Rajoni 1 July 2026, 15:41 Nga VNA

Terror në Selanik: Tre sulme të njëpasnjëshme ndaj zyrtarëve të Demokracia e Re, pesë të plagosur

Ndaje në Whatsapp
Terror në Selanik: Tre sulme të njëpasnjëshme ndaj

Në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, tre sulme të koordinuara me mjete zjarrvënëse të improvizuara me bombola gazi tronditën Selanikun, duke pasur në shënjestër banesat e tre drejtuesve dhe ish-zyrtarëve të Demokracisë së Re (ND). Nga incidentet mbetën të plagosur pesë persona, ndërsa një grua 70-vjeçare ndodhet në gjendje kritike dhe është intubuar në spital.

Sipas autoriteteve greke, objektivat e sulmeve ishin banesat e kryetarit të Komitetit Drejtues të Demokracisë së Re në Selanik, Zisis Ioakeimoviç, ish-deputetit Savvas Anastasiadis dhe politikanes Aphrodite Nestora. Informacionet paraprake tregojnë se autorët e sulmeve lëviznin me motoçikleta dhe vepruan brenda një intervali kohor më të shkurtër se 20 minuta.

Sulmi më i rëndë u regjistrua në orën 04:35 në zonën Harilaou, ku shpërthimi i një bombole gazi shkaktoi zjarr që u përhap në dy automjete dhe dy motoçikleta të parkuara pranë banesës së Aphrodite Nestorës. Si pasojë e flakëve, pesë persona u plagosën.

Ndër të lënduarit është edhe nëna 70-vjeçare e politikanes, e cila pësoi djegie të rënda në pjesë të ndryshme të trupit dhe po trajtohet e intubuar në Njësinë e Kujdesit Intensiv të Spitalit “Ippokrateio” në Selanik. Vetë Aphrodite Nestora pësoi djegie të lehta në gjymtyrë, ndërsa babai i saj dhe dy banorë të tjerë të pallatit u transportuan në spital për shkak të problemeve me frymëmarrjen nga tymi i shkaktuar prej zjarrit.

Pak minuta më herët, në orën 04:23, një tjetër sulm u regjistrua në zonën Tumba. Persona të paidentifikuar vendosën një bombol gazi në hyrje të një pallati ku në katin e tretë banon ish-deputeti Savvas Anastasiadis. Shpërthimi shkaktoi dëmtime në hyrjen e ndërtesës, përfshirë çarje të xhamave dhe dëmtime në fasadë, por pa shkaktuar të lënduar.

Sulmi i parë ndodhi në orën 04:18 në zonën Pylaia, ku autorët aktivizuan një bombol gazi pranë një prone që në të kaluarën ishte përdorur si banesë nga Zisis Ioakeimoviç. Në këtë rast nuk u raportuan dëme materiale apo të lënduar.

Hetimet për të tre incidentet janë marrë përsipër nga Shërbimi Antiterrorizëm i Greqisë, i cili po shqyrton mundësinë që bëhet fjalë për sulme të koordinuara me një plan të përbashkët dhe me motive politike. Autoritetet po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë dhe prova të tjera të mbledhura nga vendngjarjet, në përpjekje për të identifikuar dhe arrestuar autorët e sulmeve.

Video

Ilir Beqaj shfaqet në GJKKO për herë të parë që prej zbutjes së masës së sigurisë.

Deputeti i PD-së, Luan Baçi, paraqitet në SPAK, i shoqëruar nga avokati i tij.

Partia ime më shkarkoi…

Qielli i Nju Jorkut u ndriçua nga rreth 3 mijë dronë gjatë një prove spektakolare për ceremoninë përkujtimore që do të shënojë 25-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit në vitin 2026. Dronët u ngritën mbi qytet dhe krijuan një shfaqje të koordinuar drite, si pjesë e përgatitjeve për një homazh që synon të nderojë viktimat e sulmeve të 11 Shtatorit 2001.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme