “NAZA” është në garë për çmimin “Luani i Artë”, fituesi i të cilit pritet të shpallet më 12 shtator.

Vila e fshehur e Belinda Ballukut në Palasë/ SPAK: Arbër Abazi financoi punimet, bashkëjetuesja e tij i mbikëqyrte.

SPAK zbardh emailet për vilën e fshehur të Ballukut/ Punonjësit e Samir Manes ngritën alarmin: Pse prona e Igli Tares po i dorëzohej Lorela Reçit?

Ilir Beqaj shfaqet në GJKKO për herë të parë që prej zbutjes së masës së sigurisë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme