Një reflektim i shpejtë i zgjedhjeve të djeshme
Në gati 18 muaj Kosova ka mbajtur tri palë zgjedhje për qeverinë qendrore, me një rezultat të qëndrueshëm në renditjen e partive, por me shumë lexime brenda.
Vetëvendosje doli përsëri forcë e parë politike me mbi 40% të votave, ose dyfishi i forcës së renditur e dyta, PDK. Çfarë mesazhesh të shpejta japin këto rezultate?
Tri palë zgjedhje në më pak se 18 muaj është një presion dhe lodhje e elektoratit, si dhe shpërdorim i votës së tij. Për këtë arsye duket se zgjedhësit në Kosovë janë treguar indiferentë ose kanë bojkotuar. Pjesëmarrja ishte gati 9 pikë përqindje më pak se në dhjetor 2025 dhe më e ulëta në historinë e zgjedhjeve. Rënia e pjesëmarrjes është ndëshkim për të gjithë klasën politike, pasi populli është thirrur në zgjedhje të shpeshta për shkak të papjekurisë dhe pamaturisë së treguar për të kapërcyer fërkimet inatçore dhe lejuar institucionet të ndërtohen. Askush nuk duhet t’i gëzohet pjesëmarrjes së ulët dhe të bëjë fajtor tjetrin. Nëse vijon kjo lloj klime në zgjedhjet në vijim, pjesëmarrja do të jetë edhe më e paktë e do të prodhojë një zinxhir destabiliteti qeverisës.
Vetëvendosje konfirmohet forcë e vetme e konsoliduar dhe që ende besohet e përshtatshme për qeverisje. Por duhet të lexojë me shumë vëmendje rënien në pjesëmarrje dhe uljen e peshës së saj me 7 pikë përqindje, që do e ndëshkojë dhe në ulëse në parlament. Votuesi nuk e tradhtoi LVV, sepse nuk e rriti votën për të tjerë. Por i dha mesazhin e pakënaqësisë forcës që pëlqen, e cila duhet të fillojë të menaxhojë vendin dhe të dijë të bëjë koalicione. I tillë është sistemi që Kushtetuta imponon. Përndryshe, Kosova do të futet në zinxhirin e ngërçeve institucionale dhe elektorati do të rrisë bojkotin.
PDK ka ruajtur kuotën e saj në formatin e elektoratit militant të mbajtur fort pas lavdisë së luftës dhe burgosjes së drejtuesve të saj, pa sjellë diçka të re.
LDK me rikthimin e vajzës plangprishëse në shtëpi, ish-presidenten Vjosa Osmani, nuk kapitalizoi ndonjë rritje të dukshme aq sa pretendohej se Vjosa i kishte dhënë LVV. 7-pikëshi i munguar në LVV nuk është i Vjosës. Në rastin më të mirë, nëse supozojmë se elektorati mbajti të njëjtin pëlqim për Lumirin si në dhjetor 2025, Vjosa ka sjellë me vete veç një rritje 4-pikëshe. Shumë pak për një pretendente për lidere globale, si Rama i Shqipërisë.
Mendjelehtësia e Vjosës u shfaq edhe më açik kur këto rezultate i lexon si mungesë arsyeje për LVV që të refuzojë emrin e saj si presidente e 7-të e Republikës. Në fakt, me aktin antikushtetues të shpërndarjes së Kuvendit, një akt me natyrë fashiste, pavarësisht se i kryer për arsye banale të karriges personale, Vjosa ka dhënë provën që nuk di të jetë garante e Kushtetutës. Tashmë do të ishte gabim fatal që ajo të rizgjidhej, pasi do të kontribuonte vetëm në konflikte institucionale.
Për LDK është interesante të kuptohet se çfarë e shtyu këtë forcë të shndërrohet nga e formuar me vizionin e Rugovës në parti pykë.
Bllokimi bërë prej opozitës në mënyrë konstante për funksionimin e shtetit ka nxjerrë në pah nevojën që duhet të kryhen edhe reformime me qëllim që të mos arrihet në situata pengmarrjeje. Dhe ndoshta më e para është që presidenti të zgjidhet nga populli ose në formën e parashikuar për zgjedhje në Republikën e Shqipërisë.
Tani barra i mbetet forcës kryesore politike të kapërcejë pengesën dhe të gjejë një kandidaturë konsensuale, sepse Kosova ka nevojë të menaxhohet. Ekonomia kërkon vëmendje, përtej halleve të tjera. Nevojitet më pak agresivitet partiak nëpër institucione, sepse Kosova u përket të gjithëve.
Sa i përket opozitës, ajo ka nevojë të bëhet më e zgjuar dhe më pak inatçore. Duhet t’i japë mundësi LVV të krijojë institucionet e të qeverisë. Vetëm nga qeverisja do të dalë në pah aftësia e LVV për të menaxhuar Kosovën dhe do të fillojë konsumimi i saj si forcë politike, në favor të rritjes së opozitës në elektorat. Me qëndrimet puçiste e bllokuese të nisura që në mars 2020, opozita veçse ia ka rritur jetëgjatësinë në drejtim të vendit LVV, sepse nuk e ka lënë të tregojë veten dhe të gabojë në qeverisje, apo ia ka zbehur gabimet përballë fajevë opozitare.
Opozita në Kosovë ka një rrugë më të mirë për të ndjekur, të mos bëhet si Vjosa.
Më e fundit, populli i Kosovës përsëri tregoi se di të japë mesazhe. Mos e lodhni me këtë popull.






















