Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se Uashingtoni do të ndërmarrë sërish sulme ndaj Iranit gjatë ditës së sotme, pas përshkallëzimit të tensioneve dhe shkëmbimit të sulmeve mes dy vendeve gjatë natës.
“E goditëm fort dje dhe do ta godasim fort sërish sot”, tha Trump, duke i bërë njëkohësisht thirrje Teheranit që të nënshkruajë një marrëveshje.
Nga ana tjetër, presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, deklaroi se Irani do të mbetet i vendosur përballë çdo presioni apo kërcënimi.
Një ditë më parë, SHBA-ja kreu sulme ndaj objektivave iraniane, pasi Trump pretendoi se Irani kishte rrëzuar një helikopter të Ushtrisë Amerikane. Në përgjigje, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike njoftoi se kishte ndërmarrë sulme ndaj bazave amerikane në rajon.
Sipas ushtrisë amerikane, pothuajse të gjitha raketat dhe dronët iranianë të lëshuar drejt bazave amerikane në Lindjen e Mesme u interceptuan dhe nuk pati viktima.Në një postim në rrjetet sociale, Trump u shpreh se Irani kishte humbur mundësinë për të arritur një marrëveshje të favorshme.
“Ata janë vonuar shumë për të negociuar një marrëveshje që do të kishte qenë e shkëlqyer për ta. Tani do të duhet të paguajnë çmimin”, shkroi ai, duke shtuar se Irani ishte “shuar plotësisht” nga pikëpamja ushtarake.
Ndërkohë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baqai, akuzoi SHBA-në për minimin e procesit diplomatik përmes mesazheve kontradiktore, ndryshimeve të vazhdueshme të qëndrimeve dhe shkeljeve të përsëritura të armëpushimit.






















