Rajoni 15 July 2026, 07:46 Nga JJ

Nga partia e Millosheviçit te qeveria e Vuçiçit, ministrja serbe shpallet “non grata” në Kosovë pas deklaratës për spastrimin etnik

Ndaje në Whatsapp
Nga partia e Millosheviçit te qeveria e Vuçiçit,

Kosova e ka shpallur person non grata ministren serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviç, duke i ndaluar përgjithmonë hyrjen dhe kalimin në territorin e saj, pas deklaratës së saj se, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviçit në vitin 1998, “do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën”.

Paunoviç, ekonomiste me profesion, është një prej figurave të vjetra të Partisë Socialiste të Serbisë (SPS), partisë së themeluar nga Sllobodan Millosheviçi. Anëtare e saj që prej vitit 1992, ajo ka qenë për disa mandate deputete, nënkryetare e Parlamentit serb dhe kryetare e grupit parlamentar të SPS-së, ndërsa aktualisht mban postin e ministres për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale në qeverinë e Serbisë.

Ministri i Brendshëm në detyrë i Kosovës, Xhelal Sveçla, bëri të ditur se ka nënshkruar vendimin për ta shpallur Paunoviç person të padëshiruar, duke theksuar se deklaratat e saj rikthejnë retorikën e projektit të spastrimit etnik ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Deklarata e ministres serbe u bë gjatë një interviste për televizionin Kurir, ku ajo tha se, nëse do të kishte qenë në vend të Millosheviçit në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”. Më pas ajo u përpoq ta zbusë deklaratën, duke pretenduar se nuk nënkuptonte likuidimin e shqiptarëve, por largimin e atyre që, sipas saj, nuk e konsideronin veten qytetarë të Republikës Federale të Jugosllavisë.

Edhe pas reagimeve të forta, Paunoviç deklaroi se nuk heq dorë nga politika e Partisë Socialiste të Serbisë, duke kujtuar se është pjesë e saj që prej vitit 1992.

Deklaratat e saj janë dënuar nga Bashkimi Evropian. Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anitta Hipper, theksoi se në Evropë nuk ka vend për retorikë që promovon apo justifikon spastrimin etnik, ndërsa komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, u shpreh se ishte “e tronditur” dhe kërkoi tolerancë zero ndaj deklaratave të tilla.

Edhe autoritetet e Kosovës reaguan ashpër. Ministri i Jashtëm në detyrë, Glauk Konjufca, tha se një retorikë e tillë glorifikon krimet e luftës dhe bie ndesh me vlerat evropiane.

Lufta në Kosovë (1998–1999) la pas mbi 13 mijë civilë të vrarë, kryesisht shqiptarë, ndërsa mbi 1.500 persona rezultojnë ende të zhdukur. Tribunali i Hagës e ka cilësuar udhëheqjen e atëhershme të RFJ-së pjesë të një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale që synonte dëbimin me forcë të shqiptarëve nga Kosova.

Video

Ilir Beqaj shfaqet në GJKKO për herë të parë që prej zbutjes së masës së sigurisë.

Deputeti i PD-së, Luan Baçi, paraqitet në SPAK, i shoqëruar nga avokati i tij.

Partia ime më shkarkoi…

Qielli i Nju Jorkut u ndriçua nga rreth 3 mijë dronë gjatë një prove spektakolare për ceremoninë përkujtimore që do të shënojë 25-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit në vitin 2026. Dronët u ngritën mbi qytet dhe krijuan një shfaqje të koordinuar drite, si pjesë e përgatitjeve për një homazh që synon të nderojë viktimat e sulmeve të 11 Shtatorit 2001.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme