Opinion 16 Tetor 2025, 14:52 Nga VNA

E vërteta si pasqyrë e egove politike

Ndaje në Whatsapp
E vërteta si pasqyrë e egove politike

Nga Neli Demi

Në kohën tonë, informacioni nuk qarkullon më si dritë, por si pasqyrë ku ne shohim veten. Njerëzit nuk kërkojnë të shohin domosdoshmërisht realitetin, por më shumë veten brenda tij. Në çdo klikim, çdo titull, çdo debat, fshihet një dëshirë e pashprehur: që bota të përputhet me mënyrën si duam ta ndiejmë: të rregullt, të kuptueshme, të drejtë për ne. Nëse ajo nuk përputhet, ndiejmë ankth. Dhe ankthi është ajo ndjenjë primitive që politika e di të përdorë më mirë se kushdo.

Kështu politika na shërben si mbrojtje ndaj pasigurisë. Frojdi do ta përkufizonte këtë si një mekanizëm mbrojtës i egos, një mënyrë për t’u përballur me papërsosmërinë e botës. Në thelb, e majta dhe e djathta janë dy mënyra të ndryshme për t’u mbrojtur nga e njëjta ndjenjë: frika nga kaosi.

E djathta kërkon siguri, rend, kufi, identitet. E majta kërkon drejtësi, barazi, përfshirje, liri. Por pas fjalëve që përdorin, qëndron e njëjta tronditje ekzistenciale: dëshira për të kuptuar ku përfundon “unë” dhe ku fillon “tjetri”. Kështu, bindja politike bëhet mburojë psikike, një mënyrë për të stabilizuar ndjenjën e vetes.

Informacioni tashmë është kthyer si një zëvendësues i besimit. Në këtë terren, informacioni nuk është më një instrument i arsyes, por një formë feje moderne. Ne nuk lexojmë më lajme për t’u informuar, por për t’u siguruar që bota vazhdon të funksionojë sipas besimeve tona. Nëse shfaqet një fakt i kundërt, ne nuk e përballojmë por e mohojmë, e ironizojmë ose e përçmojmë.

Ky është një formë projeksioni politik: ne ia atribuojmë palës tjetër gjithë çrregullimin që nuk mund ta pranojmë brenda vetes. “Ne jemi të arsyeshmit, ata janë të rrezikshmit.” “Ne mbrojmë lirinë, ata duan diktaturë.” Në fakt, të dyja palët flasin nga i njëjti vend i pavetëdijshëm që është frika se mos humbasin veten në një botë pa qartësi.

Në botën e sotme ka filluar të përvijohet akoma më dominant fenomeni intra-psikik i “narcizizmit të së vërtetës”. Në psikën kolektive moderne, e vërteta ka zëvendësuar Zotin. Dikur njerëzit kërkonin shpëtim shpirtëror; sot kërkojnë të kenë të drejtë. Ky është narcisizmi i njohjes, ku bindja bëhet pasqyrë e egos: nëse unë jam në anën e së vërtetës, atëherë unë jam i mirë. Por në momentin që e vërteta shndërrohet në funksion të vetëvlerësimit, ajo pushon së qeni e vërtetë. Kjo është arsyeja pse dialogu politik degjeneron në monologë paralelë: secili flet për të dëgjuar veten. Në këtë kuptim, epoka e informacionit është epoka e konfirmimit ku inteligjenca shërben për të mbrojtur bindjen, jo për ta vënë në dyshim atë.

Kështu po kalohet me shpejtësi nga disonanca në devocion. Kur faktet nuk përputhen me ndjenjat, lind ajo që Festinger e quajti disonancë kognitive që etiketon një tension midis asaj që dimë dhe asaj që duam të besojmë. Në vend që ta durojmë të vërtetën që nuk na përshtatet, ne e zbusim duke përjashtuar burimin, duke shpikur motive, apo duke ngritur teori që mbajnë në këmbë ndjesinë e drejtësisë sonë. Ky është procesi me të cilin disonanca shndërrohet në devocion. Dhe devocioni, kur krijohet, është më i fortë se çdo fakt.

Në fakt, mendoj që “armiku” kryesor në këtë proces nuk është e vërteta e tjetrit. Është zbrazëtia! Ajo që frikëson më shumë nuk është ndonjë “palë tjetër”, por zbrazëtia, ideja se asnjë palë nuk e zotëron plotësisht kuptimin. Kjo është frika që bën njerëzit të mbahen pas çdo autoriteti që u ofron rend emocional. Por pikërisht në këtë rend, lind edhe mundësia e autoritarizmit kur e vërteta pushon së qeni kërkim, dhe kthehet në ndjenjë të përkatësisë.

Në këtë çast, njeriu nuk i bindet më arsyes, por frikës së vet që merr formën e ideologjisë apo doktrinës.

Ndoshta nuk jemi më në epokën e ideologjive, por në epokën e psikologjive politike. Nuk luftojmë më për idetë, por për pasqyrat që na japin ndjesinë e unitetit. Nëse do të ketë ndonjë rilindje të arsyes, ajo nuk do të vijë nga faktet, por nga guximi për të duruar pasigurinë, për të mos pasur gjithmonë të drejtë, për të mos qenë gjithmonë në anën e “të mirëve”.

Vetëm atëherë, ndoshta, e vërteta do të mund të kthehet sërish në dritë, dhe jo në pasqyrë.

 

Video

Që prej orëve të para të mëngjesit të sotëm, mjegulla e dendur ka përfshirë zonat e ultësirës perëndimore të Krujës dhe Kurbinit, duke reduktuar ndjeshëm dukshmërinë. Autoritetet u bëjnë apel drejtuesve të automjeteve që lëvizin në aksin rrugor të veriut të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit. Pavarësisht kushteve të vështira atmosferike, deri më tani nuk janë raportuar ngjarje apo incidente në këtë segment rrugor. Shërbimet rrugore dhe policia po monitorojnë situatën për të garantuar sigurinë e qarkullim

? Situatë emergjente në Bangladesh! Një zjarr i madh ka shpërthyer në zonën e ngarkesave të aeroportit ndërkombëtar “Hazrat Shahjalal” në Dhaka, duke vënë në gatishmëri të lartë autoritetet. ? Flakët janë përhapur me shpejtësi dhe zjarrfikësit po luftojnë prej më shumë se tre orësh për ta vënë situatën nën kontroll. ✈️ Përkohësisht, të gjitha fluturimet në aeroportin kryesor të vendit janë pezulluar. ? Pamjet nga vendi tregojnë tym të dendur të zi që ngrihet nga terminali i mallrave, duke mbuluar qiellin dhe krijuar një atmosferë mbytëse. ?‍? Mediat lokale raportojnë për disa zjarrfikës të lënduar gjatë përpjekjeve për të përballuar flakët.

Presidenti Donald Trump takohet me tenorin e famshëm Andrea Bocelli në Shtëpinë e Bardhë Presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara, Donald J. Trump, ka pritur në Zyrën Ovale tenorin e njohur italian, Andrea Bocelli. Takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe simbolizon një moment të rëndësishëm kulturor midis SHBA-së dhe Italisë. Andrea Bocelli, i njohur në mbarë botën për zërin e tij të jashtëzakonshëm dhe kontributin në muzikën klasike e moderne, është takuar me Trump për të diskutuar tema që lidhen me artin, kulturën dhe projektet humanitare.

?️ Në shërbimin e Okulistikës në QSUT, diagnostikimi, ndjekja dhe trajtimi i të gjitha patologjive që lidhen me shikimin kryhen sipas standardeve më të larta të kujdesit shëndetësor. ? Shërbimi disponon pajisje moderne dhe teknologji të avancuar, që mundësojnë realizimin e ndërhyrjeve në sy — nga ato rutinore, deri tek rastet më të ndërlikuara që kërkojnë ekspertizë të veçantë. ?‍⚕️?‍⚕️ Këshilla e mjekëve mbetet e qartë: bëni kontrolle periodike të syve! Parandalimi dhe diagnostikimi i hershëm janë çelësi për të ruajtur shikimin tuaj.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme