Temperaturat e larta shpesh sjellin ulje të oreksit, por sipas ekspertëve kjo nuk është domosdoshmërisht arsye për shqetësim. Kur bën shumë nxehtë, organizmi i jep përparësi ftohjes së trupit dhe jo tretjes së ushqimit. Hipotalamusi, pjesa e trurit që rregullon temperaturën, oreksin dhe etjen, orienton energjinë drejt ruajtjes së temperaturës normale të trupit.
Gjatë vapës, gjaku qarkullon më shumë drejt lëkurës për të shpërndarë nxehtësinë, ndërsa furnizimi me gjak i stomakut zvogëlohet. Kjo ngadalëson tretjen dhe zgjat ndjesinë e ngopjes. Në të njëjtën kohë, shumë njerëz ngatërrojnë etjen me urinë, ndaj konsumimi i shpejtë i sasive të mëdha të lëngjeve mund të ulë edhe më tej oreksin.
Specialistët këshillojnë që gjatë ditëve të nxehta të preferohen vakte të lehta, të bazuara në dietën mesdhetare, me fruta, perime, drithëra, kos dhe bulmet të freskët. Rekomandohen porcione më të vogla dhe vakte të ndërmjetme, ndërsa ushqimet e rënda dhe shumë të yndyrshme duhen shmangur. Edhe pse akullorja duket zgjedhje ideale, ekspertët sugjerojnë që sorbetot ose granitat me fruta janë alternativa më të përshtatshme, pasi tretën më lehtë.






















