
Për shumë prindër të fëmijëve në spektrin e autizmit, pavarësia e plotë e fëmijës duket një objektiv i largët. Por historia e Marina Violës dhe djalit të saj, Luca, tregon se edhe sfidat që duken të pamundura mund të kapërcehen.
Në librin e saj “Fluturimi i gjelit të detit”, Viola rrëfen rrugëtimin e gjatë mes pasigurisë, lodhjes dhe shpresës, deri në momentin kur djali i saj 27-vjeçar është gati të largohet nga shtëpia dhe të jetojë në mënyrë më të pavarur. Tre vite më parë, familja mori vendimin e vështirë për ta transferuar Lucën në një shtëpi-komunitet pranë Bostonit, ku ata jetojnë.
Autorja thekson se, pavarësisht ndërgjegjësimit më të madh për autizmin, shërbimet mbështetëse mbeten të pamjaftueshme, veçanërisht në Itali. Sipas saj, familjet kanë nevojë për më shumë struktura, mbështetje profesionale dhe një ndryshim kulturor që të reduktojë paragjykimet.
Viola sfidon edhe stereotipet më të zakonshme për personat autikë, duke theksuar se ata ndjejnë emocione si të gjithë të tjerët dhe se nuk mund të futen në kategori të thjeshtuara si “gjeni” apo “të paaftë”.
Sot, ajo e sheh diagnozën e dikurshme jo si fundin e një ëndrre, por si fillimin e një rruge të re. “Djali im më ka bërë një njeri më të mirë”, thotë ajo, duke u dërguar një mesazh shprese prindërve që sapo kanë nisur të përballen me të njëjtën sfidë.






















