
Një studim i ri i Universitetit Columbia ka zbuluar se edhe një ulje e lehtë, por e vazhdueshme, e orëve të gjumit mund të ndikojë në shtimin në peshë.
Studiuesit ndoqën për gjashtë javë 95 të rritur që zakonisht flinin 7-8 orë në natë. Gjatë eksperimentit, pjesëmarrësit flinin mesatarisht 90 minuta më pak çdo natë. Rezultati ishte se ata shtuan mesatarisht rreth gjysmë kilogrami në peshë.
Sipas studiuesve, megjithëse rritja në peshë duket e vogël, efekti është kumulativ. Nëse mungesa e gjumit vazhdon për muaj apo vite, shtimi në peshë mund të bëhet klinikisht i rëndësishëm, duke rritur rrezikun për mbipeshë dhe obezitet.
Studimi tregoi gjithashtu se personat që flinin më pak ishin edhe më pak aktivë fizikisht, duke kaluar mesatarisht 17 minuta më shumë në ditë ulur ose pa lëvizur, ndërsa tek burrat dhe gratë pas menopauzës kjo kohë arrinte deri në 30 minuta.
Sipas autorëve, mungesa kronike e gjumit nuk lidhet vetëm me shtimin në peshë, por edhe me rritjen e rrezikut për diabetin e tipit 2, sëmundjet kardiovaskulare dhe çrregullime të tjera metabolike. Për këtë arsye, ata theksojnë se një gjumë i mjaftueshëm dhe cilësor duhet të konsiderohet pjesë e rëndësishme e një stili të shëndetshëm jetese, po aq sa ushqyerja dhe aktiviteti fizik.






















