
Nga kafazi prej xhami në Gjykatën e Posaçme, Ilir Meta ka dhënë sqarime lidhur me kontratat e lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai ka theksuar se bëhet fjalë vetëm për një pagesë prej 15 mijë dollarësh, të kryer sipas tij me vendim të kryesisë dhe përmes bankës. Meta është shprehur i revoltuar, duke kërkuar që të gjithë të jenë të barabartë para ligjit.
Gjatë dëshmisë së tij, Meta ka akuzuar Prokurorinë për paraqitje të të dhënave të pasakta dhe për interpretim të gabuar të dokumenteve hetimore. Ai ka përmendur edhe komunikime dhe letërporosi nga Shtetet e Bashkuara, duke pretenduar se informacionet kanë ndryshuar gjatë fazave të ndryshme të hetimit. Sipas tij, disa pyetje të përsëritura janë bërë edhe pasi kanë mbërritur përgjigje zyrtare nga autoritetet amerikane.
Meta ka ngritur gjithashtu pretendime për politizim të procesit dhe mungesë transparence në hetim. Ai ka deklaruar se mban përgjegjësi vetëm për veprimet e tij individuale dhe jo për të tretët e përfshirë në çështje.
Dëshmia e plotë:
“Mendoj se duhet të jemi të barabartë para ligjit.
Jam shumë i revoltuar, të nderuar gjyqtarë dhe prokurorë pjesëmarrës, sepse, përveç shumë gënjeshtrave të përsëritura në fazën paraprake, dëgjova një gjë shokuese.
Prokurori tha se pas hetimit me McKeon, ka dalë që është vetëm një faturë 15 mijë USD.
Jam i revoltuar, sepse që kur jam pyetur për këtë çështje e kam bërë të qartë se kam pasur vetëm një pagesë 15 mijë USD, me vendim të kryesisë, përmes bankës.
Në shtator kanë marrë letërporosi për McKeon sikur janë bërë takime në SHBA dhe pagesa të jashtëligjshme.
Unë jam rrëmbyer më 21 tetor në orën 12:08 minuta nga persona të panjohur.
Në 14:06 më është komunikuar urdhri i prokurorisë së SPAK.
Pasi unë arrestohem, më 15 nëntor ka ardhur një përgjigje tjetër nga SHBA, saktësim.
Zotërinjtë jo vetëm që nuk ma kanë bërë të ditur, por në janar më kanë pyetur prapë për McKeon Group.
Pasi ju ka ardhur përgjigjja përfundimtare në nëntor, mua më pyesnin prapë në janar.
Fara është një portal ku mijëra kompani publikojnë për transparencë, por nuk është as gjykatë, as prokurori.
Nuk ekziston në marrëveshjen me GSIS nënshkrimi i Ilir Metës. Marrëveshja është mes LSI dhe GSIS.
Ju, z. Kllapi, e dinit që në fillim që janë paguar vetëm 15 mijë USD. Ju ka ardhur një gjë tjetër në shtator, tjetër në nëntor. E mbajtët fshehur, më pyetët në janar.
Duhet të sqaroj se kreu i AKEP zgjidhet nga Kuvendi dhe nga Këshilli i Ministrave. Kreu i Këshillit të Ministrave ka qenë Rama. Nuk e propozojnë partitë politike.
Ka tendencë për politizim të procesit. Kur s’ke fakte, e bën politike.
Prokuroria ka fshehur dëshmitë e dhëna nga Ndini Tavani në 2011 për Hejsek, ku e bën të qartë që s’i kujtohej emri konkret.
Edhe ajo me 200 mijë bëhet për manipulim të opinionit publik. Nuk merret veç për çfarë është. As ka ndonjë përgjigje.
Unë jam këtu të mbaj përgjegjësi për çdo veprim tim individual. Nuk jam as për të marrë e as për të dhënë. Unë mbaj përgjegjësi për të mitë, znj. Kryemadhi nuk ka pse mban përgjegjësi për të tjerët.”





















