Investigimi i Guardian tregon se si presidenca amerikane po e mjegullon kufirin mes politikës shtetërore dhe pasurimit të familjes në pushtet dhe njerëzve pranë saj
Në një rrugicë të mbuluar me grafite në Sarajevë, një shteg kalon pranë një kopshti të lënë pas dore dhe të çon te një derë e bardhë. Pas saj ndodhet zyra e regjistruar e një kompanie që është pranë fitimit të kontratave me vlerë mbi 1 miliard dollarë.
AAFS Infrastructure and Energy është afër sigurimit të një koncesioni për ndërtimin dhe operimin e një gazsjellësi në Ballkan, që do të lejonte zëvendësimin e furnizimeve me gaz rus me gaz fosil të transportuar nga Shtetet e Bashkuara. “Ky mund të jetë projekti më i rëndësishëm infrastrukturor në historinë e Bosnjë-Hercegovinës”, thotë një prej zyrtarëve më të lartë të vendit, i cili kërkoi të mbetet anonim për shkak të ndjeshmërisë së negociatave.
Kompania nuk ka asnjë histori në realizimin e projekteve të kësaj përmase. Ajo që ka janë lidhjet personale me Donald Trump.
Njëri prej përfaqësuesve të AAFS është një avokat nga Uashingtoni që ka mbrojtur familjen Trump në çështje politike. Tjetri është vëllai i ish-këshilltarit për sigurinë kombëtare të presidentit amerikan. Të dy kanë qenë pjesë e përpjekjeve për të kundërshtuar humbjen e Trump në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.
Një investigim i Guardian, i bazuar në intervista me zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë boshnjakë e amerikanë, dokumente të rrjedhura dhe dokumentacion korporativ, ka shqyrtuar kompaninë pak të njohur që është futur në qendër të garës globale për dominimin energjetik. Hetimi ofron një pamje se si po ndryshojnë marrëdhëniet ndërkombëtare nën një presidencë që e zbeh kufirin mes politikës shtetërore dhe pasurimit të familjes në pushtet dhe rrethit të saj.
“Ekziston një logjikë në botën e sotme që njerëz të lidhur me administratën të përfshihen në projekte të mëdha ekonomike apo investime”, thotë një ish-zyrtar i lartë amerikan në rajon. “Është e pakëndshme, por një pjesë e madhe e politikës amerikane sot është e tillë.”
Lidhjet MAGA të AAFS
Kur Guardian trokiti në adresën e AAFS në Sarajevë, një grua nga dritarja e katit të sipërm tha se përfaqësuesi lokal do të kthehej së shpejti. Disa minuta më vonë mbërriti Amer Bekan. Ai tha se zyra e kompanisë do të zhvendosej së shpejti në një ndërtesë të madhe me 100 punonjës.
Në CV-në e tij online, Bekan e përshkruan veten si “investitor dhe sipërmarrës me përvojë të gjerë”. Ai ka provuar edhe politikën. Në vitin 2016 kandidoi për kryetar bashkie në Sarajevën qendrore dhe doli i fundit me vetëm 116 vota. Një tjetër fushatë në vitin 2020 solli akuza se kishte abuzuar me procesin zgjedhor për përfitime personale, akuza që ai i mohoi.
Bekan regjistroi kompaninë boshnjake AAFS në vitin 2021. Vetëm pasi solli partnerët amerikanë vitin e kaluar, kompania u bë protagoniste. As ai dhe as partnerët e tij nuk tregojnë se si janë njohur.
AAFS boshnjake tashmë kontrollohet nga një kompani amerikane me të njëjtin emër, e regjistruar në nëntor. Adresa e saj në Uashington ndodhet në një zonë turistike pranë lumit Potomak, mes një restoranti libanez dhe një pub-i irlandez. Një tabelë identifikon ambientin si zyrë të kompanisë ligjore Binnall Law Group.
Jesse Binnall është një nga avokatët më të njohur të lëvizjes MAGA. Ai ishte pjesë e fushatës së Trump në vitin 2016 dhe një nga figurat kryesore që hodhën dyshime mbi fitoren e Joe Biden në vitin 2020. Ai deklaronte se “Donald Trump fitoi pasi të merren parasysh mashtrimet dhe parregullsitë”. Më pas mbrojti Trump dhe djalin e tij Donald Trump Jr. kundër padive që kërkonin t’i mbanin përgjegjës për trazirat në Kapitol.
Pas rikthimit të Trump në pushtet vitin e kaluar, Binnall siguroi një marrëveshje prej 1.25 milionë dollarësh nga Departamenti i Drejtësisë për Michael Flynn, ish-këshilltarin e sigurisë kombëtare të Trump.
Në këtë proces ai u afrua edhe me Joe Flynn, vëllain e Michael Flynn, sipërmarrës në sektorin e shëndetësisë dhe një figurë aktive në fushatat që kundërshtuan rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020.
Mbështetje e plotë nga administrata Trump
Shtëpia e Bardhë ia referoi pyetjet Departamentit të Shtetit, i cili deklaroi se gazsjellësi Southern Interconnection ka qenë prioritet i tre administratave të fundit amerikane, sepse zgjeron dhe diversifikon sektorin energjetik të Bosnjës, duke ulur varësinë nga një burim i vetëm furnizimi.
Megjithatë, kualifikimet e Flynn dhe Binnall për të drejtuar një projekt të tillë energjetik nuk janë të qarta. Pavarësisht kësaj, që prej hyrjes së tyre në projekt, iniciativa ka marrë mbështetje të plotë nga administrata Trump.
Fillimisht, diskutimet e tyre me zyrtarët boshnjakë kishin të bënin me rinovimin e dy aeroporteve me vlerë 300 milionë dollarë. Më pas u propozua që ata të merrnin përsipër një projekt shumë më të madh: gazsjellësin Southern Interconnection.
SHBA e ka mbështetur prej kohësh këtë projekt, sepse lidh Bosnjën me terminalin e gazit në bregdetin kroat dhe redukton ndikimin rus në Europën Juglindore. Në kohën e administratës Biden ishte parashikuar që projekti të menaxhohej nga kompania shtetërore e gazit në Bosnjë. Por mosmarrëveshjet etnike dhe politike e vonuan vazhdimisht realizimin.
Disa zyrtarë boshnjakë panë te një kompani e lidhur me Trump mundësinë për të thyer bllokimin politik.
Pa garë dhe pa tender
Sipas një propozimi konfidencial të parë nga Guardian, gazsjellësi do të kushtojë 300 milionë euro, ndërsa tre termocentrale të lidhura me të do të kërkojnë edhe 900 milionë euro të tjera.
Në mars, legjislacioni i ri boshnjak përcaktoi që AAFS të ishte kontraktori i projektit. Nuk është zhvilluar asnjë procedurë konkurruese tenderimi.
Transparency International paralajmëroi se krijimi i një precedenti të tillë në një vend me një nga nivelet më të larta të korrupsionit në Europë mund të ketë pasoja katastrofike për zbatimin e projekteve strategjike.
Edhe Bashkimi Europian ngriti shqetësime. Ambasadori i BE-së në Bosnjë u dërgoi një paralajmërim privat autoriteteve, duke u kërkuar koordinim me Brukselin për çdo ndryshim në politikën energjetike.
SHBA mbeti e palëkundur. Ambasada amerikane në Sarajevë deklaroi në prill se partneriteti “forcon pavarësinë energjetike dhe i jep fund varësisë nga gazi rus”.
Roli i Milorad Dodikut
Megjithatë, projekti nuk mund të realizohet pa bashkëpunimin e Milorad Dodikut, liderit ultranacionalist të serbëve të Bosnjës.
Administrata Biden e kishte sanksionuar Dodikun dhe familjen e tij për korrupsion dhe abuzim me pushtetin. Por pas rikthimit të Trump në Shtëpinë e Bardhë, Dodik nisi një fushatë lobimi me miliona dollarë për të fituar mbështetjen e administratës së re.
Një nga lobistët ishte vetë Michael Flynn, i cili për një muaj punë përfitoi 100 mijë dollarë.
Në tetor, administrata Trump hoqi pa shpjegim sanksionet ndaj Dodikut. Në prill, Donald Trump Jr. vizitoi Banja Lukën, ku u prit ngrohtësisht nga djali i Dodikut, Igor.
Sipas ish-ambasadorit amerikan në Bosnjë, Michael Murphy, Dodik po përpiqet të fitojë mbështetje në rrethin e Trump ndërsa synon të dobësojë marrëveshjen e paqes së vitit 1995 dhe të çojë drejt pavarësisë entitetin serb të Bosnjës.
Megjithatë, sipas një politikani të lartë serbo-boshnjak, mesazhi i amerikanëve ka qenë i qartë: prioritet absolut është gazsjellësi dhe askush nuk duhet të pengojë projektin.
Më 21 prill, pak pas vizitës së Trump Jr., Dodik sinjalizoi se nuk do ta bllokonte projektin. Kjo e ka sjellë planin e AAFS dhe partnerëve të lidhur me Trump shumë pranë realizimit të plotë.






















