
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të enjten në mëngjes se Shtetet e Bashkuara synojnë të marrin nën kontroll ishullin Kharg dhe infrastrukturën kryesore të naftës në Iran.
Ishulli Kharg, një pikë strategjike në Gjirin Persik, përbën një element jetik për ekonominë e Iran, duke shërbyer si qendra ku përpunohet pjesa më e madhe e eksporteve të naftës së papërpunuar të vendit.
Në të njëjtën linjë të ashpër, Trump paralajmëroi se forcat amerikane do të godasin Iranin “SHUMË FORTË SONTE”, në një kohë kur tensionet mes dy vendeve janë përshkallëzuar dhe bisedimet për paqe kanë mbetur pezull.
Gjatë natës, SHBA dhe Irani kanë shkëmbyer sulme ajrore, ndërsa presidenti amerikan ka sinjalizuar më herët se operacionet ushtarake do të vijojnë nëse nuk arrihet një marrëveshje mirëkuptimi.
Nga ana tjetër, ekspertët ushtarakë vlerësojnë se çdo përpjekje për të pushtuar ose neutralizuar ishullin Kharg do të kërkonte një prani të madhe forcash tokësore, një opsion që deri tani administrata Trump e ka shmangur.
Ndërkohë, ushtria amerikane ka ndërmarrë disa goditje ajrore ndaj objekteve ushtarake në ishullin Kharg, por duke shmangur qëllimisht dëmtimin e infrastrukturës kritike energjetike të tij.






















